Koment: Drejtësi e vonuar
25 Mars 2016Vendimi kundër Karaxhiçit u dha: Fajtor në 10 nga 11 pikat e aktakuzës kundër tij, ndër to gjenocid, deportim, rrëmbim, vrasje, terror...40 vjet burg për ish-presidentin e serbëve boshnjakë dhe përgjegjësinë e tij personale për këto krime. Shpallja e Karaxhiçit fajtor ishte e pritshme, megjithatë dënimi i tij në këtë masë është kolosal. Me këtë verdikt merr fund një proces, për të cilin gjithmonë është folur në formë superlative: Karaxhiç si i akuzuari më i rëndësishëm dhe politikani i parë i nivelit të lartë në një nga proceset më të vështira për krimet më të mëdha në Europë pas Holokaustit.
Triumfi i drejtësisë mbi krimin
Për shumë nga viktimat e krimeve të luftës në Bosnje-Hercegovinë kjo është një ditë e rëndësishme, ai është triumfi i drejtësisë mbi krimin. Sigurisht Karaxhiçi mund të apelojë vendimin, dhe mund të thuhet se ai do ta bëjë këtë. Megjithatë ky vendim është një pikë kthese e rëndësishme në drejtësinë ndërkombëtare, një fitore e së drejtës ndërkombëtare kundrejt krimeve të luftës. Tribunali i Jugosllavisë i vërtetoi përgjegjësinë personale njërit prej aktorëve më të rëndësishëm politikë pak para shkrirjes së tij të plotë dhe pas shumë dështimeve në të shkuarën.
E tani kur puna e Tribunalit po shkon drejt fundit mund të thuhet se megjithë dobësitë, ai sërish është një gur themeli për bazamentin e standarteve ndërkombëtare në çështjen e të drejtave të njeriut dhe trajtimit juridik të krimeve të luftës. Me vendimin e sotëm gjykata vendos një normë: Asnjë kriminel lufte që shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare nuk duhet të ndjehet i sigurtë, asnjë person përgjegjës politik nuk mund të fshihet pas pretendimit se ai nuk ka ditur asgjë për aktet e vartësve të tij.
Ende gjallojnë fantazmat e së shkuarës
Por megjithë progresin në drejtim të nxjerrjes para drejtësisë të kriminelëve të luftës, përballimi me historinë në rajonet e luftës në ish-Jugosllavi rezulton me pengesa. 20 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit kemi shumë pak përparim në drejtim të pajtimit të palëve të dikurshme luftuese. 20 vjet më pas ende gjallojnë fantazmat e së shkuarës. Kjo u duk qartë edhe në kuadër të dënimit të Karaxhiçit: Që para se të jepej dënimi frontet e dikurshme u pozicionuan, duke bërë të qartë, se hendeku ndarës mes grupeve etnike të Bosnjes ende është i thellë. Jo më larg se të hënën (21.03) pasuesi i Karaxhiçit, Milorad Dodik e pagëzoi një konvikt studentësh në Pale me emrin Radovan Karaxhiç. Çfarë sinjali lëshon një solidarizim i tillë - aspak pajtues për serbët boshnjakë, për bashkëqytetarët myslimabë e kroatë në shtetin e përbashkët. Ky akt renditet brenda një peizazhi të përgjithshëm aspak shpresëdhënës të ndarjes, mospranimit të fajit dhe apoteozës së heronjve të luftës.
Të paraprogramuara janë edhe protestat e zemëruara pas dhënies së dënimit, të cilat do të vënë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës Ndërkombëtare, do të vënë në dyshim vendimin dhe do të përsërisin stereotipet e kohës së luftës, prej vitesh të tejkaluara. Dhe satisfaksioni nga ana e viktimave u shërben atyre vetëm si konfirmim.
Përballja me të shkuarën detyrë e shoqërisë
Në ditë të tilla bëhet e qartë: Qytetaret e qytetarët e Bosnje-Hercegovinës janë ende shumë larg nga ngjizja e grupeve etnike, nga krijimi i një identiteti të përbashkët në një shtet të përbashkët. Fëmijët shkojnë në klase të ndara nga ana etnike, nuk ka libra të përbashkët historie, ende mungon ballafaqimi i përbashkët me të shkuarën. Mediat e ndara i paraqesin publikut të vërtetat që besojnë vetë, në vend që të ftojnë për të reflektuar mbi qëndrimin personal.
Vendimi kundër Karaxhiçit është një përfundim i rëndësishëm i përballimit ligjor me të shkuarën, ndërsa përballimi në shoqëri duhet të bëhet nga vetë qytetarët. Vetëm me një përballim të ndershëm, nganjëherë edhe të dhimbshëm të të gjithë qytetarëve me një histori të vështirë, vendi mund të ndërtojë një të ardhme të përbashkët. Karaxhiçi është pjesë traumatike e historisë së këtij vendi. Ideologjia dhe veprat e tij nuk shkojnë më sot në një Bosnje-Hercegovinë moderne, që kërkon të jetë pjesë e Europës demokratike. Një qëndrim i tillë mund t'i bashkojë të gjithë qytetarët e Bosnje-Hercegovinës. Argumentimi mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare i dënimit kundër Karaxhiçit e bëri këtë të enjten më se të qartë.