Koment: Dorë për dorë - Takimi historik i dy Koreve
28 Prill 2018Ata vijnë nga botë të kundërta. Nga jugu, avokati për të drejtat e njeriut që nuk bie në sy, Moon dhe nga veriu pushtetmbajtësi Kim i frikshëm për politikën ndërkombëtare. Moon është një urëndërtues pragmatik, Kim burri provokues i raketave. Një president koreanojugor, që iku nga veriu dhe duhej një pjesë të jetës të luftonte për demokracinë takon një tiran të nderuar si zotin në vendin e tij, gjenerata e tretë e një dinastie që plan kryesor ka mbijetesën e saj.
Megjithë dallimet akulli u shkri shpejt mes dy koeranëve. Ata u përshëndetën në mënyrë demostrative të përzemërzt dhe për herë të parë një pushtetmbajtës koreanoverior preku tokën e Koresë së Jugut. Dorë për dore ata spontanisht kaluan vijën e demarkacionit, që në të ardhmen nuk duhet të jetë një simbol i ndarjes, por i bashkimit. Edhe pushtetmbajtësi i paarritshëm nga Pheniani u tregua i lirshëm, qeshte para kamerave nga e gjithë bota, përkëdhelte fëmijët që ofronin lule dhe bënte shaka me motrën në krah të tij për menunë e përgatitur me specialitete nga të dy Koretë.
Fund i heshtjes
Ky takim shënon një moment historik. Madje 3000 gazetarët nga e gjithë bota shpërthyen në duartrokitje spontane, kur të dy burrat e shtetit u takuan përzemërsisht. Të mëdha, shumë të mëdha janë pritshmëritë për samitin e Koreve, që duhet t'i japë fund heshtjes së viteve të fundit. Koreja e Jugut shpreson për një marrëveshje paqeje që duhet të zëvendësojë marrëveshjen e armëpushimit, po ashtu si SHBA shpreson në çnuklearizimin e Koresë së Veriut dhe ngritjen e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Koreja e Veriut kërkon të njihet si fuqi atomike dhe të ketë ndihma ekonomike, sepse sanksionet e kanë goditur fort këtë vend të varfër. Të dyja palët kanë rënë dakord për heqjen dorë nga provokimet, janë dhënë premtime për takime të rregullta në dy vendet, dhe është vendosur për rivënien në punë të linjës hekurudhore. Masa të tjera pritet të pasojnë.
Sigurisht megjithë tonet miqësore, dyshimet mbeten, sepse edhe samitet e viteve 2000 dhe 2007 zgjuan shpresa të mëdha. Edhe atëherë të dy shtetet e armiqësuara ranë dakord për masa mirëbesimi. Anëtarët e familjeve të ndara u takuan, u krijua një qendër ekonomike, Kaesong. Por euforia iku, e kur veriu rriti ambiciet për programin atomik, filli i bisedimeve u këput.
Më i suksesshëm se të parët
Aq më shumë të habit fakti, që ky samit jo vetëm u zhvillua, por madje në një atmosferë të përzemërt. Një vit në detyrë, socialiberali Moon ka arritur shumë më tepër se paraardhësit e tij konservatorë me politikën e çtensionimit dhe gatishmërisë për dialog. Edhe Kim me programin e tij të rrezikshëm atomik ka arritur më shumë se babai e gjyshi i tij: Koreja e Veriut shihet sot si një kërcënim serioz. Më në fund Kim mund të negociojë si i barabartë me armikun e vjetër SHBA. Pas një muaji zhvillohet takimi mes Kim dhe presidentit Trump. Edhe kjo nuk mendohej para disa javësh.
Përmes samitit brendakorean është rimarrë filli i bisedimeve dhe është ndalur spiralja e shkallëzimit e vitit të kaluar. Presidenti Trump do të bënte mirë të vazhdonte këtë politikë, bisedimet direkte janë më të sigurta se mesazhet në twitter. Hap pas hapi të gjitha palët duhet të përpiqen për të rindërtuar besimin e humbur dhe të gjejnë një zgjidhje për paqen. Nëse Trump ia del kësaj, atëherë ai mund të quhet më i suksesshmi se të gjithë paraardhësit e tij.