1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Donald Trumpi i ofenduar i kthehet twitter-it

29 Maj 2020

Donald Trumpi ndjehet i lënduar në sedër nga Twitter-i! Askush nuk duhet t'i bëjë vërejtje presidentit për gënjeshtra. Në një kohë që interneti ka nevojë më shumë se kurrë për kontroll të fakteve, shkruan Carla Bleiker.

https://p.dw.com/p/3cwr7
Donald Trump
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP/E. Vucci

Presidenti amerikan, Donald Trump është futur në prapë në një luftë të vogël në internet. Këtë herë është Twitteri, mediumi përmes të cilit komunikon Donald Trump, i cili ka zemëruar presidentin. Pasi Trump ishte ankuar disa herë në të shkuarën, se Twitter-i e kufizon lirinë e mendimit të përdoruesve konservatorë, tanimë ky rrjet social është në shënjestër të sulmit të tij të fundit politik. Të enjten presidenti amerikan nënshkroi një të ashtuquajtur Executive Order, urdhër ekzekutiv, i cili u heq mediave sociale të drejta të rëndësishme.

Pika kryesore e rregullores së re shënjestron një ligj të rëndësishëm, sipas të cilit mediat sociale mbrohen nga aktakuzat. Sipas këtij ligji, Twitter, Facebook e të tjerë nuk janë përgjegjëse për përmbajtjet, që postojnë përdoruesit në këto faqe. Këtë imunitet Trumpi e vë tani në pikëpyetje. Nëse ai ia del me këtë, rrjetet sociale do të duhet të kontollojnë shumë më tepër, se çfarë postohet aty, praktikisht një censurë de- facto do ishte e pamënjanueshme. Për ironi, mund të preken nga kjo pikërisht tweet-et, le të themi, "pasionante" të vetë presidentit Trump. Por ai me sa duket nuk e ka vrarë mendjen për këtë, dhe do ishte qesharake, nëse nuk do ta kishte seriozisht.

Donald Trump
Trump mban një kopje të New York Post para se të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv për median socialeFotografi: picture-alliance/AP Photo/E. Vucci

"Një grup i vogël mediash sociale kontrollojnë një pjesë të madhe të komunikimit publik dhe privat në SHBA", tha presidenti gjatë prezantimit të urdhrit ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë. "Ato kanë pushtet të pakontrolluar, praktikisht të censurojnë, kufizojnë, përpunojnë, formësojnë, fshehin apo ndryshojnë çdo formë të komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe në opinionin e gjerë." Ai do të kujdeset, që këto rrjete sociale të mos marrin më nga taksat e taksapaguesve, dhe nuk do të lejojë më që ato të terrorizojnë qytetarët amerikanë.

Zgjerim të "Fact checking" - verifikimit të fakteve!

Shkak për këtë: Twitter kishte vënë një paralajmërim tek dy mesazhe në Twitter të Donald Trump, në të cilat ai shprehej kundër votimit me letër në vend të votimit në qendrën zgjedhore. Përdoruesve që e klikonin këtë tweet iu shpjegohej, se një votim me letër prej kohësh nuk është aq i manipulueshëm, sa pretendonte presidenti. Sigurisht që të bëhen të ditura para botës deklaratat e gabuara dhe nga një medium, ku Trump mund të përhapte pa ndalur urrejtje dhe gjysmë të vërteta, kjo nuk i pëlqeu aspak Donald Trumpit.

Këtë që presidenti e ndjen si fyerje personale, ai e merr si shkas për të vepruar kundër mediave sociale. Ato gjithmonë kishin marrë anë kundër politikanëve konservatorë. E kjo pikërisht nga një njeri që si asnjë politikan tjetër e përdor Twitterin për tiradat personale kundër atyre që nuk mbështesin mendimin e tij. Absurditeti nuk njeh kufij.

Pavarësisht nga zhurma që po bën Trump, rrjetet sociale si Twitter e Facebook duhet të pyesin veten se si do të veprojnë ato me postimet politike të rreme të përdoruesve të tyre, kjo para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Në zgjedhjet e fundit presidenciale gënjeshtrat e përhapura në Facebook luajtën një rol të madh në dështimin e Hillary Clintonit.

Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg pas grindjes së Trumpit me Twitter tha, se ai nuk e sheh si përgjegjësi të mediave sociale verifikimin e fakteve të deklaratave politike. Por për zgjedhje të drejta paralajmërimi nga gënjeshtrat, siç e bëri Twitter nën postimin e Trumpit, ka rëndësi të madhe. Ky rrjet social nuk duhet t'i japë fund verifikimit të fakteve, por ta zgjerojë atë. Për politikanë të çdo lloj partie.

 

Grua me flokë gjata me vijë në mes dhe të hedhura në njërën anë
Carla Bleiker Carla Bleiker është redaktore për dw.com dhe reportere në redaksinë e shkencës