Koment: Dënimi i Pistorius duhet të shërbejë si precedent pozitiv
22 Tetor 2014Gjykatësja afrikano-jugore Thokozile Masipa dha me gjakftohtësi dënimin për sprintierin Oscar Pistorius. Ajo e dënoi me 5 vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Steenkamp dhe për tre vjet i pezulloi lejen e përdorimit të armëve të zjarrit. Nëse sillet mirë Pistorius mund të dalë nga burgu brenda 10 muajve dhe pjesën tjetër ta vuajë në shtëpi, thonë ekspertët ligjorë.
Prokuroria kërkoi 10 vjet burg, ndërsa mbrojtja kërkoi arrest shtëpiak. Vendimi i dhënë nga gjykatësja duket se ka kënaqur të dyja palët. Ajo tha se nëse nuk do të jepej dënim me burgim, do të dërgoheshe një mesazh i gabuar tek komuniteti, ndërsa një dënim i rëndë do të tregonte mungesën e mëshirës.
E mesmja e artë
Pistorius mund të ishte një tërheqës femrash narcist i obsesionuar me armët e zjarrit, por nuk provohet se ai ka vrarë me gjak-ftohtësi të dashurën e tij Reeva Steenkamp. Edhe pse ekspertët ligjorë afrikano-jugorë dhe nga vende të tjera, nuk do të merrnin në konsideratë lotët e Pistorius në sallën e gjyqit, Gjykata mendoi ndryshe. Oscar Pistorius tregoi pendim për atë që kishte bërë dhe ligji parashikon që kjo merret parasysh gjatë shqyrtimit të çështjes.
Kjo favorizon të akuzuarin në dënimin që do të marrë. Me shumë mundësi nuk do të pëlqehet shumë në Afrikën Jugore. Disa majde mund të indinjohen. "Burri i bardhë i pasur ble mundësin për t'i shpëtuar dënimit të gjatë me një skuadër të mirë mbrojtjeje" mund të jenë disa nga reagimet që mund të dëgjohen në disa zona.
Sistemi i drejtësisë
Por argumentet morale nuk kanë vend në Gjykatë. Narcizmi sapo dëshira për të pasur armë nuk dënohen. Prandaj ato nuk mund të bëjnë më të rëndë dënimin. Gjykata, gjithashtu nuk ishte e lejuar të merrte parasysh xhepat e thellë të Pistorius dhe mbrojtjen e tij.
Por në këtë histori më shumë është kritikuar policia e Afrikës së Jugut se sa Gjykata. Një hetues preku armën e krimit pa dorashka, një prokuror eci në vendin e krimit me këpucët e tij dhe një oficer policie vodhi një orë.
Nëse hetuesit do të tregoheshin më të kujdesshëm dhe do të ishin në gjendie të prodhonin prova më të forta ndaj Pistorius, atëherë sentenca do të kishte qenë një tjetër. Afrikano-jugorët duhet të këmbëngulin që e gjithë policia e tyre dhe aparati i drejtësisë të reformohen në mënyrë që më shumë njerëz të përfitojnë nga një gjykim i drejtë si ai ndaj Oscar Pistorius.