1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexiti në një rrugë pa krye

15 Gusht 2018

Në Bruksel po zhvillohen sërish negociata për Brexitin. Kjo në një kohë kur britanikët nuk ia kanë idenë se ç'duan dhe vazhdojnë të ecin duke u lëkundur pa ardhur në vete drejt datës së Brexitit, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/33C04
Brexit Symbolbild
Fotografi: Reuters/P. Nichols

Negociatat e Britanisë së Madhe me BE për Brexitin ndodhen në një rrugë pa krye. Këtë nuk e thotë kushdo, por Theresa May, kryeministrja britanike. Në një letër drejtuar partisë së saj konservatore të përçarë thellësisht, ajo pranon se në thelb nuk ka mundësi as të kthehet pas, as të ecë përpara. Ajo është e rrethuar nga vija të kuqe, të cilat nuk lejohet t'i kapërcejë. Brexiti nuk lejohet të jetë tepër i butë, tepër i fortë ose krejt pa marrëveshje, në mënyrë që në fund të bien dakord me të krahët e ndryshëm të partisë dhe natyrisht në fund edhe Bashkimi Evropian.  

Propozimi më i fundit i May-t për të zhvilluar negociata vetëm për mallra me BE, për një lloj zonash të tregtisë së lirë, refuzohet nga BE. Vetëm njëmbëdhjetë përqind e britanikëve e quajnë me vend këtë plan. Këtë javë në Bruksel do të zhvillohen sërish negociata. Nëpunësit rreth kryenegociatorit të BE Michel Barnier dhe ministrit të Brexitit Dominic Raab e pyesin megjithatë veten se për se do të negociohet në fakt.

Propozime të zbatueshme nuk ka as për çështjet tregtare, as për kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Prandaj qeveria britanike dëshiron të miratohet vetëm një deklaratë e turbullt për raportin e ardshshëm me BE. Por BE ngul këmbë për një marrëveshje konkrete të daljes së Britanisë së Madhe nga BE, që të paktën të rregullojë përfundimisht çështjet e rëndësishme si paratë, kufijtë dhe të drejtat e qytetarëve. E qartë është vetëm se koha po ikën. Deri në fund të tetorit marrëveshja për Brexitin duhet të jetë gati.

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

Brexiti nuk sjell përparësi

Metoda e tanishme e ndërmjetësimit e britanikëve, që të hiqen si të vdekur dhe vetëm në momentin më të fundit të paraqesin ide thelbësore dhe konkrete, këtë herë nuk do të sjellë sukses. Përpjekja e May-t që me ofensiva magjepsëse të përçajë Parisin nga Berlini dështoi. Pozicioni i britanikëve është i dobët dhe bëhet gjithnjë e më i dobët. Bashkimi Evropian ka shumë më pak për të humbur se Britania e Madhe. Në ishujt britanikë, kryeministrja e zënë shumë ngushtë përhap panik. Ajo jep urdhër të magazinohen ushqime dhe medikamente për "global Britain" dhe paraprakisht ka nisur të thurrë legjendën se fajin për të gjitha e ka BE, sepse nuk është sa duhet i zhdërvjellët.

Problemi kryesor është se Brexiti i arritur përmes një fushate të gënjeshtërt nuk sjell thuajse asnjë përfitim për Britaninë e Madhe. As në tregti dhe as në migrim. Përkundrazi, punëdhënësit britanikë po ankohen që tani që në Britaninë e Madhe duan të punojnë shumë pak të huaj nga BE. Pastrueset polake në hotele dhe spitale ose mjekët gjermanë do të ishin të mirëpritur. Por ata i frikëson Brexiti.

Opozita? Nuk duket gjëkundi

Gati me dëshpërim luftojnë ata që duan të rrijnë në BE "Remainer" për një referendum të dytë, për ta ndaluar Brexitin. Por ai nuk do të ndodhë, të paktën jo me kryeministren Theresa May, që e refuzon atë kategorikisht. Është e diskutueshme nëse kryeministrja do të mund të qëndrojë në post edhe përtej vjeshtës, megjithë grindjen e brendshme në partinë e saj. Megjithatë askush nuk dëshiron ta ketë këtë detyrë gati të pamundur për ta kryer.

Luftëtari pararojë i Brexitit dhe kllouni politik Boris Johnson ka lënë pendët. Drejtuesi i opozitës Jeremy Corbyn nuk e shfrytëzon momentin e përshtatshëm. Partia e tij Laburiste po bie në mbështetje nën konservatorët, sepse miku kokëfortë i palestinezëve Corbyn ka ngecur në një skandal për gjoja simpati për terroristët palestinezë. Socialisti radikal Corbyn gjithsesi nuk ka paraqitur një koncept të tijin për Brexitin. Ai nuk është alternativë e vërtetë ndaj Theresa Mayt.

Po më tej? Britania e Madhe ecën duke iu marrë këmbët pak a shumë pa ardhur në vete drejt datës së Brexitit. Pa koncept, pa objektiv. Për momentin ka vetëm pak shpresë që dikush të tërheqë frenën e emergjencës dhe të paktën ta shtyjë Brexitin.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE