Koment: Blatter nuk është mundur ende
Sërish ishte ai, Joseph S. Blatteri i vjetër. Luftarak, plot energji, syhapur dhe - i bindur në vetvete. Kur u paraqit në konferencën për shtyp në qendrën e FIFA-s, të hënën (21.12), shumëkush ka pritur një ish-president të FIFA-s të lodhur dhe të dërmuar. Ecja e tij jo e sigurtë dhe një fleokoplast në fytyrë, të cilin Blatter e mban prej ditësh nën syrin e djathtë, sugjeronin një gjendje të tillë: Blatteri është të paktën i lodhur, nëse jo edhe k.o. - por jo e kemi gabim. Për fat të keq.
Joseph S. Blatter, drejtuesi i kahershëm i FIFA-s, ende nuk është ngopur. Komisioni i Etikës i FIFA -s e ka dënuar atë dhe presidentin e UEFA-s Michel Platini, mqë për tetë vite të mos ushtrojnë asnjë detyre në futboll, por Blatter nuk do ta pranojë këtë vendim. "Tetë vite? Pse?", pyeste Blatter dhe paralajmëroi se do të luftojë " për FIFA-n dhe për vete". Blatter gjithmonë i ka barazaur veten dhe FIFA-n. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh: Blatter përcakton edhe pas dënimit të tij axhendën e zhvillimeve në FIFA dhe parandalon një fillim të ri në organizatën botërore të futbollit.
Blatter viktimë? Qesharake
Në paraqitjen e tij emocionale dhe përplot me fjalë të fuqishme ("turp", "rrena", "padrejtësi") Blatter e quajti veten viktimë të Komisionit të Etikës të FIFA-s dhe kërkoi më shumë njerëzillëk dhe respekt - natyrisht për vetveten, për kë tjetër? Është shumë e qartë se ky njeri e ka humbur lidhjen me realitetin, sepse pagesat misterioze të 1,8 milionë eurove, për të cilat hetuesit thonë se janë dhënë për rizgjedhjen e tij në vitin 2011, Blatter ende nuk mund t'i shpjegojë. Njeriu do të mund të qeshte me monologun e tij para gazetarëve nga mbarë bota, sikur çështja të mos ishte kaq serioze. Sepse futbolli gjendet në udhëkryq. Udhëheqja e sportit më të dashur në botë ka përjetuar rënie shumë të rëndë, me të drejtë. Hetuesit amerikanë dhe zvicerianë kanë hedhur një vështrim në një prej sistemeve më të korruptuara dhe kanë konstatuar se këtij sistemi duhet t'i jepet fund. Menjëherë.
"Unë nuk mund të them se kjo është një ditë e mirë për FIFA-n", tha Blatter. Njeriu do të mund të brohoriste: "Po, kjo është një ditë e mirë për FIFA!-n. Por a është vërtetë kështu?" Me dënimin e Blatterit hapen më në fund edhe shanset për spastrime në FIFA. Sistemi i dyshimtë i vperimeve të cilin e ka toleruar me vite të tëra vet Blatter dhe në të cilin ka marrë pjesë me vite të tëra edhe vet Komisioni i Etikës, duhet të marrë fund. Kontigjentet e biletave për Kampionatet Botërore si shpërblim për vota, ryshfeti për të drejtat e trasnmetimeve televizive, ndarja e posteve sipas influencës - në FIFA duket se është punuar si në pazar. Duket se të gjitha kanë mundur të blihen, madje edhe kampionatet botërore. Blatter e ka mbështetur këtë politikë me vite të tëra dhe ka përfituar nga ajo. Ironike është që atë e rrëzon tani pikërisht instrumenti, të cilin e ka instaluar vet - Komisioni i Etikës, i cili e ka ndimuar atë në luftën kundër kundërshtarëve të tij (Mohamed bin Hammam, Jack Warner).
Sistemi i Blatterit vazhdon të jetojë
Si do të zhvillohen gjërat? Mbase me një grindje të gjatë drejtësie. E vërtetë është që Blater ende nuk është mundur. Dhe kjo vlen edhe për sistemin e instaluar nga ai. Gati të gjitha pozitcionet në FIFA janë të zëna me njerëz të besuar të Blatterit apo njerëz të dëmtuar. Reformimi i federatës botërore të futbollit duket shumë i vështirë. Vetëm pas reformave të thella mund të dihet nëse kjo ditë vërtetë ishte e mirë për futbollin.