1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Alternativa për Gjermaninë'- asgjë nuk është vendosur

Kay Alexander Scholz2 Shkurt 2015

Kjo pyetje i preokupon shumë vetë: do të bëhet partia "Alternativa për Gjermaninë" një parti e re e djathtë në Gjermani? Për shkaqe të ndryshme pyetjejes nuk mund t'i japësh ende përgjigje, mendon Kay-Alexander Scholz .

https://p.dw.com/p/1EUDF
Bernd Lucke 31.01.2015
Fotografi: David Hecker/Getty Images

Pegida ishte si katalizator për "Alternativën për Gjermaninë" (AfD). Demonstratat e përjavshme të "Patriotëve Evropianë kundër Islamizimit të Oksidentit" nxorën qartë në pah dy krahët e partisë dhe konturet e ndryshme të tyre. Profesorët, sipërmarrësit dhe qytetarët e mirëqënies të krahut liberal ekonomik janë shumë të rezervuar për kontakte me kolegët e AfD-së nga Lindja e Gjermanisë, të cilët u kthyen nga lëvizja proletare-mikroborgjeze e rrugës. Për të mos folur për ekstremistët e djathtë që gjithashtu marshonin në Drezden, me të cilët ish-anëtarët e CDU-së dhe të FDP-së nga Këlni dhe Dyseldorfi nuk kanë asgjë të përbashkët dhe me të cilët ata as nuk donin të flisnin.

Grindje kahesh - po pastaj?

Nga pikëpamja sociologjike, por edhe përmbajtësore, të dyja krahët mund të lokalizohen përgjatë kufirit të vjetër të dy Gjermanive. Në degët e partisë në landet perëndimore diskutohet për të ardhmen e euros ose për politikën sociale. Në Lindje diskutohet për politikën e azilimit, për kritikën ndaj fesë islame dhe për sigurinë e brendshme. Për këtë përçarje, jashtë kamerave në kongresin e AfD-së në Bremen dëgjoje që flisnin shumë.

Po frikë nga kjo tendosje udhëheqja e AfD-së nuk ka. Në fund të fundit, edhe parti të tjera përbëhen nga kahe të ndryshme dhe synimi është që AfD të bëhet një parti e re e gjithë popullit. Dhe para së gjithash, një ngushtim përmbajtësor tani do të ishte gabim strategjik. Në dy vitet e historisë së saj, AfD-ja ka mësuar se mund ta kalojë nivelin e 5 përqindshit në Gjermani nëse arrin të komunikojë me shtresa të ndryshme zgjedhësish. Një kontigjent zgjedhësish të përhershëm, të cilët do t'i garantonin futjen në parlament të partisë dyvjeçe ende nuk ka.

A është ende bashkëkohore të jesh i djathtë?

"Alternativën për Gjermaninë" mund ta ndihmojë një tendencë e mundshme në peizazhin partiak evropian. Në Greqi është krijuar një qeveri e përbërë nga populistë të djathtë dhe të majtë. Dhe ky koalicion i pazakontë mund të jetë vetëm fillimi. Banka e Investimeve Goldman Sachs konstaton në një studim rrezikun e një krize politike në Evropë: ndarja e vjetër e djathtë-e majtë kërcënon të shpërbëhet në dobi të një krijimi frontesh jo të parrezikshëm përgjatë pyetjes, si do të vejë më tej puna e Euros dhe e Evropës.

Pra ndoshta partisë "Alternativa për Gjermaninë" nuk i duhet fare të vendosë, sepse është pjesë e tendencës së kohës. Nga ana strukturore, partia gjithsesi po përgatitet që të mbetet

indiferente-domethënëse. Në të ardhmen do të ketë një kryetar dhe katër zëvendësa. Radha e dytë do të jetë përgjegjëse për tema të ndryshme, të cilat u interesojnë shtresave të ndryshme. Kurse kryetari do të bashkojë të gjitha dhe do të sinjalizoj jashtë se kemi të bëjmë me një parti të qendrës. Kjo është e rëndësishme për prestigjin e "Alternativës për Gjermaninë" në publik.