1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: „Aksident i demokracisë“ në Rumani

Robert Schwartz
18 Nëntor 2018

Ta cilësosh kursin antieuropian të qeverisë në Bukuresht, si „aksident të demokracisë“ është e drejtë. Por vendi i aksidentit duhet të ishte pastruar me kohë, mendon Robert Schwartz.

https://p.dw.com/p/38Qog
Rumänien Klaus Iohannis, Präsident in Bukarest
Fotografi: Imago/Xinhua

Presidenti rumun, Klaus Iohannis ka të drejtë: Ashtu si vepron qeveria socialliberale aktuale në Rumani e si e paraqet veten jashtë vendit, mund e duhet të ekzistojë cilësimi një „aksident i demokracisë". Iohannis e bëri këtë vlerësim menjëherë pas raportit të progresit të BE-së për Rumaninë, i cili ishte një shuplakë për qeverinë. Më në fund – në një solidaritet të pazakontë si Komisioni Europian ashtu edhe Parlamenti Europian i kanë treguar kartonin e kuq qeverisë rumune për sulmet e vazhdueshme ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor – e gjitha kjo përtej kufij partiakë dhe solidaritetit të shumëpërfolur e të pakuptueshëm brenda familjes së partisë.

Për socialdemokratët rumunë, (PSD) dhe partnerin pseudoliberal, ALDE një goditje e fortë. Ndërsa Klaus Iohannis, një liberal-konservator ka një mundësi për të kuptuar, se ai e ka mbështetjen e plotë për të mënjanuar këtë aksident. Presidenti besnik ndaj kushtetutës ka tani edhe provën e fundit, që ishte një gabim i rëndë vendosja e ushtares së bindur të partisë, Viorica Dancila në postin e kryeministres së vendit, kjo me dëshirën e kreut të dënuar të PSD-së, Liviu Dragnea.

Mëkëmbës i pushtetmbajtësit të dënuar

Sa për kujtesë: Që para fitores së socialdemokratëve në zgjedhjet e vitit 2016 ishte e qartë që Dragnea, për shkak të dënimit me kusht për manipulimet zgjedhore nuk mund të bëhej kryetar i qeverisë rumune. Prandaj ai duhet të gjente urgjentisht mëkëmbës besnikë – propozimi i parë, një mikeshë e ngushtë e partisë- u refuzua nga presidenti për shkak të arsyeve të sigurisë kombëtare. Me një ritëm gjashtëmujor u zëvendësuan dy kryeministra, të pranuar nga Iohannis, por që shpejt nuk gëzuan më mbështetjen e padronit, Dragnea. Të dy nuk donin më ta mbështesnin porosinë e shefit për ristrukturimin e drejtësisë, fundin e luftës kundër korrupsionit dhe gërryrjen nga brenda të shtetit ligjor.

Viorica Dancila ishte zgjedhja e katërt e Dragneas. Ajo u kthye në një kryeministre shembullore për të bërë realitet projektet e kryemjeshtrit. Me zell ajo i përmbushte të gjitha detyrat e tij, për të nxjerrë nga banka e drejtësisë kolegë të dyshuar për korrupsion nga koalicioni qeverisës. Tani pak para arritjes së qëllimit final, BE shkeli frenat.

Por sistemi Dragnea kundërgodet. Duke përdorur madje retorikën e vjetër komuniste e nacional-populiste të epokës së Çausheskut – se kemi të bëjmë me një perëndim që është armiqësor ndaj Rumanisë e përzihet në punët e brendshme të vendit dhe sistematikisht prish imazhin e Rumanisë, me porosi të bërthamës së BE dhe qarqeve ndërkombëtare, përfshirë edhe George Sorosin. Kush kritikon Dragnean dhe pasuesit e tij sulmon vendin. Sepse sigurisht shteti janë politikanët e korruptuar apo të dyshuar për korrupsion.

Schwartz Robert Kommentarbild App

Në kursin e largimit nga Europa

Qeveria që ende ka një mazhorancë të rehatshme në parlament po shkatërron përmes retorikës nacional-populiste dhe armiqësore ndaj Europës, sulmeve agresive kundër drejtësisë e lirisë së medias konstruktin e brishtë të demokracisë rumune. Gazetarët, politikanët e opozitës dhe sidomos shoqëria civile kanë paralajmëruar nga hapat mbrapa të Rumanisë. Bashkimi Europian, shumë i zënë me veten, dhe Hungarinë e Poloninë, e ka kuptuar me vonesë: Rumania është në kthetrat e kleptokratëve, që po e largojnë vendin hap pas hapi nga BE.

Pikërisht ky vend, që në gjysmën e parë të vitit 2019 merr presidencën e radhës së BE. Klauzolat mbrojtëse që u integruan në marrëveshjen e anëtarësimit të Rumanisë, nuk mjaftojnë më si sfond kërcënues: Transformimi i shtetit ka kohë që ka filluar. Presidenti Iohannis dhe BE nuk e kapën momentin e duhur, për të pastruar vendin e aksidentit. Tani nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të bashkuar me forcat proeuropiane në vend të mënjanojnë një karambol masiv. Fjalët pa ekuivoke duhet të pasohen nga veprat. Ende nuk duket kështu. Por rreziku është i madh, që një aksident të kthehet në katastrofë me pasoja të rënda e afatgjata.