1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afrim - por jo më tepër

Andrey Gurkov10 Gusht 2016

Putini dhe Erdogan i dhanë fund e një epoke të ngrirjes politike, por për ndonjë aleancë strategjike mes dy vendeve nuk mund të flitet, mendon Andrey Gurkov.

https://p.dw.com/p/1Jf3O
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Guneev

Jo, kthesa e madhe kjo sigurisht që nuk ishte. Më shumë se tre orë biseduan në Shën Petersburg Vladimir Putini dhe i ftuari i tij turk Recep Tayyip Erdogan, dhe ajo që doli në fund, ishte çdo gjë tjetër, por jo një afrim spektakolar. Në konferencën e shtypit që pasoi dy presidentët u shprehën për fundin e një epoke të ngrirjes politike dhe qëllimin për të rikthyer përsëri marrëdhëniet ekonomike dypalëshe në nivelin ku ato ishin dikur.

Kjo nuk është epokale, por sigurisht një rezultat pozitiv, madje edhe nga perspektiva e evropianëve. Sepse as grindja plot konflikte të rënda, as lufta tregtare mes dy vendeve nuk ishin as në interes të BE-së, as të NATO-s.

Asnjë afrim për konfliktin në Siri

Por qëllimi për t'u kthyer në normalitet nuk mund të fshehë faktin se mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Ankarasë janë ende të mëdha. Kjo u bë e qartë më së voni në momentin kur të dy burrat e shtetit deklaruan se ata kishin përjashtuar posaçërisht temën e Sirisë nga negociatat zyrtare për ta diskutuar atë me qetësi pas konferencës së shtypit. Me anë të këtij marifeti të vogël të dy presidentët i kursyen pyetjet lidhur me pikëpamjet e tyre për të ardhmen e këtij vendi dhe të diktatorit sirian Assad, të cilin Putini e përkrah dhe Erdogani dëshiron ta përmbysë.

Andrey Gurkov
Andrey Gurkov

Dhe kur pikërisht ndërhyrja ushtarake ruse në konfliktin sirian ishte shkaku kryesor i acarimeve të fundit, pasi Forcat Ajrore Turke qëlluan në nëntor të vitit 2015 një avion bombardues rus. Fakti në Shën Peterburg nuk pati as edhe në fillesa një afrim në çështjen kyçe Sirinë, dëshmon se sa të brishta do të vazhdojnë të jenë marrëdhëniet mes të dy vendeve dhe krerëve të tyre me ambicie gjeopolitike.

Si lëndë shpërthyese për marrëdhëniet mund të jetë edhe konflikti për Nagorni-Karabahun, në të cilën turqit mbështesin të afërmit dhe partnerët e tyre, azerbajxhanasit, ndërsa Rusia është në një aleancë ushtarake me aleatinen historike Armeninë. Kjo temë as që u përmend në konferencën për shtyp.

Shumë deklarata për qëllime ekonomiko-politike

Në vend të këtyre të dy presidentët u përqendruan në çështjet ekonomike. Por edhe këtu pati një numër të dukshëm deklaratash të përgjithshme. Po, Rusia do të anulojë gradualisht sanksionet ekonomike, por se kur konkretisht fermerët turq do të lejohen të furnizojnë përsëri me fruta dhe perime tregun rus, mbeti e paqartë.

Me kalimin e kohës, tha Putini, edhe vala e turistëve rusë në Turqi (që ai e kishte ndaluar) do të arrijë nivelin e para krizës, por vetëm me kalimin e kohës. Po, Erdogani përsëriti nga ana e tij se gazsjellësi "Turkish Stream", që furnizon Turqinë perëndimore dhe BE-në me gaz rus, do të ndërtohet, por diçka më konkrete ai nuk donte ose nuk mund të thoshte.

Vetëm në lidhje me ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Turqisë Akuju (Akkuyu) duket se ka përparime të dukshme: Ankaraja rikonfirmoi gatishmërinë e saj për t'i dhënë këtij projekti miliardësh "sa më shpejt të jetë e mundur" statusin e një investimi strategjik duke siguruar në këtë mënyrë privilegje taksore afatgjata.

Bashkëpunimi ekonomik dhe politik ruso-turk po kthehet kështu gradualisht në rrugën e duhur, por për ndonjë aleancë strategjike mes dy vendeve, e cila mund të interpretohej gjithashtu si një sfidë për BE-në dhe në përgjithësi Perëndimin, nuk mund të flitet - përkohësisht të paktën. Gjithashtu jo për një miqësie të re mes Putinit dhe Erdoganit, edhe në qoftë se kreu i shtetit turk e quajti Putinin "mik i dashur". Putini nga e tij u përgjigj vetëm me formulimin diplomatik "i vlerësuar president".

Ne gëzohemi për mendimin tuaj për këtë koment. Na shkruani!