1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koha për një mision gjerman në Ngushticën e Hormuzit?

3 Shtator 2019

Si mund të garantohet siguria e anijeve ndërkombëtare të transportit në Ngushticën e Hormuzit - një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë? Ekspertët diskutojnë disa variante, por që të gjitha përmbajnë rreziqe.

https://p.dw.com/p/3OsRZ
Straße von Hormus Helikopter US-Navy MH-60S Seahawk
Helikopteri i marinës amerikane ngrihet nga aeroplanmbajtësja, USS John C.StennisFotografi: picture-alliance/Zuma/U.S. Navy

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare të botës është shumë e frekuentuar. Ajo shërben për ditë si një rrugë shumë e rëndësishme për prodhuesit e naftës në lindje të Gadishullit Arabik dhe klientëve të tyre. Por ky transport detar po bëhet i rrezikshëm, që pas disa akteve të sabotazhit kundër disa anijeve çisternë me naftë. Për këtë SHBA dhe Arabia Saudite bëjnë përgjegjës Iranin. Në një dokument të përgatitur për Shoqatën Gjermane të Politikës së Jashtme, DGAP politologët, Carlo Masala, Christian Mölling dhe Torben Schütz e ndajnë këtë qëndrim. "Në Ngushticën e Hormuzit, Irani rrezikon lirinë e lëvizjes detare", shkruajnë ekspertët. Gjermania, si edhe shtete të tjera kanë një interes të madh për zbatimin e parimit të lëvizjes së lirë detare.

Finnland Helsinki | Bundesaussenminister Heiko Maas trifft den britischen Aussenminister Dominic Raab
(Majtas) Ministri i Jashtëm britanik me homologun gjerman, Heiko MaasFotografi: Imago Images/photothek/T. Köhler

Debat në Helsinki

Të enjten e kaluar, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe u takuan në Helsinki për të diskutuar propozimin e një misioni vëzhgues europian në Ngushticën e Hormuzit. "Për këtë ka qëndrime të ndryshme", tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, por ai u tregua parimisht i hapur, "se tani duhet gjithçka që të çon në çtensionim". Kurse ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, deklaroi, se europianët "duhet të përballen me rreziqet në qarkullimin ndërkombëtar të anijeve në Ngushticën e Hormuzit." Britania e Madhe merr pjesë ndërkohë në një mision të drejtuar nga marina amerikane, që u jep mbrojtje ushtarake anijeve tregtare. Gjermania dhe anëtarë të tjerë të BE e refuzojnë këtë, sepse sipas tyre një mision i tillë i rrit tensionet në rajon.

Mision vëzhgues?

Në dokumentin e përgatitur për DGAP, politologët shkruajnë, se ka disa variante të një misioni. Ata flasin për mundësinë e një misioni mbrojtës apo të një misioni vëzhgues. Pavarësisht, se për çfarë misioni do të vendoset, për politologët është e qartë. "Gjermania duhet të jetë bashkëpjesëmarrëse dhe në rast nevoje drejtuese në një mision të tillë për të ruajtur rolin  që luan në diplomaci dhe mbrojtur interesat e saj."

Parimisht shtetet e BE do të ishin në gjendje të udhëhiqnin një mision të tillë, por kjo do të kërkonte 10-30% të kapaciteteve të transportit detar. Madje edhe një mision vëzhgues mund të japë kontribut në sigurimin e rrrugëve detare, thuhet në dokumentin e Shoqatës gjermane për Politikën e Jashtme. "Një mision vëzhgues ka si qëllim të veprojë në uljen e tensioneve, duke vëzhguar gjendjen në terren, duke dokumentuar shkeljet e ligjit dhe veprimet e palëve e duke ia bërë të ditura OKB-së dhe opinionit botëror."

Mision mbrojtës?

Një mision mbrojtës do të ishte më i fuqishëm. Ky do të kufizohej në mbrojtjen e anijeve të shteteve pjesëmarrëse dhe do të synonte lirinë e lëvizjes për të gjithë. Qëllimi kryesor do të ishte zbatimi i së drejtës detare. Por një mision i tillë mbart shumë rreziqe. Nëse gjërat shkojnë keq, atëherë mund të pasojë shkallëzimi i situatës, pranon Mölling në bisedë me Deutsche Wellen. Ky rrezik është prezent. "Megjithatë ne nuk mund të presim, që situata e tensionuar aktualisht të qetësohet vetiu. Nuk ka asnjë arsye për këtë."

Një mision mbrojtës duhet të marrë në konsideratë edhe shkallëzimin e situatës. "Kjo tingëllon e padurueshme për veshin gjerman", thotë Mölling. Por politikisht ky opcion nuk mund të përjashtohet. "Çështja është nëse dikush në qeverinë gjermane e merr përsipër përgjegjësinë politike për një propozim të tillë dhe e deklaron atë si të vlefshëm." Që kjo është e mundur, ka treguar e shkuara. "Kur Gjermania furnizoi me armë kurdët, që të luftonin për të mbrojtur veten, nuk pati ndonjë tronditje."

Mundësitë e diplomacisë

Ministria e Jashtme e Gjermanisë deri më tani e quan të mundur pjesëmarrjen në një mision detar vetëm të lidhur me një mision diplomatik. Sipas Mölling, BE e ka hapur rrugën për këtë. "Samiti i G7-s në Biarritz tregoi, që BE mund të bëjë propozime. Pikërisht këtë bëri presidenti Macron." Ai ka hapur një derë politike, por SHBA dhe Irani duhet ta kalojnë atë vetë. "Më shumë se të hapin një derë, nuk bëjnë dot europianët", thotë Mölling.

Sicherheitsexperte Christian Mölling
Eksperti i sigurisë, Christian MöllingFotografi: DW/H. Kiesel

Një flotë europiane nuk ka nevojë të jetë pjesë e një misioni amerikan, si ka kërkuar qeveria amerikane, shkruajnë autorët në analizën e tyre. Por edhe pa një koordinim me SHBA nuk bëhet, mendojnë ata. Edhe nëse flitet për një mision europian, ai duhet të jetë i fuqishëm. Ajo që duhet penguar është fenomeni që njihet si "paraliza e Srebrenicës" - pra të krijohet një situatë, në të cilën  (si në vitin 1995 në Luftën e Bosnjes) ku prezenca e trupave të OKB nuk e ndali masakrën ndaj civilëve. Duhet mënjanuar një mision vëzhgues, që nuk ka kompetencën të ndërhyjë në rast rreziku për jetën e detarëve të papërfshirë në konflikt. Ekspertët mendojnë, se "në vend të kësaj duhet një mandat, që të mundësojë edhe përdorimin e dhunës proporcionale, për mbrojtjen e të tretëve. Kjo i shërben edhe vetë mbrojtjes së misionit."