1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klauzola e BE-së zemëron izraelitët

wa/ml (afp, dpa) / Esat Ahmeti17 Korrik 2013

Kryeministri Netanjahu nuk është kursyer me fjalët e qarta: Izraeli nuk do të pranojë "diktatet nga jashtë" për kufijtë e tij, i shpjegoi ai BE-së. Atë e kanë zemëruar rregullat e reja për alokimin e fondeve të BE-së.

https://p.dw.com/p/199T6
Pamje simbolike
Pamje simbolike

Izraeli është inatosur keq: Bashkimi Evropian dëshiron të nënvizojë në mënyrë eksplicite në çfarëdo marrëveshje të ardhshme me shtetin e Izraelit, që fondet e BE-së nuk mund të përdoren për mbështetjen e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara palestineze. Në të ardhmen çdo marrëveshja midis BE-së dhe Izraelit do të përmbajë një klauzolë sipas të cilës ngulimet e tilla hebreje do të jenë të përjashtuara nga ndihmat financiare, bursat dhe programet e tjera të financimit, u njoftua në Bruksel.

Në këtë mënyrë të gjitha marrëveshjet e ardhshme do të vlejnë vetëm për Izraelin me kufijtë e vitit 1967 dhe jo edhe për rajonet e pushtuara në luftën gjashtëditore, sqaroi në Izrael David Kriss, zëdhënës i delegacionit të BE-së. Ky vendim nuk prek vetëm Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, por edhe Lartësitë Golan dhe Jeruzalemin Lindor, tha Kriss.

Në foto, Catherine Ashton
Në foto, Catherine AshtonFotografi: REUTERS

Vetëm një "sqarim"

Rregullat e reja për alokimin e fondeve të BE-së pritet të publikohen gjatë kësaj jave në Gazetën Zyrtare dhe do të jenë në fuqi nga viti 2014. Një zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për "një qasje të re" në politikën evropiane ndaj Izraelt, por më tepër për një "sqarim". Bashkimi Evropian i ka konsideruar gjithmonë vendbanimet në territoret e pushtuara si të paligjshme - dhe deri tani ato nuk janë mbështetur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu akuzoi evropianët se janë duke përcaktuar prioritete të gabuara. Ai pret nga ata që duan paqen dhe stabilitetin në rajon që fillimisht të trajtojnë çështje më të rëndësishme, të tilla si konflikti në Siri apo programi bërthamor i Iranit, tha kryeministri në mbrëmje (16.07.). Edhe Dani Daylan, zëdhënës i Lëvizjes së ngulimeve hebreje, nuk ka kursyer kritikat: Udhëzimet e "njëanshme dhe diskriminuese" të Brukselit nënkuptojnë se "Evropa ka vendosur të shkëputet nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme. Ne nuk mund të konsiderojmë më BE-në si të paanshme ose objektive."

Në foto, Benjamin Netanjahu
Në foto, Benjamin NetanjahuFotografi: AFP/Getty Images

Palestinezët, nga ana tjetër, përshëndetën vendimin e Komisionit të BE-së: Rregullat e përcaktuara janë "një hap shumë i rëndësishëm". Kështu BE-ja ka kaluar "nga niveli i dënimeve verbale në marrjen e vendimeve efektive që do të ndikojnë pozitivisht në shanset e paqes", tha Ashrawi Hanani, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestnës, PLO.