Shakaja e helmatisur e një komedianti
17 Shkurt 2022Emisioni aktual "Jimmy Carr – His Dark Material” në platformën online Netflix ka shkaktuar zemëratë dhe protesta këto ditë. Në të, komedianti britanik bën një "shaka" antihumane për Holokaustin: „Kur njerëzit flasin për Holokaustin, ata flasin për tragjedinë e gjashtë milionë hebrenjve të humbur nga makineria e luftës naziste", thotë Carr në një klip që është bërë viral në rrjetet sociale. Pas një pauze ai shton: "Por kur nuk flitet për mijëra 'ciganët' që u vranë nga nazistët. Askush nuk dëshiron të flasë për këtë - sepse askush nuk dëshiron të flasë për aspektet pozitive."
Që në fillim të shfaqjes, Jimmy Carr e paralajmëron audiencën e tij se disa nga batutat që do të bëjë mund t'i sjellin fundin karrierës së tij. Por e kundërta ndodh - ish-menaxheri i marketingut e di fare mirë se si mund t'i mbushë xhepat. Carr e përdor enkas shokun dhe provokimin për të tërhequr vëmendjen e medias.
Kryetari i Këshillit Qendror të Sintit dhe Romëve në Gjermani, Romani Rose, në një deklaratë me video e kritikon këtë mënyrë të paturpshme të përdorimit të mekanizmave të perceptimit publik.
Të bësh lojëra të tilla me vlerësimin e vrasjeve që kanë ndodhur në të vërtetë është një manipulim dinak i perceptimit tonë, tha Jovanoviç për DW: "Duke theksuar vrasjet e një grupi të vetëm - romëve - si 'pozitive', ai i relativizon vrasjet ndaj këtij grupi, duke sugjeruar që për të gjithë të tjerët ishte një gjë e mirë. Kjo është gjuhë urrejtjeje".
Jovanoviç: Satira godet lart e jo poshtë
Jovanoviç së fundmi është tërhequr nga karriera e tij si humorist. Ai e kuptoi se publiku dinte shumë pak për romët për të qenë në gjendje të bënte shaka me ta: "Unë e ndërpreva, sepse vura re se batutat për komunitetin tonë qesheshin rregullisht në vendet e gabuara. Njerëzit shpesh qeshnin mbi ne në vend që të qeshnin me ne."
Aktivisti i ka shkruar përvojat e tij në librin "Unë, një fëmijë i shumicës së vogël" së bashku me gazetaren Oyindamola Alashe, i cili do të prezantohet në mars 2022 në Teatrin Maxim Gorki të Berlinit.
Ai thotë se e kupton që njerëzit nuk shkojnë në shfaqje humoristike për të marrë edukim politik, por bën thirrje për më shumë diversitet në industri dhe në përmbajtjen e saj: "Komedia dhe satira mund të jenë një platformë për çështje sociale dhe politike në shoqërinë tonë. Skena duhet të jetë e vetëdijshme për çekuilibrin e fuqisë kur ata veprojnë dhe i njohin privilegjet e tyre. Satira e vërtetë gjithmonë shkon lart, asnjëherë poshtë."
"Glorifikimi i Holokaustit"
Edhe shumë politikanë reaguan pas komenteve të Carr-it, duke përfshirë kryeministrin britanik Boris Johnson: "Këto komente janë shumë shqetësuese dhe nuk është e pranueshme tallja me mizoritë e Holokaustit".Një peticion nga organizata bamirëse "The Traveller Movement" shoqatat e romëve kërkojnë të hiqet emisioni nga platforma e transmetimit "Netflix": "Ky nuk është asgjë më pak se një glorifikim i Holokaustit. Ne e kuptojmë se humori është subjektiv. Megjithatë, nëse ky humor është i padallueshëm nga pikëpamjet fashiste apo neo-naziste, atëherë është krejt e qartë se këtu është shkelur një vijë. "
Peticioni është nënshkruar nga rreth 20,000 vetë deri më tani. Ai i refererohet edhe një studimi që tregon se mbi 50 për qind e popullsisë angleze ka paragjykime negative për grupet e ndryshme rome në vend". Ndaj, shakaja e Carr-it kontribuon gjithsesi në "normalizimin” e diskriminimit dhe dhunës ndaj këtij komuniteti të margjinalizuar.
Organi drejtues i Përkujtimores së Ausshvicit i kërkoi Carr-it përmes Twitter-it të mësonte më shumë rreth fatit të romëve dhe sintit. "Është e trishtë, të dëgjosh fjalë që lëndojnë njerëzit dhe ndotin kujtimin e tragjedisë së tyre."