1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festa e Pashkëve ortodokse nën ngërçin e virusit Corona

18 Prill 2020

Në disa vende të Evropës Lindore dhe Juglindore kishat ditët e Pashkëve do të qëndrojnë të mbyllura. Në 2000 vitet e fundit ka pasur herë pas here periudha, kur të krishterët nuk kanë mundur të mblidheshin nëpër kisha.

https://p.dw.com/p/3b6VN

Në disa vende të Evropës Lindore dhe Juglindore kishat ditët e Pashkëve do të qëndrojnë të mbyllura, në disa të tjera jo. Për të mbrojtur popullatën nga virusi Corona presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç për shembull e ka zgjatur ndalim qarkullimin aktual në vend deri të martën në orën 5:00. Ai vendosi kështu kundër vullnetit të sinodit të kishës ortodokse serbe, e cila i kishte kërkuar presidentit, që të dielën e Pashkës (19.4.) ta hiqte orën policore nga ora 5 deri në 10, që t‘u jepej mundësia besimtarëve për të marrë pjesë në liturgjinë e Pashkës.

Por qeveria qëndroi e palëkundur. Ashtu si në vendet fqinje, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe Greqi, edhe në Serbi për Pashkë nuk do të mbahen mesha me besimtarë. Ekziston frika se virusi Corona mund të përhapet në kishat e mbushura. Autoritetet në Beograd tërheqin vemendjen, edhe se një peshkop ortodoks serb ka humbur jetën nga COVID-19.

Tradhëti ndaj Krishtit?

Ndryshe nga Patriarkana e Beogradit po veprojnë vëllezërit e besimit në Rusi. Patriarku ortodoks rus Kyrill u bëri që në fund të marsit thirrje besimtarëve që të mos shkojnë më në kishë. Në një predikim ai përmendi shembullin e Shën Marisë së Egjiptit, e cila jetoi në shekullin IV në shkretëtirë në lindje të lumit Jordan. Shumë vite ajo i kaloi atje si eremite, nuk shkoi në kishë për të marrë kungim dhe në fund u shpall e shenjtë për mënyrën e saj të jetesës. "Ju nuk e tradhëtoni Krishtin, nëse nuk shkoni në kishë, por e tradhëtoni Krishtin, nëse dikush sëmuret për shkakun tuaj", tha kryetari i zyrës së lidhjeve me jashtë i Patriarkanës së Moskës, Hilarion, në fillim të prillit. Kishat në Rusi do të qëndrojnë të mbyllura për grumbullime të mëdha gjatë ditëve të Pashkëve. Në Rusi dhe në Ukrainë thuhet se si pasojë e infektimit me virusin Corona kanë vdekur disa priftërinj dhe murgj.

Orthodoxes Ostergottesdienst in Russland
Festimet e Pashkëve në Rusi Fotografi: picture-alliance/TASS/M. Solunin

Edhe në Rumani kishat do të qëndrojnë të mbyllura. Për shkak të ndalim qarkullimit klerikët do ta festojnë liturgjinë e Pashkëve pa besimtarë.  Me kërkesë të besimtarëve drita e qirinjve të Pashkëve e ndezur në shërbesën fetare do të shpërndahet nga klerikë dhe vullnetarë – gjithmonë me maskë dhe doreza – shtëpi më shtëpi, nga banesa në banesë. Policia duhet të kujdeset për rendin dhe respektimin e masave mbrojtëse. Për këtë kanë rënë dakord në një protokoll të veçantë Ministria e Brendshme dhe Patriarkana. Është diskutuar edhe nëse buka tradicionale e Pashkëve mund të shpërndahet në pika të caktuara jashtë kishës. Presidenti i Rumanisë, Klaus Johannis, u shpreh kundër për shkak të rrezikut të lartë të infeksionit. Pas ndryshimit të fundit të protokollit tani edhe buka e Pashkëve do të shpërndahet shtëpit më shtëpi.

Çështje ekzistenciale

Ndryshe është në Gjeorgji. Atje duket se Patriarkana ka triumfuar mbi hezitimin e qeverisë: kishat e mëdha do të jenë të hapura edhe për grumbullime të mëdha njerëzish. Kjo edhe përkundër faktit se virusi Corona po përhapet gjithnjë e më shumë në vend, ku është infektuar edhe një prift. Megjithatë besimtarët duhet të respektojnë distancën prej dy metrash dhe në kishat e vogla lejohen vetëm klerikët.

Në Gjeorgji ka një ligj, që ndalon grumbullimin e më shumë se tre personave. Por kryeministri, Giorgi Gakharia, pranoi që kishat të lihen të hapura të dielën e Pashkëve. "Ne po flasim për një çështje ekzistenciale – për qeverinë dhe kishën", tha kryetari i qeverisë. Besimtarët duhet të tregojnë vetë përgjegjësi dhe kujdes për shëndetin e tyre. Kryeministri Gakharia bëri të ditur se ai do ta ndjekë meshën e Pashkëve në televizion – nga shtëpia".

Coronavirus Bulgarien orthodoxe Kirchen an Ostern geöffnet
Kishat orthodokse në Bullgari të hapura gjatë PashëveFotografi: BGNES

Edhe kisha orthodokse bullgare do t‘i lerë të hapura kishat gjatë festave. Ajo ka mundësuar mbajtjen e meshave para kishave në qiell të hapur. Njerëzit mund ta mbajnë aty distancën prej dy metrash. Por disa peshkopë u kanë bërë thirrje bisimtarëve, që të rrinë në shtëpi gjatë festave.

Të gjitha kishat ortodokse, pavarësisht nga njëra-tjera, e kanë refuzuar kërkesën e ekspertëve për të përdorur lugë njëpërdorimëshe për kungimin e shenjtë. Në ortodoksi është zakon, që të gjithë ta marrin kungimin nga një kupë dhe nga një lugë. Qëndrimi i sinodit të kishës ortodokse greke është këtu përfaqësues: "Kungimi nga e njëjta kupë, nga kupa e jetës nuk mund të transmetojë sëmundje." Kisha beson, se në eukaristi me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë buka dhe vera bëhen korpi (trupi) dhe gjaku i Krishtit. Shumë mjekë, jo vetëm në Greqi por edhe në vende të tjera, kanë tjetër mendim. Fundja virusi transmetohet përmës spërklave. Klerikët i referohen përmbajtjes së alkoolit në verë. Nëse kjo mjafton për të vrarë virusin, është e diskutueshme.

E vështirë të gjesh konsens

Se si duhet të veprojë kisha në kohën e virusit Corona, kjo është temë e nxehtë diskutimi jo vetëm ndër klerikët por edhe tek besimtarët. Për këtë tërheq vëmendjen Thomas Bremer, profesor i ekumenisë, studimeve për kishën lindore dhe kërkimeve të paqes në Universitetin e Münsterit.

"Ka besimtarë që thonë se autoritetet nuk duhen dëgjuar dhe se shërbimet fetare duhet mbajtur, ka të tjerë që duan të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore". Kjo vlen edhe për Kishën Katolike, thotë profesori Bremer për DW. Në disa kisha ortodokse gjërat vështirësohen edhe sepse patriarkët brenda kishës së tyre nuk kanë aq fuqi, siç ka Papa në kishën katolike romane. Patriarkët shpesh janë vetëm "peshkopi i parë", thotë profesori Bremer. Ata duhet të gjejnë një konsensus brenda sinodit. Kjo e ndërlikon procesin e marrjes së vendimeve.Peshkopi ortodoks-serbe Grigorije, në krye të rreth 800.000 besimtarëve në Gjermani, i përshëndeti masat paraprake, që ka marrë nga qeveria gjermane për të mbrojtur qytetarët e saj. Kishat, për të cilat ai është përgjegjës, mbeten të mbyllura. Në predikimin e tij për Pashkët ai do të flasë për "sakrificën”, që besimtarët duhet të bëjnë për të mbrojtur tjetrin dhe veten e tyre.