Kinematë gjermane
Stina e ftohtë erdhi, dhe bashkë me të koha për të shkuar në kinema. Galeria fotografike tregon një përzgjedhje të kinemave më të njohura në Gjermani.
Rihapet „Zoo Palast" i Berlinit
Shatërvani para shfaqjes, lozha me kamarierët në dispozicion dhe atmosfera e viteve 50-të: „Zoo Palast" i Berlinit konsiderohej dikur si kinemaja më luksoze e Gjermanisë. Në fillimet e kësaj kinemaje yjet e kinematografisë si Romy Schneider dhe Sophia Loren festonin sukseset e para të mëdha. Pas një periudhe 2 vjeçare restaurimi, "Zoo Palast" është rihapur.
Ylli i kohës së pasluftës
Kjo galeri nuk ka për temë filmin, por vendet ku shfaqet ai: ndërtesat të kinemave gjermane me rëndësi historike si dhe ato që dallohen me arkitekturën e tyre. Si për shembull “Lichtburg” në Esen. Në vitet 50‘ dhe 60‘ të shekullit të kaluar ajo njihej si kinemaja më e rëndësishme e premierave ne Gjermani.
Salla më e madhe
Lichtburgu ofron 1250 vende dhe në historinë e tij 85 vjeçare ka qenë shpesh herë vendi i premierave të mëdha gjermane. Në korrik 1951 u shfaq këtu për shembull filmi fantastiko-shkencor i SHBA-së “Destinacioni Hëna”(Destination Moon). Për ta plotësuar ndijesinë e përjetimit të këtij filmi, shikuesit u pritën në hyrje nga burra të veshur me kostume astronautësh.
Kompleksi i kinemasë në përmasa të mëdha
Përveç sallës më të madhe në Esen ndodhet gjithashtu edhe Kinemaja-Multiplex më e madhja në Gjermani. Ky kompleks kinemaje është ndër më të mëdhatë në Europë dhe ka 5370 vende në 16 salla të ndryshme. Çdo ditë me mijëra vizitorë shohin këtu filma me standardet e fjalës së fundit të teknikës. Para 115 vitesh gjithçka ishte krejt ndyshe. U kthehemi fillimeve…
Kinemaja më e vjetër
Për herë të parë imazhet filluan të lëviznin në vitin 1895: August dhe Louis Lumière prezentojnë në Paris filma të shkurtër, të cilat i xhironin me Kinematograf. Në "Panoptikum" në Mynih Carl Gabriel i shfaqi këto vepra që në vitin 1896. Më 24 Prill 1907 ai hapi në një shtëpi “Teatrin e imazheve të gjalla”. Deri më sot kjo kinema "Gabriel Filmtheater" është në funksion.
Ndërtesa më e vjetër e kinemasë
Në vitin 1902 sipërmarrësi Charles Pathé bleu të drejtat dhe patentat e vëllezërve Lumière duke e çuar përpara industializimin e kinemasë. U ngritën ndërtesat enkas për kinema. "Palast-Theater" ("Burg Theater" i sotshëm) ishte ndërtesa e parë, e cila u ndërtua për të funksionuar vetëm si kinema në vitin 1911 në qytetin Burg pranë Magdeburgut. Edhe sot aty shfaqen filma.
Kinemaja e premierave në ish-RDGJ
"Kino International" në Karl-Marx-Allee në Berlin, që sot është monument nën mbrojtje ishte skena e premierave më të rëndësishmë në ish-RDG. Aty ka pasur edhe shumë produksione të Agjencisë së Filmit Gjerman. Premiera e fundit ishte "Coming Out" nga Heiner Carows më 09 nëntor 1989, ishte pikërisht dita e rënies së murit të Berlinit.
Kinemaja më e lartë
Ajo bie në sy që së largu: Kinemaja "Hochhaus-Lichtspiele" në Hanover ndodhet në katin e 10. Spektatorëve para se të ulen në njërën nga 275 karriket në sallën e rrumbullakët në lartësinë prej 34 metrash u duhet ose të ngjisin 200 shkallë, ose thjeshtë të përdorin ashensorin. Nën kupolë gjendej një planetarium, i cili u shkatërrua në Luftën e Dytë Botërore.
Kinemaja e rrumbullakët
Në vitin 1972 hapet në qendrën e Dresdenit kinemaja e rrumbullakët "Rundkino". Ajo njihet si dëshmia më e rëndësishme arkitekturës moderne të pas Luftës. Estetika e ndërtesës cilindrike, e cila Wshtë monument nën mbrojtje që prej vitit 2003, të krijon idenë e një disku fluturues. Salla e madhe ka një kapacitet prej 898 vendesh dhe ka perden më të madhe të projeksionit në Saksoni.
Kinemaja e parë me program të përzgjedhur
"Cinema im Ostertor” e themeluar më 7.11.1969 në Bremen është kinemaja e parë në Gjermani, ku themeluesi me shumë vetëdije ka vendosur të mos shfaqë filma të shtrenjtë blockbuster, por filma të nivelit të lartë artistik. Ideja ka rezultuar e suksesshme! Kinemaja e vogël, por e vlefshme, që ofron vetëm 134 vende është shpërblyer shpesh me “Çmimin për Programin e Kinemasë” nga qeveria federale.