1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina: Nuk përjashtohet një marrje me forcë e Tajvanit

11 Gusht 2022

Që nga java e kaluar, Kina ka tendosur ushtarakisht muskujt kundër Tajvanit. Udhëheqësit e Pekinit sapo kanë fiksuar me shkrim rolin që mund të luajnë mjetet ushtarake në një pushtim të mundshëm të Tajvanit.

https://p.dw.com/p/4FO4C

Në një dokument të ri bazë për Tajvanin, qeveria kineze ripohoi synimin për të imponuar me forcë pretendimin e saj mbi ishullin po të jetë e nevojshme. Kina do të bëjë gjithmonë përpjekje të mëdha për të arritur ribashkimin paqësor me Tajvanin, thuhet në të. "Por ne nuk do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe rezervojmë të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme”. Përdorimi i forcës do të ishte "në rrethana imperative" "zgjidhja e fundit".

Asnjë ndërhyrje e huaj nuk do të tolerohet në Tajvan, kanë thënë udhëheqësit kinezë. "Ne do të mposhtim çdo përpjekje për të përçarë vendin tonë," shtuan ata. "Qëllimi historik i ribashkimit të atdheut tonë duhet dhe do të arrihet”. Në rast të ribashkimit me Republikën Popullore, dokumenti bazë premton përparim ekonomik në Tajvan. Ishulli do të përfitonte gjithashtu nga "rritja e sigurisë dhe dinjitetit". Hera e fundit që Kina publikoi një dokument bazë për Tajvanin ishte në vitin 2000.

Tensionet e fundit u ndezën javën e kaluar nga një vizitë e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, e cila udhëtoi në Taipe pavarësisht nga kundërshtimi i Pekinit. Udhëheqësit kinezë kundërshtojnë kontakte të tilla zyrtare nga vendet e tjera me Tajvanin, pasi ata e konsiderojnë ishullin si pjesë të Republikës Popullore. Në të kundërt, Tajvani e ka konsideruar veten prej kohësh të pavarur. Që nga vizita e zonjës Pelosi, Ushtria Çlirimtare Popullore ka ushtruar në manovra të vazhdueshme jo vetëm një bllokadë detare dhe ajrore, por edhe një pushtim të mundshëm të ishullit. Nga ana e tij, Tajvani zhvilloi të martën një stërvitje ushtarake prej gati një ore për t'u mbrojtur nga një sulm i mundshëm.

Stervitje e ushtrise tajvaneze
Fotografi: Annabelle Chih/Getty Images

Ministri i Jashtëm Tajvanez Joseph Wu: Kina dëshiron të dobësojë moralin tajvanez

Pelosi mbrojti udhëtimin e saj. "Ajo që kinezët bëjnë tani është ajo që bëjnë gjithmonë," tha ajo, duke iu referuar manovrave ushtarake në ngushticën e Tajvanit. Demokratja tha se mori "mbështetje të madhe nga të gjitha partitë" për vizitën e saj.

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu akuzoi Kinën se "përgatitet për një pushtim të Tajvanit". Vizita e Pelosit do të ishte vetëm një pretekst për Pekinin. Synimi i vërtetë i Kinës është "të ndryshojë statuskuonë në ngushticën e Tajvanit dhe në të gjithë rajonin", vazhdoi Wu. Bëhen presionet ekonomike për të dobësuar moralin publik në Tajvan".

Ndërkohë, Kina i ka shpallur të përfunduara manovrat ushtarake pranë Tajvanit. Megjithatë, për të ardhmen janë planifikuar "patrullime të rregullta”. Stërvitja ushtarake dhe përgatitjet e tjera do të vazhdojnë gjithashtu. Ushtria "do të ruajë me vendosmëri" sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, u tha.

aud (bri,as, dpa, afp, rtr)