1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina dhe Rruga e Re e Mëndafshit - një grackë borxhesh?

22 Prill 2018

Investime të fuqishme. Kina po kërkon rrugë të reja tregtie përmes Rrugës së Re të Mëndafshit. Shumë vende përfitojnë nga planet kineze, por disa kërcënohen nga varësia ekonomike.

https://p.dw.com/p/2wRFe
BRICS Gipfel in Xiamen China 2017
Fotografi: picture alliance/ZUMAPRESS.com

Projekti mban emrin Rruga e Re e Mëndafshit, në anglisht e njohur si "One Belt one Road". Sido ta quash, bëhet fjalë për një projekt gjigand: itineraret e Rrugës së Mëndafshit të çojnë përmes 60 vendeve në Azi, Europë e Afrikë. Po kaq të mëdha janë edhe investimet. Rreth 1000 miliardë dollarë do të investohen në ndërtimin e rrugëve, porteve dhe centraleve energjitike. Projekti financohet nga një fond i posaçëm i krijuar enkas nga qeveria kineze dhe Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve, një bankë multilaterale zhvillimi, e krijuar me iniciativë të Kinës dhe që aktualisht ka 61 vende anëtare.

Situatë win-win- të gjithë fitojnë?

Kina e trumbeton projektin si projekt për rrugë të reja dhe infrastrukturë në vendet e pazhvilluara, si edhe me financim të sigurtë- një projekt ku të gjithë fitojnë. Por ka edhe kritika. Europianët për shembull kritikojnë, faktin që firmat e tyre nuk merren në konsideratë në tenderat për projektet e infrastrukturës. Kina e lidh miratimin për kredi me kushtin që ndërtimi i projektit të kryhet nga firmat kineze. "Këto firma punësojnë pastaj kinezë, aq sa munden blejnë lëndë të parë kineze apo elementë të tjerë", thotë Thomas Eder nga Instituti „Berliner Mercator Institute for China Studies" (Merics). Pasoja: Në vendet aziatike dhe afrikane të Rrugës së Re të Mëndafshit ka rënë pjesa e europianëve në tregti dhe investime, thotë Eder për Deutsche Wellen.

Varësi përmes zhytjes në borxhe

Ungarn China-Mittel-Ost-Europa-Gipfel
Fotografi: Reuters/L. Balogh

Një tjetër pikë kritike për projektin gjigand lidhet me vendet e varfra, që duan të përmirësojnë e zgjerojnë infrastrukturën e tyre me ndihma kineze. Për këto projekte ndërtimi ato futen thellë në borxhe, dhe bëhen kështu ekonomikisht të varura, sipas një studimi të Qendrës për Zhvillimin Global „Center for Global Development" në Uashington. Në këtë listë renditen tetë vende që rrezikohen më shumë: Pakistani, Taxhikistani, Kirgizia, Mongolia, Laosi dhe Maledivet. Ndërsa në Europë më i rrezikuari shihet Mali i Zi, në Afrikë, Xhibuti. Që nga koha kur këto vende janë pjesë e Rrugës së Re të Mëndafshit është rritur ndjeshëm borxhi i tyre publik, Kina ka dhënë një pjesë të madhe të kredive.

Shembulli i Pakistanit

Korridori ekonomik pakistanezo-kinez shihet si projekt shembullor i rrugës së re. Ai përfshin 3000 kilometra rrjet rrugësh dhe hekurudhash, gazsjellës dhe centrale eenrgjitike që shtrihen nga Kina deri në brigjet pakistaneze. Qendra për Zhvillimin Global e vlerëson vëllimin e investimeve në 62 miliardë dollarë. 80% e fondeve vijnë nga Kina. Ky vend kërkon 5% normë interesi.

Projekte kaq gjigande bëjnë që në vendet aziatike, por „sidomos në Pakistan" të thellohen problemet aktuale të qeverisjes, „sidomos në drejtim të detyrimit ekonomik dhe korrupsionit", thuhet në një studim të përbashkët të Institutit të Stokholmit për Paqen Ndërkombëtare dhe fondacionit gjerman, Friedrich Ebert. Të dyja vendet përfitojnë nga projekti, -Kina krijon lidhje me burimet arabe të naftës, Pakistani synon hov ekonomik dhe vende pune. Por nëse ekonomia e Pakistanit nuk ecën përpara, për shkak të rritjes së borxheve ky vend mund të ketë probleme serioze.

Shembull i Greqisë

Në Europë ka disa vende që janë në fokus të Kinës. Nga këto vende Kina dëshiron akces në tregun europian. Greqia për shembull është parë „si porta e Kinës në Europë", këtë e tha presidenti kinez, Li Keqiang në vitin 2014. Më shumë se 7 miliardë euro ka investuar Kina ndërkohë në Greqi. Projekti më i rëndësishëm konsiderohet ai i marrjes së portit të Pireut nga firma kineze e anijeve, Cosco. Kjo firmë kërkon ta zgjerojë portin e Pireut në portin më të madh në Detin Mesdhe. Faktikisht transporti në këtë port është rritur falë furnizimeve nga Kina. Rreth e rrotull portit janë ngritur qendra logjistike dhe magazina gjigande e me këtë edhe vende pune për Greqinë e goditur nga kriza.

Të dyja palët theksojnë edhe aspektet kulturore dhe ekonomike dhe i nxisin firmat e autoritetet të bëhen aktivë në këtë drejtim. Kështu në vitin 2017, Muzeu Kombëtar i Mëdafshit në Kinë dhe fondacioni kulturor i Bankës greke të Pireut nënshkruan një marrëveshje me synim nxitjen e shkëmbimit kulturor.

Shembulli i Serbisë

BRICS Gipfel Putin bei der Plenarsitzung
Fotografi: picture-alliance/dpa/POOL Reuters/T. Siu

Serbia është zyrtarisht kandidate e BE-së. Një urë mbi Danub konsiderohet në këtë vend si investimi më i madh kinez. Kostoja e përgjithshme prej 170 miliardë eurosh u financua më shumti, 145 milionë nga një kredi e Bankës kineze, Exim. Edhe ndërtimin e ka marrë përsipër një firmë kineze. Ura është vetëm hapja e siparit për një seri projektesh. Për rreth 1,6 miliardë euro dy firma kineze, „"China Railways International" dhe "China Construction Company" do të ndërtojnë një linjë hekurudhore të shpejtësisë së lartë mes Beogradit dhe Budapestit. Që tani dy krerët e shteteve, Vuçiç në Serbi dhe Orban në Hungari mburren me projektin që pritet të mbyllet në vitin 2023.

Jo vetëm qëllime ekonomike

Megjithë rreziqet, investimet kineze janë shumë të mirëpritura në shumë vende, sepse ato premtojnë një hov ekonomik. Kësaj i shtohet fakti, që Kina nuk i lidh investimet ekonomike me kërkesa politike. Megjithatë Kina me Rrugën e Re të Mëdafshit nuk ndjek vetëm qëllime ekonomike dhe tregtare, por kërkon edhe ndikim politik, sipas një studimi të fondacionit gjerman, Friedrich Ebert. Europianët do të bënin mirë që të zhvillonin vizionet e tyre strategjike, dhe të reagojnë si duhet ndaj këtij projekti të madh, shkruajnë ekspertët. Por për momentin nuk ka asnjë plan për strategji të tilla. „Për momentin, Brukseli nuk flet me një zë dhe nuk ka asnjë përgjigje strategjike", thuhet në studim.

 

Autorë: Andreas Becker, me Rodion Ebbinghausen, JiannisPapadimitriou, Nemanja Rujevic