KFOR: Nuk dihet ku ishin policët kosovarë para arrestimit
17 Qershor 2023Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë KFOR ka deklaruar, se nuk është e qartë, se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit të tyre nga forcat serbe. Autoritetet e Kosovës pretendojnë se policët janë arrestuar thellë brenda territorit të vendit, ndërsa, autoritet e Beogradit, thonë se policët kosovarë kanë qenë thellë në territorin e tyre. Forcat paqeruajtëse, të cilat theksuan se janë në komunikim me të gjitha palët, nuk e dinë akoma me saktësi se ku ndodheshin policët në momentin e arrestimit.
KFOR: Situata mbetet e paqartë
"Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit", thuhet në një komunikatë të KFOR-it, dërguar mediave. Forcat paqeruajtëse u bëjnë thirrje të dyja palëve "që t'i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga retorika provokuese".
"Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë policinë kufitare dhe KFOR-it. Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës, FSK në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it", thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës të NATO-os në Kosovë. KFOR-i kërkoi, po ashtu, nga Kosova dhe Serbia që të shmangin çdo veprim të njëanshëm, që mund t'i përshkallëzojë tensionet në veri.
KFOR mbështet dialogun e BE-së
"KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", thekson misioni i KFOR-it. Ky mision në territorin e Kosovës funksionon mbi bazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës. Tre policët kosovar që u arrestuan nga policia e Serbisë, të premten dolën para një gjykate në Kralevë, qytet ky në jug të Serbisë, dhe atyre ju vazhdua paraburgimi edhe për 30 ditë duke urdhëruar hetime. Sipas prokurorisë serbe, tre policët kosovarë dyshohet se kanë kryer veprën penale: "prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila mund të rezultojë në dënimin deri në 12 vjet burg”.
Prishtina akuzon Beogradin për keqmbajtje të policëve
Prishtina zyrtare nga ana e saj, tha se tre policët e Kosovës po mbahen në Serbi në kushte ‘ҫnjerëzore’. Zëvendësministri i punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se “në bazë të informatave që ka, policët po mbahen pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor".
Reagime ndërkombëtare pas tensionimit të situatës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkaq, kërkuan lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të arrestuar nga forcat serbe. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha në një konferencë për medie se "ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi". Zëdhënësi Miller, tha gjithashtu se të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja. "Si pjesë e kësaj, kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë", tha zëdhënësi Miller, duke dënuar gjithashtu dhunën e protestuesve serb ndaj forcave të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.
Edhe ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analenna Baerbock, u ka bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të çshkallëzojnë situatën e krijuar kohët e fundit në zonën kufitare mes dy vendeve. "Ne kërkojmë nga të dyja palët që të bëjnë menjëherë ç‘është e mundur për të çshkallëzuar situatën. Një nga hapat e para është lirimi i menjëhershëm i policëve nga Kosova”, tha Baerbock pas një takimi në Berlin homologun e saj nga Bosnja-e Hercegovina, Dino Konakovic. Shefja e diplomacisë gjermane, tha më tej se "qeveritë këtë duhet ta bëjnë për qytetarët e tyre. "Nuk është një detyrim ndaj Brukselit apo Berlinit, por ndaj njerëzve në të dy vendet”, tha Baerbock.
Lirimin pa kushte të tre policëve kosovarë që po mbahen nga autoritetet serbe, e kërkoi edhe qeveria e Britanisë së Madhe, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për përmbajtje. "Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të arrestuar më 14 qershor. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen maksimalisht, të evitojnë masat e njëanshme dhe të marrin veprime të menjëhershme për ç'tensionim.
Escobar: Kosova po krijon kushte të vështira
I ashpër në reagimin e tij për situatën e krijuar në veri të Kosovës në javët e fundit ishte të premten i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ende po punohet në planin tre pikësh evropian për të ҫ’tensionuar situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij “po krijon kushte të vështira për tërë rajonin”. Ai tha se “asnjë vend ose udhëheqës nuk mund të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal”, dhe se ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja.
Sipas Escobar tensionet nuk janë duke rënduar situatën vetëm në Kosovë dhe Serbi, por në tërë rajonin. "Ne besojmë se policia speciale duhet të tërhiqet nga ndërtesat e komunave dhe kryetarët të punojnë nga vende të tjera. Ne besojmë se protestuesit duhet të largohen nga rrugët. Ne besojmë se kushdo që ka kryer veprime të dhunshme kundër KFOR-it apo policisë së Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi. Ne besojmë se zgjedhjet e parakohshme me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve duhet të zhvillohen sa më shpejt”, tha emisari amerikan Gabriel Escobar.
Për uljen e tensione të larta Kosovë-Serbi sidomos javën e fundit, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se "do t'i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave”. Ndërsa i dërguari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, tha se "palët nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve”.