Ukrania pranë statusit të menjëhershëm të kandidatit për BE
17 Qershor 2022Krerët e shteteve dhe të qeverive të Gjermanisë, të Francës, të Italisë dhe të Rumanisë u shprehën në Kiev në favor të dhënies së statusit të menjëhershëm të kandidatit për në BE-në Ukrainës dhe republikës fqinje të Moldavisë. Kancelari Federal Olaf Scholz theksoi: "Ukraina është pjesë e familjes evropiane".
Komisioni i BE-së dëshiron të paraqesë sot (17.06) rekomandimin për dhënien e statusit të menjëhershëm të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por vendimi për këtë duhet të merret njëzëri dhe kjo mund të ndodhë ndoshta në samitin e javës së ardhshme në Bruksel.
Kritere të qarta
Megjithatë pranimi në Bashkimin Evropian lidhet me "kritere të qarta" të cilat "duhet të respektohen nga të gjithë". Ndër to bëjnë pjesë demokracia dhe sundimi i ligjit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, theksoi se statusi i kandidatit duhet të shoqërohet me një udhërrëfyes konkret dhe në këtë mes duhet të merren parasysh edhe dëshirat për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, tha në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelarin Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin italian, Mario Draghi, dhe presidentin rumun, Klaus Iohannis: "Vendi ynë është i gatshëm të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t'u bërë një anëtar i plotë i BE-së". Statusi kandidat për anëtarësim në BE është një "mundësi historike" për të forcuar stabilitetin evropian.
Evropa përkrah Ukrainës deri në fitore
Por ndërsa lidhur me statusin e kandidatit për Ukrainën kancelari ishte i qartë, ai nuk u shpreh qartë lidhur me kërkesat e Ukrainës për tanke dhe armë gjermane. Në konferencën për shtyp Olaf Scholzi nuk premtoi furnizime të reja me armë, megjithëse nevoja për to në Ukrainë po rritet çdo ditë për shkak të luftimeve të ashpra në Donbas. Kancelari përsëriti zotimet e mëparshme për tanke Gepard dhe raketa, por nuk përmendi afate për dërgimin e tyre. Edhe presidenti francez Macron premtoi se do të dërgojë sërish raketa, por asgjë më shumë.