1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Karnavalet në Gjermani: Dita e grave të azdisura

Silke Wünsch4 Shkurt 2016

Pas ngjarjeve të Këlnit ditën e vitit të ri, lojërat erotiko-gazmore të karnavaleve marrin një shije jo më aq të këndshëme për gratë.

https://p.dw.com/p/1HpTn
Deutschland Karneval in Köln
Fotografi: imago/R. Peters

Fiks në orën 11:11 në zonat ku festohen karnavalet në Gjermani sot shënohet e enjtja e grave, ose dita e grave të azdisura. Në këtë ditë kontakti i ngushtë trupor me njerëz që nuk i njeh, është pjesë përbërese e Karnavaleve sikurse edhe muzika dhe birra. Njerëzit përqafohen dhe puthen, ose fërkojnë prapanicat me njëri-tjerin. Por pas ngjarjeve të Këlnit ditën e vitit të ri, lojëra të tilla erotiko-gazmore kanë marrë një shije jo më aq të këndshëme për gratë.

Për këtë shkak qyteti i Këlnit që është epiqendra e karnavaleve do të angazhojë këtë vit dy herë më tepër policë se vitet e mëparshme. Policia do të ndërhyjë me forcë, sidomos në rastet e atyre burrave që nuk e pranojnë kur një femër i refuzon. Edhe në Bon dhe në Dyseldorf, do të ketë prani më të madhe policie. Po ashtu shoqatat e karnavalistëve kanë organizuar mbrëmje informative për refugjatët për t'i informuar ata për zakonet e kësaj feste. Kudo janë shpërndarë edhe fletëpalosje në 7 gjuhë me informacionet përkatëse.

Deutschland, Karneval in Köln
Fotografi: picture alliance/R. Goldmann

Dita kur edhe murgeshat lejoheshin të pinin alkoohol

Që në Mesjetë zonjat e shoqërisë së lartë kishin të drejtë që në këtë ditë të lëshoheshin nga zinxhirët dhe të festonin si t'u donte qejfi. Në shekullin e 18-të një ditë të tillë përjashtimore e lejonin edhe disa manastire, ku murgeshave u lejohej të hanin e të pinin sa të donin dhe madje edhe të luanin kumar apo të kërcenin valle deri në mëngjes. Tradita e festës së grave të azdisura si festohet sot, nisi në shekullin XIX, kur rrobalarëset e Beuel, pranë Bonit, vendosën që në këtë ditë të mos lanin, por të mblidheshin në një pijetore dhe të shanin burrat, që vetë shkonin të festonin dhe i linin gratë në shtëpi.

Deutschland, Weiberfastnacht in Bad Rodach
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Ebener

Prerja e kravatave!

Në vitin 1824 gratë organizuan madje një komitet dhe sulmuan bashkinë e Beuelit, për ta marrë vetë një ditë në vit pushtetin në dorë. Kjo simboliskiht demonstrohet edhe me prerjen e kravatave të burrave, që konsiderohet si shenjë e pushtetit të burrave. Por çdo burri që i pret kravatën gruaja duhet t'i japë një të puthur. Ky zakon filloi të përhapej me shpejtësi në të gjithë zonën.

Megjithë ngjarjet e natës së Vitit të Ri, edhe këtë vit gratë nuk duan të heqin dorë nga festimet e kësaj dite. Gratë e Komitetit të Karnavaleve besojnë se forcat e rendit do të bëjnë punën e tyre. Por jo të gjithë kanë kaq shumë besim. Një nga gjimnazet femërore të Këlnit, që gjendet afër stacionit qendror të trenit, do të qëndrojë i mbyllur ditën e së Enjtes së Grave, në mënyrë që nxënëset të mos bien në situata të pakëndëshme.