1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

La Liga spanjolle synon suksesin e madh në Azi

18 Gusht 2022

Ligat evropiane të futbollit po e shikojnë Azinë si një treg të madh potencial transmetimi. La Liga po përballet me Premier League të Britanisë, e cila ka një histori më të gjatë në rajon.

https://p.dw.com/p/4FgTh
Spanien Fußball I Real Madrid feiert  Liga-Titel
Fotografi: Bernat Armangue/AP/picture alliance

Ndërsa ndeshjet e ligës kryesore të futbollit në Spanjë fundjavën e kaluar për herë të parë mund të ndiqeshin nga shikuesit në Kinë përmes një shërbimi të ri transmetimi. La Liga, organizata që drejton dy ligat profesionale të Spanjës, është e para nga ligat kryesore të futbollit evropian që ka prezantuar një opsion direkt te konsumatori (DTC) në Kinë.

Si pjesë e një partneriteti gjashtëvjeçar me Streamline Media Technology me bazë në Pekin, La Liga Plus do t'i lejojë shikuesit kinezë të shikojnë çdo ndeshje të La Liga Santander dhe La Liga Smartbank, ligat e nivelit të parë dhe të dytë të Spanjës.

Pjesa më e madhe e transmetimit do të jetë falas, edhe pse lojërat më të mira të sezonit do të shiten pay-per-view. "Kina është një treg i madh futbolli dhe ne synojmë të arrijmë të gjithë tifozët e futbollit, jo vetëm të motivuar nga mundësitë e biznesit, por edhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit në nivel lokal në një vend me rëndësi, madhësi dhe ndikim të tillë si Kina," tha për DW, drejtori menaxhues i La Ligës në Kinë, Sergi Torrents.

 A mund të fitojë futbolli evropian ndaj tifozëve aziatikë?

La Liga është e angazhuar në një fushatë agresive për të tërhequr tifozët në Azi, një nga rajonet më fitimprurëse në botë për futbollin. Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave Kineze, industria e sportit në Kinë, nga e cila futbolli merr pjesën më të madhe, mendohet të ketë vlerë rreth 295 miliardë dollarë (291 miliardë euro) në vitin 2016, e cila pritet të rritet në më shumë se 800 miliardë dollarë deri në vitin 2025.

Spanien Fußball La Liga | Carlo Ancelotti, Trainer Real Madrid | Jubel Meisterschaft
Carlo Ancelotti festohet nga ekipi Real Madrid, 30 prill 2022Fotografi: Bernat Armangue/AP Photo/picture alliance

Sipas Raportit Botëror të Futbollit 2022 nga Nielsen Sports, një firmë lider analitike, rreth 40% e të anketuarve kinezë thanë se ishin të interesuar për futbollin, krahasuar me 75% në Vietnam dhe 69% në Indonezi. Ai vlerëson se ka 124 milionë tifozë futbolli në të gjashtë vendet e Azisë Juglindore që mbulon: Indonezinë, Malajzinë, Filipinet, Singaporin, Tajlandën dhe Vietnamin.

"Për shumë klube evropiane të futbollit, tifozët aziatikë janë parë prej kohësh si potencial mjaft fitimprurës,” tha për DW Simon Chadwick, profesor i Ekonomisë Sportive dhe Gjeopolitike në Shkollën e Biznesit SKEMA në Paris. Kapja e "tifozit aziatik" luajti një rol të madh në përpjekjen e klubeve më të mëdha të Evropës për të formuar një Super Ligë vitin e kaluar. Plani u shty shpejt pas protestave të përhapura se kjo do të shkatërronte ligat vendase në Evropë.

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i cili ishte në krye të planit të biznesit për Superligën, ishte i qartë për nevojën për të tërhequr më shumë të ardhura nga Azia. "Televizioni paguan: ne, klubet e mëdha, kemi tifozë në Singapor dhe Kinë, kudo… Kjo është ajo që gjeneron para”, tha ai në prill 2021.

Klubet evropiane të futbollit konkurrojnë për shikuesit

Një problem për La Ligën është se ajo po luan me rivalët evropianë, përkatësisht Premier Leaguen angleze (EPL), e cila ka një histori shumë më të gjatë në rajon, thonë analistët.

Sipas Indeksit më të fundit të Performancës Digjitale të Kinës, të prodhuar çdo vit nga Mailman, agjencia digjitale e sportit, EPL vjen e para për tifozët kinezë në mediat sociale, e ndjekur jo me shumë distancë nga La Liga. Për të konkurruar, oraret e përzgjedhura të fillimit të La Ligës në Spanjë janë ndryshuar për t'iu përshtatur më mirë zonave kohore aziatike.

Nisja e transmetimeve të reja DTV në Kinë, si dhe në Tajlandë dhe Indonezi në fillim të këtij viti, ka lejuar futbollin spanjoll të kujdeset për zakonet më të fundit të shikuesve, ndërsa ligat e tjera evropiane ende transmetohen në televizionin satelitor në pjesën më të madhe të Azisë. Barcelona, një nga dy skuadrat dominuese të Spanjës, ka hapur akademi sportive në Azi, duke përfshirë katër në Japoni dhe dy në Kinë. Ish-sponsorizuesi i fanellave të saj, Rakuten, është i vendosur në Japoni. Valencia FC, një tjetër klub në futbollin spanjoll të ligës kryesore, është në pronësi të manjatit të Singaporit Peter Lim që nga viti 2014.

Skuadrat spanjolle Barcelona dhe Real Madrid u renditën në vendin e parë dhe të pestë për ndjekësit e mediave sociale dhe angazhimin në Indeksin e lartpërmendur të performancës digjitale të Kinës. Për të tretin vit radhazi, Barcelona kishte më shumë tifozë në Weibo dhe Douyin, dy nga platformat më të mëdha të mediave sociale të Kinës, se çdo ekip tjetër evropian.

Spanien Camp Nou | FC Barcelona vs Real Madrid
Fotografi: Oscar J. Barroso/ZUMA Wire/IMAGO

Si mund të ketë sukses futbolli evropian në Azi?

"Nuk ka dyshim se për shumë njerëz në Azi, La Liga e Spanjës mbetet një propozim bindës”, tha Chadwick. "Prandaj, ajo ka një potencial të konsiderueshëm tregtar, të cilin menaxhimi strategjik më aktiv do ta ndihmojë për ta çliruar."

Të dhënat janë çelësi i suksesit, shtoi ai. Shumë liga dhe klube evropiane "duket se po marrin vendime aktuale në lidhje me Azinë në bazë të inteligjencës së tregut para pandemisë. Mendimi im është se preferencat dhe sjelljet e konsumatorëve në të gjithë Azinë kanë ndryshuar dhe po vazhdojnë të ndryshojnë."

Drejtori i La Liga China Torrents tha, se "deri më tani, ne nuk kishim aftësinë t'i kishim këto të dhëna dhe informacione sepse marrëveshjet tona ishin me transmetues të etabluar dhe si mbajtës i së drejtës nuk kishim as kontroll dhe as shikueshmëri".

Që nga viti 2019, La Liga ka përdorur ofruesin e vet të përmbajtjes. "La Liga Plus është në qendër të strategjisë sonë në Kinë”, tha Torrents. "Ne po investojmë shumë në teknologji dhe inovacion në Kinë për të krijuar një ekosistem digjital, në të cilin mund të ofrojmë përvoja të reja për tifozët tanë, ndërkohë që jemi gjithashtu në gjendje të aksesojmë informacionin dhe të mësojmë për nevojat dhe shijet e tifozëve tanë."

Fussball l Barcelona vs Real Madrid l 4:1
Fotografi: Reuters/A. Gea

Meqenëse La Liga Plus është një platformë DTC, ajo gjithashtu do t'u sigurojë operatorëve të ligës spanjolle të dhëna në kohë reale mbi zakonet e shikuesve kinezë. "Ne prezantuam La Liga Plus disa ditë më parë dhe përgjigja ka qenë shumë pozitive dhe me numra të lartë regjistrimi, megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm se sapo kemi nisur dhe jemi pionierë në Kinë dhe ka një rrugë të gjatë përpara”, tha Torrents.

Një skemë e ngjashme u lançua në Azinë Juglindore në fillim të këtij viti. Në prill, shikuesit në Tajlandë dhe Indonezi u bënë të parët në botë që patën akses në La Liga Pass, ngjashëm me La Liga Plus, i cili lejon shikuesit vendas të shikojnë të gjitha ndeshjet e La Ligës.

"La Liga Pass është një projekt ambicioz, të cilin ne duam që ai të bëhet një nga mënyrat kryesore për të parë La Ligën së bashku me transmetuesin tonë," tha Ivan Codina, drejtori menaxhues i La Liga për Azinë Juglindore, Australi, Japoni dhe Korenë e Jugut. La Liga hapi zyrën e saj në Singapor në vitin 2017. "Deri më tani, reagimet nga tifozët kanë qenë pozitive”, shtoi ai.