Azilkërkuesit e dëbuar nga Gjermania në Serbi
10 Mars 2023"Në qendrën për azil në Gjermani gjetëm një turmë njerëzish, kishte shumë sirianë. Ne ishim në këtë qendër për gjashtë muaj dhe më pas na transferuan shumë herë. Karlsruhe ishte lokacioni i fundit”, thotë Marina Milosheviq. Sot ajo është 37 vjeçe. Me bashkëshortin dhe fëmijën e tyre ata kanë aplikuar për azil në Gjermani, ku dikur jetonin edhe vjehrri dhe vjehrra e saj.
"Në fund ne firmosëm se donim të ktheheshim vullnetarisht në Serbi, sepse nuk mund ta duronim më psiqikisht këtë gjendje të rëndë që kaluam atje. Ne nuk kishim akomodimin tonë, ishim të sistemuar në godinat e panaireve gjatë gjithë kohës. Akomodimi ishte në një pjesë të largët të qytetit, kështu që ne ishim të izoluar”, tha Millosheviq për DW.
Edhe Ilona Varga kishte një përvojë të ngjashme. Kjo grua 32-vjeçare e papunë ka tentuar disa herë të largohet nga Serbia me familjen e saj dhe të vendoset në Gjermani.
"Ne donim të shkonim në Gjermani. Kemi aplikuar për azil për herë të parë në vitin 2009. Ishim në afërsi të Berlinit. Na vendosën në sallë për tre muaj. Morëm një gardërobë për burrin tim, për mua dhe fëmijët, e na jepnin edhe 80 euro në javë. Kishte shumë të huaj dhe vështirë se dikush fliste serbisht. Ata ishin të pakëndshëm, provokonin dhe më ngacmonin, ndërsa burri detyrohej t'i dëgjonte dhe shihte të gjitha këto ofendime dhe ngacmime. Nuk guxoja të rrija vetëm kurrë në këtë sallë të madhe, ku ishin sistemuar rreth njëqind veta. Nuk morëm azil dhe u kthyem sërish në Serbi”, thotë Ilona për DW.
Ajo thotë se situata e ngjashme ka qenë edhe herën e dytë në vitin 2011, kur kanë shkuar dhe kanë kërkuar përsëri azil. Ata nuk kishin punë në Serbi dhe jetonin me qira, kështu që vendosën të largoheshin përsëri dhe të përpiqeshin të merrnin azil në Gjermani. Por megjithatë janë kthyer, sepse nuk kanë marrë azil dhe më pas kanë jetuar me gjyshen e Ilonës.
Pse njerëzit ikin nga Serbia dhe përpiqen të marrin azil?
Milisav Milinkoviq nga Organizata Humanitare Ekumenike në Serbi, i cili është përgjegjës për projektet mbështetëse për riatdhesimin dhe integrimin e të kthyerve nga Gjermania, prezanton për DW disa pjesë të hulumtimit të kryer mes personave që kanë vendosur të kërkojnë azil në Gjermani. Këto janë disa nga përgjigjet e të kthyerve në pyetjen pse kanë vendosur të ikin nga Serbia dhe të shkojnë e kërkojnë azil në Gjermani.
"Kam dëgjuar se është një jetë më e mirë atje."
"Unë shkova të regjistrohem si azilkërkues, sepse këtu në Serbi nuk kam asgjë, as sigurim social, as punë, asgjë."
"Kemi ikur nga përmbytja që vërshoi të gjitha shtëpitë tona që ndodhen në pjesën e poshtme të vendit Veliki Rit”.
"Ne shkuam në Gjermani duke shpresuar se prindërit e mi do të kishin një kujdes më të mirë shëndetësor atje."
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor
Milinkoviq kujton se personat që nuk marrin azil në Gjermani mund të kthehen vullnetarisht në vendlindje. E nëse nuk e bëjnë këtë, ata do të dëbohen nga ky vend dhe dërgohen në vendin e origjinës.
"Nga viti 1996 e deri më sot, numri më i madh i romëve janë kthyer në Serbi nga Gjermania. Pasojnë Zvicra dhe Suedia. Vitet e fundit është shfaqur në lista edhe Franca, e më pak Austria dhe Greqia”, thotë Milinkoviq.
Milinkoviq kujton edhe të ashtuquajturën "Rregullorja për Ballkanin Perëndimor". Ajo u hartua pas valës së madhe të refugjatëve në 2015 dhe 2016. Në ato vite, më shumë se një milion refugjatë mbërritën në Gjermani, kryesisht nga Siria, por një numër i madh i njerëzve ishin edhe nga Ballkani Perëndimor - nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërsa refugjatët sirianë të luftës morën azil asokohe, migrantët ekonomikë nga Ballkani Perëndimor kishin pak shanse për azil: Vetlm disa për qind e tyre morën statusin e azilit, sepse Gjermania i ka radhitur këto vende në listën e vendeve të sigurta të origjinës.