1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kabuli dhe Islamabadi afrohen me talibanët

Shamil Shams / Bahri Cani7 Shkurt 2014

Presidenti Karsai do që në fund të mandatit të tij t'i zbusë raportet me talibanët. Karsai synon një marrëveshje. Për negociata angazhohen edhe autoirtetet e tjera afgane dhe pakistaneze.

https://p.dw.com/p/1B4cR
Sharif dhe Karsai në nëntor 2013 në Kabul
Fotografi: REUTERS

Përfaqësuesit e Hamid Karsait duket se kanë negociuar me talibanët prapa shpinës së SHBA-së. Bisedimet janë inicuar nga talibanët në nëntor të vitit të kaluar, njofton gazeta amerikane "New York Times", me 3 shkurt. "Mund të konfirmoj se talibanët janë më të gatshëm se kurrë më parë për pjesëmarrje në procesin paqësor", deklaroi zëdhënësi i Karsait, Aimal Faizi, për agjencinë e lajmeve Reuters. "Ka pasur kontakte dhe ne jemi në kontakt (me talibanët)."

Bisedimet i ka konfirmuar në kushte anonimiteti edhe një përfaqësues i Karsait në Këshillin e Lartë Paqësor. "Para tre javësh në Dubai janë takuar përfaqësuesit e qeverisë dhe talibanëve, të cilët kanë ardhur nga Doha", bëri të ditur ai. Por për rezultatet ende nuk dihet asgjë konkretisht.

"Pjesëmarrja amerikane pak e besueshme"

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme amerikane i ka hedhur poshtë pohimet për zemërimin e Uashingtonit, me shpjegimin se administrata amerikane gjithmonë ka qenë për procesin e pajtimit mes afganëve. Kjo nënkupton edhe "dialogun mes afganëve", deklaroi ai për agjencinë Reuters.

Karsai në nëntor 2013 u shpreh në Loja Dschirga për marrëveshjen e sigurisë por la të hapur nënshkrimin e saj.
Karsai në nëntor 2013 u shpreh në Loja Dschirga për marrëveshjen e sigurisë por la të hapur nënshkrimin e saj.Fotografi: Reuters

Në të kaluarën SHBA-ja nuk ka qenë e kënaqur me idetë për bisedime të drejtëpërdrejta mes Karsait dhe talibanëve. Raportet bilaterale mes SHBA-së dhe Karsait janë rënduar edhe për shkak të refuzimit të tij që të nënshkruajë marrëveshjen për siguri.

"SHBA-ja nuk ka marrë pjesë në këto bisedime", thotë Michael Kugelman nga Woodrow Wilson-Center në Uashington, për DW. "Raportet mes Uashingtonit dhe Kabulit janë kaq të këqija sa që nuk mund të paramendohet se kanë bashkëpunuar në një mision kaq të vogël." Kugelman thotë se talibanët dhe Karsai kanë shkaqet e veta për bisedime. "Talibanët e dinë që raportet mes Karsait dhe qeverisë së Obamës janë në një pikë shumë të keqe dhe e shohin këtë si rast të mirë për të sabotuar marrëveshjen e sigurisë. Ndërsa Karsai mendon se marrëveshja me talibanët është mundësia më e mirë për stabilitetin e Afganistanit."

Me apo pa SHBA-në?

Ekspertë thonë se fakti që SHBA mbetet jashtë procesit të negociatave nuk është tepër i dëmshëm. "Për ardhmërinë e Afganistanit duhet të negociojnë përfaqësuesit e qeverisë sovrane dhe ata të kryengritësve." Nuk ka asnjë shkak pse një fuqi e huaj duhet të marrë pjesë kaq shumë në çështjet e brendshme të Afganistanit, mendon Kugelman.

Demonstrues në Kabul i bëjnë thirrje Karsait të nënshkruajë marrëveshjen e sigurisë
Demonstrues në Kabul i bëjnë thirrje Karsait të nënshkruajë marrëveshjen e sigurisëFotografi: DW/H. Sirat

Por vëzhguesit e shohin si rrezik tensionimin e raporteve mes Kabulit dhe Uashingtonit, sepse në rast se marrëveshja për siguri nuk futet në fuqi, do të cënohet edhe prezenca ushtarake perëndimore në Afganistan pas vitit 2014.

"Për sigurinë e Afganistanit është e domosdoshme prezenca dhe mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore", pohon eksperti Siegfried O. Wolf nga Universiteti Heidelberg për DW. "Çdo shtyerje e futjes në fuqi të kësaj marrëveshje mund ta destabilizojë këtë vend, sepse kryengritësit mund të shtojnë operacionet e tyre ushtarake."

Edhe Islamabadi në negociata

Edhe qeveria e Pakistanit në Islamabad mendon të futet në negociata paqësore me talibanët në këtë vend, të njohur me emrin Tehrik-i Taliban Pakistan (TTP). Për këto nevoja, kryeministri Nawaz Sharif ka emëruar një delegacion me katër anëtarë, i cili duhet të organizojë dialogun me kryengritësit. Pas shtyrjes së raundit të parë, i cili ishte planifikuar të mbahej me 4 shkurt, mediat pakistaneze njoftojnë se të enjten (06.02.2014), ëshë mbajtur një takim mes të dy palëve, për të përgatitur një "roadmap".

Talebanët zhvillojnë bisedime me qeverinë pakistaneze. 06.02.2014
Talebanët zhvillojnë bisedime me qeverinë pakistaneze. 06.02.2014Fotografi: Aamir Qureshi/AFP/Getty Images

Në Pakistan shumë ekspertë janë skeptikë. "Talibanët nuk i kanë respektuar as marrëveshjet e mëparshme për paqe", thotë Himayat Ullah, deputet në Parlamentin e Islamabadit, për DW. Ai mendon se rruga më efikase janë operacionet ushtarake kundër ekstremistëve. Vëzhguesit e tjerë mendojnë se kjo rrugë nuk është e mirë sepse të dy vendet, Afganistani dhe Pakistani, "simbolikisht kanë kapitulluar", para ekstremistëve.