Kabinat e kuqe telefonike britanike në shitje
8 Janar 2024Pavarësisht reduktimit të numrit të tyre, kabinat e kuqe telefonike mund të shihen ende në shumë vende në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë që ikonat kulturore kremtojnë njëqind vjetorin e tyre.
Kur njerëzit mendojnë për Britaninë e Madhe, disave mund t'u shkojnë në mend autobusët e kuq, Beatles ose Buckingham Palace, ndërsa të tjerëve mund t'u vijnë në mëndje peshku me patate të skuquara, pijetoret apo ndjenja e fortë e vetëkontrollit.
Megjithatë, ndoshta imazhi më ikonik mbeten kabinat tradicionale të kuqe të telefonit, që kanë arritur të mbijetojnë, pavarësisht përdorimit të tyre të rrallë në Britaninë moderne.
Në të vërtetë numri i kabinave telefonike në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është zvogëluar pesëfish vitet e fundit, sipas British Telecom (BT). Vetëm 3.000 kabina tradicionale të kuqe kanë mbetur.
Në fund të jetës
Nën kërcënimin ekzistencial, fillimisht për shkak të celularëve, dhe aq më tepër që kur telefonat inteligjentë filluan të dominojnë jetën tonë, në vitin 2008 BT prezantoi programin "Adopto një kabinë", me më shumë se 7200 kabina telefonike të marra nga komunitetet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për vetëm 1£ (1,17 €) secila.
"Kabinat mund të birësohen nga këshillat e komunitetit ose famullitë dhe organizatat e regjistruara të bamirësisë," sipas faqes së internetit të BT. Ndërsa kabina klasike shënon 100 vjetorin e saj, një shtysë e re është ndërmarrë në Skoci.
"Me shumicën dërrmuese të njerëzve që tani përdorin telefonat celularë dhe përmirësimet e konsiderueshme në shtrirjen e rrjetit celular në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi vazhduar të shohim një rënie të madhe të numrit të telefonatave nga telefonat me pagesë," tha Michael Smy, drejtues i projektit të BT.
"Me kabinën ikonike të kuqe që do të mbushë 100 vjeç," shtoi ai, "është një mundësi e shkëlqyer për t'u kujtuar komuniteteve që dëshirojnë të mbajnë ende kabinën e tyre lokale për ta marrë atë për vetëm 1£. Ne kemi parë tashmë disa konvertime të shkëlqyera të kabinave në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që janë bërë asete të vlefshme të komunitetit."Këto "konvertime" i kanë shndërruar kabinat e famshme të kuqe në një sërë hapësirash në objekte të dobishme dhe kulturore: nga njësitë e defibrilatorëve dhe bibliotekat, deri te minigaleritë e artit dhe muzetë lokalë. BT do të vazhdojë të ofrojë energji elektrike, pa asnjë kosto, për të fuqizuar dritën për kabinat telefonike të birësuara.
Historia e kutisë së kuqe të telefonit
Emri Sir Giles Gilbert Scott mund të mos jetë i njohur për shumë njerëz, por viti 2024 shënon 100 vjet që kur dizajni i tij u zgjodh si kabina e parë telefonike e kuqe në Britani. E kuqja u zgjodh sepse e bënte të lehtë për t'u dalluar.
Që atëherë ato janë bërë ikona kulturore, me kabinën e telefonit që është ndoshta arritja më e paharrueshme dhe e qëndrueshme e Scott-it, që është e rëndësishsme për një arkitekt, veprat e të cilit përfshijnë Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit, Stacionin e Trenit Battersea dhe Katedralen e Liverpool-it.
Dizajni i Scott ishte versioni i dytë pasi pakënaqësia me modelin origjinal nënkuptonte se kërkohej një alternativë, që më në fund doli në rrugë në vitin 1926. Dhjetë vjet më vonë, Scott rafinoi dizajnin e tij për të shënuar Jubileun e Argjendtë të Mbretit George V. Statusi ikonik i kabinave të kuqe të telefonit u përmirësua në Britaninë e pasluftës, duke arritur në dhomat e ndenjes anembanë botës përmes filmave, videove muzikore dhe serialeve televizive kult, si në "The Ladykillers" nga viti 1955.
Numri i kabinave telefonike në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar arriti kulmin në vitet 1990 në rreth 100.000.
Megjithatë, pavarësisht nga statusi i tyre historik, ka pasur një rënie të ndjeshme në përdorimin e telefonave me pagesë në të gjithë Britaninë, me rritjen në 98% të popullsisë që taniposedon një celular.
Megjithëse ishte një kohë kur njerëzit viheshin në radhë për të përdorur telefonin, disa kabina ende tërheqin një turmë njerëzish rreth tyre. Si për shembull kabina telefonike pranë daljes së stacionit të metrosë Westminster, që tërheq turma turistësh. Për shkak të afërsisë me Big Ben-in, është e mundur të merrni pikën referuese të Londrës dhe kabinën e kuqe të telefonit në një foto.
Një përdorues i TikTok pretendoi se kishte pritur 45 minuta në radhë për një shans që të bënte një fotografi me të, duke bërë që një londinez të komentojë: "Bota është çmendur.”
Kabinat e kuqe mund të mos nevojiten më për të bërë telefonata, por pasi ato janë kthyer në shtëpi të vogla për defibrilatorët, biblioteka apo për përdorime në mediat sociale, mund të thuhet që në to ka ende jetë.
Autor: John Silk