1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juicyfields: një rast i veçantë mashtrimi me kanabis

24 Korrik 2022

Mijëra investitorë nuk kanë më akses në llogaritë e tyre për investimet e bëra në një firmë kanabisi. Kush qëndron pas kësaj, sa i madh është dëmi?

https://p.dw.com/p/4EYnv
Juicy Fields Grafik
Fotografi: Juicy Fields

Dimensionet janë ende të paqarta, ka nga ata që e vlerësojnë dëmin në disa milionë, të tjerë në disa miliardë euro. Kaq shumë para mund të kenë dhënë investuesit e vegjël në mbarë botën për një ofertë të pasigurtë me bimë kanabisi.

Juicyfields premtonte fitime gjigande

Firma me emrin Juicyfields ofronte të ashtuquajturin "E-growing" që nga viti 2020. Tek Juicyfields investitorët mund të merrnin pjesë në mbjelljen, korrjen dhe shitjen e bimëve medicinale të kanabisit. Fitimet arrinin deri mbi 100 përqind në vit.

„Njerëzit thjesht nuk janë mësuar të bëjnë fitime të mëdha", kështu e mbrojti modelin e biznesit në fillim të marsit në bisedë me DW Daniel Gauci, zëdhënës i sipërmarrjes dhe i "ngarkuari për inovacionin” në Juicyfields . Por ai nuk ishte i gatshëm t`i përgjgjej pyetjes, se si firma mund të arrinte fitime të tilla.

Mjeti më i rëndësishëm i firmës ishte një platformë online. Aty përdoruesit mund të blinin, të shisnin bimë, t'i menaxhonin ato në serra virtuale dhe të merrnin paratë që kishin fituar. Nëse bimët kanë ekzistuar ndonjëherë, është e paqartë pas ndodhive aktuale.

Sepse që nga mesi i korrikut përdoruesit nuk e kishin më të mundur të hynin në këtë platformë. Pak më vonë u zhdukën edhe përmbajtjet e firmës në platformat e mediave sociale. Që atëherë aludohet ajo, së cilës njohësit e kësaj dege i janë frikësuar gjithnjë, që Juicyfields është një mashtrim. Paratë e investitorëve janë zhdukur.

Një tjetër exit scam i madh?

Sipas të dhënave të Juicyfields në platformë duhet të kenë qenë të regjistruar 500.000 përdorues. Ata vijnë nga Europa, Azia, Afrika si dhe Amerika Latine. Kufiri mininal i një investimi në kanabisin virtual ishte 50 euro, kufiri i sipërm teorikisht 180.000 euro. Paratë mund të hynin dhe të dilnin me anë të transfertave bankare apo me anë të kriptomonedhave si bitcoin.

Pagesat e fitimeve janë kryer pa probleme për një kohë të gjatë, siç e kanë siguruar vazhdimisht investitorët DW. Shumë investues të vegjël mburreshin me fitimet e tyre dhe shpesh derdhnin pastaj edhe më shumë para në këtë firmë. Disa kanë marrë madje edhe kredi. Juicyfields mbështetej në marketingun social, angazhonte influencer, ishte i gjithëpranishëm në panaire dhe investonte shumë para në reklama.

Në forume ka spekullime se çështja Juicyfields mund të bëhet aq e madhe sa mashtrimi me kriptomonedhën OneCoin - i iniciuar nga Ruja Ignatova. "Kryptombretëresha” është futur para pak kohe në listën e personave më të kërkuar nga policia federale amerikane FBI. Dëmi i shkaktuar nga OneCoin thuhet se arrin në katër miliardë dollarë.

Por për dimensionet e mashtrimit në Juicyfields deri tani vetëm mund të spekulohet. Vlerësimet shkojnë nga dhjetëra milionë deri në shuma që arrijnë miliarda. Sipas raportimeve të mediave një firmë juridike spanjolle, që përfaqëson investitorët e vegjël, pretendon se më shumë se nëntë miliardë kanë rrjedhur përmes "portofoleve" digjitale, kriptollogarive të Juicyfields.

Një rast mashtrimi si një triller policor

Screenshot Juicy Fields
Për llojet e ndryshme të kanabisit premtoheshin interesa deri në 100 përqindFotografi: Screenshot Juicy Fields

Ngjashëm si me rastin OneCoin po bëhet e qartë se Juicyfields është mbështetur, të paktën pjesërisht, në një skemë piramidale. Depozitat nga klientët e rinj përdoren për pagesat që duhen kryer. Janë përdorur po ashtu pjesë të të ashtuquajturit marketing me shumë nivele. Investitorët marrin bonuse, nëse mund të bindin të tjerët për produktin. Me sa duket shumë njerëz supozonin se në sektorin e kanabisit do të kishte fitime shumë të larta.

Kjo degë konsiderohet si një industri në rritje, që kur kanabisi është lejuar si produkt medicinal në shumë vende. Në Kanada dhe disa shtete të SHBA kjo drogë është legalizuar edhe për përdorim në kohën e lirë. Edhe qeveria gjermane po planifikon legalizimin e plotë.

Në Evropë autoriteti mbikëqyrës spanjoll kíshte paralajmëruar që herët lidhur me Juicyfields. Autoriteti mbikqyrës gjerman Bafin për herë të parë vuri në dukje mospërputhjet në mars të këtij viti. Në qershor ai ia ndaloi Juicyfields-it të shiste bimë të tjera kanabisi në platformën e tij në Gjermani. Firma nuk e respektoi këtë vendim. Kështu ekipi hulumtues i DW edhe pas ndalimit pati mundësi të blejë një bimë virtuale.

Kush qëndron pas kësaj?

Tani po bëhet e qartë, se investitorët ndoshta nuk kanë për t`i parë më kurrë paratë e tyre. Atmosfera në grupet e shumta të shërbimit messenger telegram, ku ata organizohen, është e ndezur. Në internet qarkullojnë disa versione për atë që ka ndodhur: më e përhapura është ajo se rusët që në fillim duhet të kenë planifikuar një mashtrim. Në një version tjetër dyshohet se pjesë të ekipit drejtues mund të kenë ikur bashkë me paratë.

Edhe emri i një firme me seli në Berlin shfaqet vazhdimisht. Ajo mban lidhje të forta në Zvicër, Lihtenshtajn dhe Holandë. Dhe Juicyfields ka nisur në Berlin. Kanë qenë ndoshta hetimet e policisë kriminale të landit dhe shtimi i presionit nga autoriteti mbikëqyrës, që çuan në zhvendosjen e kompanisë në Holandë nga fundi i vitit.

Një seri podkastesh nga DW

DW ka ndjekur ngritjen e firmës së dyshimtë për një gjysëm viti. Në podkastin investigativ, shumëpjesësh, në gjuhën angleze "Cannabis-Cowboys - a story about big dreams, juicy money, and a never-ending hype", reporterët e DW tregojnë historinë e firmës.

Bëhet fjalë për lakminë, pastrimin e parave dhe shërbimet sekrete si dhe ëndrrën e përjetshme për t'u pasuruar shpejt. Kërkimi të çon në plantacione kanabisi, festa të shfrenuara në hotele luksoze dhe në një kështjellë në Zvicër. Episodin e parë mund ta gjeni nga mesi i gushtit në faqen e DW anglisht.