1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Biden paraqet vizionin e politikës së jashtme.

25 Nëntor 2020

Joe Bideni ka thënë se administrata e tij do të forcojë rolin e SHBA e saj udhëheqës "në të gjithë botën". Ai theksoi gjithashtu angazhimin e tij për bashkëpunimin global.

https://p.dw.com/p/3lpRW
USA Wilmington, Delaware | Joe Biden, Vorstellung Team | Joe Biden
Fotografi: Mark Makela/Getty Images

Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e tij do të riafirmojnë angazhimet e ndaj aleatëve.

Në një ceremoni në Wilmington, Delaware, Biden prezantoi ekipin e tij të sigurisë kombëtare, duke përfshirë Antony Blinken si Ministër të Jashtëm dhe John Kerryn si të ngarkuar për klimën. Presidenti i zgjedhur tha se ekipi i tij mishëronte besimin e tij të thellë "se Amerika është më e fortë kur punon së bashku me aleatët e saj.

"Ky është një ekip që pasqyron faktin se Amerika është kthyer, e gatshme për të udhëhequr botën, jo për t'u tërhequr prej saj," tha ai në skenë, me stafin e administratës që mbante maska dhe qëndronte gjashtë metra larg.

Strategjia e politikës së jashtme shënon një kontrast të fortë ndaj qasjes më antagoniste "Amerika e para" e ndjekur nga paraardhësi i Biden-it, Donald Trump, i cili shpesh ishte në mosmarrëveshje me aleatët tradicionalë në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë.

Biden vuri në dukje se në telefonatat e tij me udhëheqësit e huaj, ata u shprehën "se mezi po presin që Shtetet e Bashkuara të rikonfirmojë rolin e saj historik si udhëheqëse globale mbi Paqësorin, si dhe Atlantikun, në të gjithë botën".

Blinkeni tha se administrata e Biden ishte e përkushtuar për bashkëpunim dhe partneritet global.

Blinken, një i besuar prej shumë vitesh i Bidenit dhe ish-zëvendës sekretar i shtetit në administratën e Obamës, u zotua se SHBA do të kërkonte bashkëpunim global në politikën e saj të jashtme.

"Ne duhet të vazhdojmë me masa të barabarta të respektit dhe besimit," tha Blinken. "Siç tha presidenti i zgjedhur, ne nuk mund t'i zgjidhim të gjitha problemet e botës vetëm."

Rindërtimi i aleancave, adresimi i ndryshimeve klimatike

Zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamala Harris tha se përveç riparimit të marrëdhënieve diplomatike që vuajtën nën administrimin e Trumpit, SHBA janë angazhuar për të trajtuar ndryshimin e klimës.

USA Wilmington, Delaware | Joe Biden, Vorstellung Team | Joe Biden
Fotografi: Mark Makela/Getty Images

"Do të na duhet të rindërtojmë dhe rinovojmë aleancat e Amerikës, të rindërtojmë dhe forcojmë institucionet e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme që na mbajnë të sigurt dhe të çojmë përpara interesat e kombit tonë dhe të përballemi dhe të luftojmë kërcënimin ekzistencial të ndryshimit të klimës që na rrezikon të gjithëve", tha ajo.

John Kerry, i cili shërbeu si Ministër i Jashtëm nën Barack Obaman, vlerësoi angazhimin e Biden për t'u bashkuar me marrëveshjen e Klimës së Parisit në ditën e parë të presidencës së tij dhe bëri thirrje më tej për një konferencë të OKB-së në Glasgow për të ngritur ambiciet për frenimin e ngrohjes globale.

"Ju keni të drejtë të ribashkoheni me Parisin në ditën e parë. Dhe keni të drejtë kur pranoni se vetëm Parisi nuk është i mjaftueshëm," tha Kerry.

Përveç Blinkenit dhe Kerry-t, Biden gjithashtu emëroi veteranin e Shtëpisë së Bardhë së kohës së Obamas, Jake Sullivan si këshilltar të sigurisë kombëtare, diplomaten veteran Linda Thomas-Greenfield si ambasadore në OKB dhe avokatin Alejandro Mayorkas si sekretar të sigurimit të vendit. Avril Haines, një ish-nëndrejtor i CIA-s, u caktua drejtor i inteligjencës kombëtare.

"Dua t'ju them: Amerika është kthyer. Multilateralizmi është kthyer. Diplomacia është kthyer," tha Linda Thomas-Greenfield.

Biden pritet të marrë detyrën në 20 janar. Me përjashtim të Kerryt dhe Sullivanit, zgjedhjet e ekipit të tij të sigurimit kombëtar do të kërkojnë konfirmimin e Senatit.