Jo minareve në Zvicër
18 Korrik 2007Partia më e madhe në Zvicër kërkon të ndalojë me referendum ndërtimin e minareve. Partia Popullore SVP po mbledh firma për një nismë popullore kundër ndërtimit të minareve në Zvicër. Në rast se ajo ia del të grumbullojë 100.000 firma, atëherë shtetasit e Zvicrës do të votojnë për atë nëse në të ardhmen minaret mund të prekin qiejt e Zyrihut, Lozanës apo Kurit. Sipas partisë, në selinë e saj në Bernë mbërrijnë çdo ditë 1.000 nënshkrime. Myslimanët në Zvicër druajnë një valë të re ksenofobie; ndërsa ministrat liberalë të kabinetit zviceran i tremben zemërimit të myslimanëve në mbarë botën ndaj Zvicrës dhe kujtojnë grindjen për karikaturat e profetit Muhamet.
Aktualisht në Zvicër ka vetëm dy minare, por në fakt për Partinë Popullore nuk bëhet fjalë për një rregullore të ri ndërtimi. Jo, me ndalimin e minareve partia ultra-konservatore synon të shmangë përhapjen e një interpretimi të ligjit mysliman në Zvicër. Vrasjet me motiv nderin, martesat me detyrim, rrethprerjet, gjithçka që kjo parti e lidh me sheriatin, nuk ka vend në Zvicër, thotë Ulrich Schlüera, anëtar i këshillit federal të Zvicrës dhe botues i një gazete liberal-konservatore.
'Minarja nuk është simbol besimi, por simbol i përhapjes së pushtetit, pra ajo shpreh vullnetin për të vendosur prej këtij vendi një sistem tjetër ligjor, pikërisht të drejtën e sheriatit. Besoj se ne në Zvicrën demokratike, ku populli ka mundësinë të shprehet drejtpërdrejt për çështje të rëndësishme, duhet të themi që kjo temë duhet trajtuar tani. Për këtë arsye e kemi ndërmarrë nismën.'
Hisham Maizar është një nga 340.000 myslimanët që jetojnë në Zvicër. Zvicerani i natyralizuar ka një klinikë në Thurgau. Si president i Federatës së Organizatave Myslimane në Zvicër ai beson se përfaqësuesit e nismës për nalimin e minareve nuk e kanë kuptuar as parimin e fesë islame dhe as atë të sheriatit. Sipas tij, Partia Popullore ka vetëm një synim, të përhapë frikë.
'Dua të dëgjoj një citat të vetëm nga ndonjë mysliman i këtij vendi, ku të ketë thënë: prisni, dua të dënohem sipas gjyqit të sheriatit. Diçka të tillë nuk ka. Detyra ime si mysliman këtu nuk është të vij dhe të ndërtoj zoti e di se çfarë shteti islamik.'
Nisma popullore përkon me kohën e zgjedhjeve kombëtare në Zvicër. Ajo qëllon në një kohë kur në shumë lokalitetet qytetarët po kundërshtojnë ndërtimin e qendrave të bashkësisë myslimane apo xhamive. Pra nisma gjen terren të përshtatshëm. Shumë ekspertë ligjorë konsiderojnë se nisma i bie ndesh së drejtës ndërkombëtare, sepse shkel lirinë e besimit. Megjithatë nismëtari Ulrich Schlüer nuk beson se Zvicra do të paditet për shkak të këtij ligji në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut.
'Ne nuk jemi kundër xhamisë në vetvete, nuk jemi kundër hapësirës së grumbullimit. Liria e grumbullimit dhe e besimit duhet të garantohen. Ne jemi kundër këtij simboli që kërkon të vendosë një rend ligjor tjetër.'
Por më së vonëti qëkurse raportoi për nismën popullore televizioni Al Jazeera është alarmuar edhe Berna politike dhe diplomatike. Ajo është e shqetësuar për imazhin e Zvicrës asnjëanëse dhe i trembet një konflikt me përmasat e grindjes për karikaturat. Nëpërmjet ambasadave jashtë vendit do të zhvillohet një fushatë sqaruese për nismën në fjalë. Ndërkaq Hisham Maizar nuk shqetësohet shumë për paqen fetare në vende si Irani apo Pakistani. Ai druan se vëllezërit e tij të besimit në Zvicër do t'i nënshtrohen tani një rrebeshi sulmesh.
'Ne jemi qytetarë apo banorë të këtij vendi në rast se nuk jemi natyralizuar ende dhe kemi një synim të caktuar: Të jetojmë në paqe dhe të mos diskriminohemi, sepse kjo është e drejta jonë themelore si njerëz.'
Çdo ditë në qendrën e Partisë Popullore në Bernë mbërrijnë deri në 1.000 firma; por edhe sikur partia konservatore e djathtë t'ia dalë të grumbullojë 100.000 firmat e nevojshme për referendumin, duhen kapërcyer edhe pengesa të natyrës administrative. Për nismën për ndalimin e minareve mund të votohej në Zvicër më e herëta në vitin 2010.