Jo konflikte për xhamitë: Këshilltari islamik i Gjermanisë
8 Gusht 2023Sipas statistikave, në Gjermani ka të paktën 2800 xhami. Herë pas here, ato janë në qendër të diskutimeve apo mosmarrëveshjeve, veçanërisht kur në peizazhin urban dalin objekte të kultit mysliman me tipare të spikatura, si minareja. Edhe pse xhamitë në përgjithësi u nënshtrohen të njëjtave rregulla si kishat apo sinagogat, shumë varet nga rregullat lokale të secilës komunë.
Hussein Hamdan, këshilltari i parë islamik i Gjermanisë, ndihmon për të shmangur konfliktet midis komuniteteve të xhamive dhe komunave. "Unë jam gjithmonë për dialogun që të zhvillohet me ndershmëri. Kjo nënkupton që të takohemi me respekt, por edhe të flasim për tema kritike", shpjegon në një intervistë për Deutsche Welle specialisti i fesë islame dhe feve, 44 vjeç.
Prej tetë vjetësh, Hamdani ka ofruar këshilla për fenë islame për komunat në Gjermaninë jugperëndimore, në Baden-Württemberg. Ai ende e kujton shumë mirë misionin e tij të parë: "Ishte data 2 qershor 2015 dhe një këshill qarku më kërkoi të vlerësoja një shoqatë sufi”. Sufitë janë ndjekës të një feje mistike islame. Ata janë të njohur për muzikën dhe kërcimin e ndjerë deri në ekstazë. Në Gjermani, ka vetëm disa komunitete të këtij lloji. Specialisti i feve u informua në hollësi dhe më pas mundi të largonte disa paqartësi në mesin e përfaqësuesve komunalë falë vlerësimit të tij.
Muslimani i parë në ipeshkvinë katolike
E veçanta është se Hamdani është punonjës i Kishës Katolike dhe që nga viti 2012 është muslimani i parë që punon në akademinë e ipeshkvisë së Rottenburg-Shtutgartit. Landi federal i Baden-Württemberg ka afërsisht njëmbëdhjetë milionë banorë, duke përfshirë rreth 800.000 myslimanë. Xhamitë e para përfaqësuese u shfaqën në këtë land në vitet 1990.
Pamje e një dhome me një dritare gjiri dhe një audiencë të madhe të ulur në rreshtat e tavolinave. Dëgjuesit shikojnë një burrë në foltore dhe një podium me tre persona të tjerë. Pamje e një dhome me një dritare gjiri dhe një audiencë të madhe rreshtash tavolinash. Dëgjuesit shikojnë një burrë në foltore dhe një podium me tre persona të tjerë.
Hamdani në fillim drejtoi projektin "Të rinjtë myslimanë si partnerë”. Në vitin 2015 ai mori përsipër projektin e saponisur "Muslimanët si partnerë për Baden-Württemberg". I mbështetur nga Fondacioni Robert Bosch, ai është në dispozicion të autoriteteve komunale dhe vendimmarrësve si këshilltar. Ky specialist i feve i përmblodhi përvojat e tij në një libër: "Si këshilltar për fenë islame nëpër Baden-Württemberg (Als Islamberater unterwegs durch Baden-Württemberg). Përvoja - Sfida - Orientime".
Shpesh bëhet fjalë për çështje të jetës së përditshme. A është shumë e lartë minareja? Si të klasifikohen grupet e ndryshme islame? Si mund t'i integrojë të rinjtë myslimanë një komunë? Nga ana tjetër, si e nxit një komunitet i xhamisë integrimin e të rinjve të tij? Në shumicën e rasteve, nuk është e mundur t'u përgjigjesh këtyre pyetjeve në terma të përgjithshëm. Lartësia e një minareje duhet të përcaktohet sipas rregullores së ndërtimit në zonën urbane përkatëse. Dhe në komunat ku besimtarët myslimanë kanë jetuar për dekada, mund të ketë më shumë shkëmbime se në të tjerat.
Hamdani gjithashtu shpjegon për komunitetet e xhamive procedurat e një komune: "Si funksionon një komunë? Kë mund të kontaktojmë?" Hamdani gjithmonë këmbëngul që të diskutohet së bashku. Për këtë është shumë e rëndësishme që bashkësitë e xhamive të kenë përfaqësues të rregullt, të cilët janë bashkëbisedues të besueshëm, thekson ai.
Këshilla në rreth 50 komuna
Deri tani, shërbimet e tij këshilluese i kanë përdorur rreth 50 komuna në të gjithë landin e Baden-Württemberg-ut. "Ndonjëherë është thjesht një bisedë një ose dy orëshe, në raste të tjera mund të jenë dy ose tre takime", tregon ai. Në disa raste, një proces shoqërohet më gjatë. Këtu përfshihen edhe biseda me të gjithë personat e interesuar, në grupe të vogla dhe në një mjedis konfidencial.” Këto nuk janë zgjidhje të gatshme, por rekomandime për veprim”, thekson këshilltari i fesë islame.
Një ndërtesë e gjatë e bardhë qëndron në një kthesë në një rrugë, katër flamuj valëviten përpara saj, një kullë me majë me një ballkon del nga pjesa e pasme e çatisëNjë ndërtesë e gjatë e bardhë qëndron në një kthesë në një rrugë, katër flamuj valëviten përpara prej saj, nga pjesa e pasme e çatisë del një kullë me majë me ballkon
Hamdani i njeh këndvështrimet e ndryshme për ndërtimin e xhamive në Gjermani. Disa e shohin atë si një proces "islamizimi", të tjerë i konsiderojnë xhamitë e dukshme publikisht, të cilat shpesh zëvendësojnë xhamitë e oborrit të shtëpisë, si një hapje për shoqërinë.
Puna e tij këshilluese përfshin gjithashtu një komunë prej 8000 banorësh, këshilli bashkiak i së cilës e refuzoi në fund ndërtimin e një minareje. Hamdani thotë se kishte arritur t'i bënte të dyja palët të vazhdonin të bisedonin. Si rregull, Hamdani nuk përmend emra konkretë vendesh. Sepse besueshmëria është pjesë e punës së tij. Edhe në librin e tij, emrat e vendeve konkrete shfaqen rrallë.
Pyetje kritike rreth grupeve islamike
Hamdani shpjegon pikëpamjet e ndryshme për ndërtimin e xhamive në Gjermani, ndërsa klasifikon grupet islamike, disa prej të cilave vëzhgohen nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Islamologu e shpjegon këtë me hollësi dhe ilustron kështu kufijtë e bashkëpunimit. Ai paralajmëron gjithashtu që të mos vlerësohen në të njëjtën mënyrë të gjitha komunitetet e xhamive që i përkasin Unionit Turko-Islamik të Institutit për Fenë (DITIB). "Gjithmonë duhet t'i vlerësojmë në vend bashkësitë e xhamive. Sepse komunitetet vërtet mund të funksionojnë ndryshe në qytete të ndryshme”, shpjegon ai për Deutsche Welle-n. Pikërisht komunitetet e DITIB kritikohen në Gjermani, sepse ato janë në varësi të drejtpërdrejtë të autoriteteve fetare turke dhe për këtë arsye mund të duken të ndikuara nga jashtë.
Komunitetet e DITIB kanë gjithashtu të drejtë për një qasje të diferencuar, por ato duhet t'i bëjnë vetes edhe pyetje serioze. "Ndershmëria në dialog do të thotë që ne të ndalemi në çështje kritike," thotë Hamdani, i cili rekomandon që përfaqësuesit e komunave dhe xhamive të diskutojnë më shumë. "Ne duhet të hamë bashkë, të pimë kafe së bashku, të festojmë së bashku. Por duhet të diskutojmë edhe se si i trajtojmë çështjet kritike, të cilat natyrisht janë të rëndësishme edhe për bashkëjetesën tonë këtu në komuna".
Hamdani i di kufijtë dhe mundësitë e këshillave të tij. Ai i kushton rëndësi të madhe përfshirjes së myslimanëve, dhe në veçanti të të rinjve myslimanë, në projektet komunale.
Përpjekjet e tij janë mirëpritur shprehimisht nga i Ngarkuari për Antisemitizmin i qeverisë së Baden-Württemberg-ut, Michael Blume. "Husein Hamdani dëshmon se bashkëjetesa e feve vendoset konkretisht në komuna”, deklaron Blume në një intervistë për Deutsche Welle-n. "Vendet që nuk duan të përjetojnë konfrontime si në Francë, tani duhet të investojnë në këshillimin komunal për dialogun dhe fenë islame".