1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo gjithçka e gjelbër është energji ekologjike

20 Mars 2013

Gjermania tashmë e ka vendosur daljen nga energjia bërthamore. Edhe në popullsi gjithnjë e më shumë njerëz i drejtohen rrymës "së gjelbër". Por çfarë duhet pasur parasysh kur ndryshon ofruesin?

https://p.dw.com/p/180xo
Fotografi: VRD - Fotolia

Një arsye përse gjithnjë e më shumë gjermanë vendosin për energjinë ekologjike është se prej kohësh nuk ekziston më miti: energjia ekologjike është më e shtrenjtë se ajo normale. "Energjia ekologjike sot nuk është më e shtrenjtë se energjia konvencionale", shpjegon Thomas Svetec, drejtor filiali në Koblenc pranë kompanisë Lichtblick, që ofron energji ekologjike, një nga katër ofruesit më të mëdhenj të kësaj energjie në gjithë Gjermaninë. "Era dhe dielli nuk të dërgojnë faturë. Ndërsa burime si qymyri bëhen gjithnjë e më të rralla dhe si pasojë edhe më të shtrenjta."

Për shumë gjermanë megjithatë vendimtar është aspekti i mbrojtjes së klimës. Energjia ekologjike në pjesën më të madhe buron nga era, dielli, biomasa dhe fuqia e ujit.

Jo të gjitha energjitë ekologjike janë njëlloj

Energji ekologjike mund të marrësh edhe nga ofrues të mëdhenj si RWE, EON, ENBW apo Vattenfall, por kush dëshëron një energji që respekton 100 për qind ambjentin, i drejtohet një ofruesi të pastër të energjisë ekologjike. Shumë nga ofruesit me gjasë ekologjikë, i përkasin koncerneve të mëdha, që fitimet i nxjerrin para së gjithash me centrale bërthamore dhe qymyri dhe bëjnë shumë pak për shtimin e energjisë së ripërtëritshme.

Ligji për energjitë e ripërtëritshme në Gjermani (EEG) i garanton prodhuesve të energjisë ekologjike shitjen e energjisë së tyre me çmime fitimprurëse, por një dobi shtesë për ambjentin krijohet vetëm kur ofruesit e energjisë i zgjerojnë impiantet e energjisë ekologjike përtej asaj çka përcakton ligji.

Gaz organik, fuqi ere dhe kolektorë diellorë në Gjermani
Gaz organik, fuqi ere dhe kolektorë diellorë në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Në sektorin e energjisë ekologjike katër ofrues janë konsoliduar ndër vite: EWS Schönau, Greenpeace Energy, Lichtblick dhe Naturstrom, jo vetëm prodhojnë rrymë nga energji të ripërtëritshme por mbështesin në mënyrë aktive edhe zgjerimin e infrastrukturës për përftimin afatgjatë të energjisë. Po si mund ta dallojë një konsumator një ofrues "të mirëfilltë" energjie ekologjike?

Një xhungël me çertifikata dhe sigla

Gjermanët i duan shumë siglat e cilësisë dhe çertifikatat. Për këtë arsye ka sigla të tilla edhe për energjinë ekologjike. Por në vend që konsumatorit t'i jepet një orientim në xhunglën e tarifave, siglat e shumta të cilësisë shkaktojnë më shumë konfuzion. Dy siglat më të rëndësishme janë Ok-Power, e mbështetur nga Qendra e Konsumatorit në landin e Rinit-Verior Vestfalisë (NRW), institutit Öko dhe WWF-së dhe sigla Grüner-Strom, që mbështetet nga BUND dhe NABU. Për t'i dhënë fund kësaj xhungle të paderpërtueshme siglash, Qendra e Konsumatorit në NRW kërkon një sigël të njësuar për energjinë ekologjike, të ngjashme me atë për produktet biologjike.

Shumë konsumatorë informohen për ofertat në faqe interneti që bëjnë krahasimeve të tarifave. Por Udo Sieverding, drejtues në seksionin për energjinë në Qendrën e Konsumatorit në NRW, shpjegon se kjo nuk është e udhës: "Fondacioni "Warentest" (që merret me kontrollin e produkteve në Gjermani) ka provuar edhe një herë, se nuk ka faqe të sigurta interneti për energjinë ekologjike. Shpresoj që nga ky vlerësim shumë drastik të shtohet trysnia në këtë treg, në mënyrë që të ketë ndryshime dhe përmirësime.“

Në Qendrën për Konsumatorin nuk ka një këshilltar të posaçëm për rrymën ekologjike por një këshilltar të përgjitshëm për energjinë, i cili ndihmon në gjetjen e ofertës së përshtatshme. Shumë konsumatorë thonë se duan të ndryshojnë ofrues në favor të rrymës ekologjike, por që procedura është shumë e komplikuar.

Ndryshim më i thjeshtë

Të presësh sa të përfundojë kontrata, të anulosh kontratën, të lidhësh kontratë të re: për shumë konsumatorë kjo procedurë burokratike është e lidhur me shumë stres dhe mbushjen e bezdisshme të formularëve të panumërt.

Por e gjitha është në të vërtetë shumë e thjeshtë: kërkon ofruesin e rrymës ekologjike, nënshkruan kontratën dhe kaq. Ofruesi i ri merret me dokumentet. Ndryshimi mund të bëhet ose në internet ose direkt në një filial të ofruesit.

Shumë konsumatorë pyesin nëse mund të jenë të sigurtë pas ndryshimit të ofruesit, që nga prizat e tyre del vërtet rrymë "e gjelbër" dhe që po kontribuojnë për mjedisin. Rrjeti publik i rrymës është si një "thes" i madh ku derdhet fillimisht sasia e përgjithshme e energjisë së prodhuar, dhe prej këtej shpërndahet tek të gjithë konsumatorët.

Sa më shumë konsumatorë të ndryshojnë ofrues në favor të atyre ekologjikë, aq më e lartë është pjesa e energjive të ripërtëritshme në sasinë e përgjithshme të rrymës së prodhuar. Në rastin më të mirë shtohet atëherë edhe zgjerimi i impianteve që prodhojnë rrymë nga burime të ripërtëritshme. Aktualisht sasia e energjive të ripërtëritshme në totalin e rrymës së prodhuar është rreth 25 për qind.

Përse pikërisht gjermanët?

Krahas Norvegjiësë, Skandinavisë, Austrisë dhe Zvicrës edhe Gjermania po krijon emër sa i takon energjive të ripërtëritshme. Duket se gjermanët kanë një nevojë të fortë për të dhënë kontributin e tyre në kthesën energjitike.

Studime shkencore për këtë temë nuk ka ende, por për shumë konsumatorë mbrojtja e ambjentit mbetet argumenti më i fortë për rrymën ekologjike: "Unë kam ndryshuar ofrues në favor të rrymës ekologjike pasi kështu jap një kontribut për mbrojtjen e klimës. Bëj diçka për ambjentin dhe ndërgjegjen time. Ndërgjegjia ime tani është e gjelbër", thotë Ann-Christin Kopp nga Bonn-i.

Autor: Kathrin Witsch/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi