Jeta dhe vepra e Georg Büchnerit
Ai nuk jetoi më shumë se 23 vjet . Poeti Georg Büchner la pas tri pjesë teatrale, një tregim dhe disa letra. Ato u bënë të famshme në mbarë botën dhe vihen edhe sot në skenë.
Dramaturgu i apasionuar
Poeti Georg Büchner (1813-1837) ka lënë pas vetëm tri pjesë teatrale, një tregim dhe disa letra. Ai nuk jetoi më shumë se 23 vjet, por ka deri sot një ndikim të veçantë në botë. Pjesa e tij e famshme "Woyzeck" u vu në skenë me shumë mjeshtëri nga trupa belge "NTGent" në verën e vitit 2013, me rastin e 200 vjetorit e lindjes së Büchnerit.
Ç'pamje kishte Büchneri?
Këtë pyetje i bëjnë vetes sot studjuesit e Büchnerit në të gjithë botën. Ka shumë pak portrete të poetit nga koha, kur ka jetuar ai. Në pranverë 2013 u zbulua një vizatim i ri me portretin e poetit. Në një papafingo në qytetin gjerman të Giesenit u gjet një vizatim me laps i bërë nga August Hoffmann në vitin 1833. Ai tregon një djalosh të vendosur.
Në gjurmët e Büchnerit
Studjuesit e Büchner-it sot duhet të bazohen kryesisht në shkrimet, që ai ka lënë. Shtëpia e tij e lindjes në Riedstadt-Goddelau në landin Hessen ekziston ende. Aty u lind Büchner më 17 tetor 1813. Para disa vitesh shtëpia u restaurua. Në vitin jubilar 2013 ekspertët e Büchner-it takohen aty me shumë të interesuar nga e gjithë bota.
Një i ri rebel
Georg Büchner nderohet sot nga studjuesit e germanistikës në të gjithë botën edhe si poet revolucionar. Që në moshë të re ai shtronte pyetje, në adresë të prindërve, shkollës, institucioneve të shtetit. Legjendare është ikja e tij nga shtëpia e prindërve me një shkallë, që e përkujton kjo pllakë përkujtimore në Darmstadt. Por do të ishte gabim ta reduktosh Büchner-in vetëm në rebelimet e tij.
Një vështrim i përgjithshëm
Darmstadti prezanton ekspozitën kryesore për poetin në këtë përvjetor. Asaj i bëhet reklamë prej disa javësh edhe në tramvajët e qytetit. Në ekpozitë paraqiten të gjitha aspektet e Büchner-it. Krahas kundërshtimit të formave autoritare të sundimit ai u bë më vonë edhe një kronist i ndjeshëm i kohës duke u fokusuar në psikologjinë e njeriut.
Tri pjesë teatrale
Tri pjesët teatrale të Büchner-it luhen sot në të gjithë botën. Në Giesen qëndroi në verë edhe një trupë greke, që shfaqi versionin e saj të "Vdekjes së Dantonit". Pjesa përshkruan ngjarjet e revolucionit francez, që e interesonte shumë Büchner-in. Te "Vdekja e Dantonit" poeti i ri përballet me mekanizmat e revolucionit. Një temë, që është aktuale deri sot.
Dashuri dhe pasion
Edhe pjesa e dytë teatrale "Leonce dhe Lena" është bërë një vepër klasike. Këtu e vënë në skenë nga një trupë hungareze, e ftuar në Giesen në qershor 2013 së bashku me shumë grupe të tjera teatrore nga e gjithë bota. Pas fazës revolucionare të fillimit Büchner iu drejtua në vitin 1836 krejt papritur temave të tjera: Në "Leonce dhe Lena" bëhet fjalë për dashurinë dhe pasionet e njeriut.
"Woyzeck" me kukulla
Por pjesa më e luajtur duhet të jetë "Woyzeck". Büchner la vetëm një fragment, premiera u dha 100 vjet pas vdekjes së tij. Te "Woyzeck" ai pasqyron mjerimin e një ushtari të thjeshtë, të cilin mjedisi e bën të çmendet. Revolucionare për atë kohë ka qenë përdorimi i gjuhës së bisedës. Në Giesen pjesa erdhi në skenë me kukulla nga një trupë nga Afrika e Jugut.
Büchner në kinema
Büchner-i ka një ndikim të vazhdueshëm jo vetëm në skenë, por edhe shumë regjisorë filmash i kanë trajtuar veprat letrare të poetit. Më i famshmi është filmi "Woyzeck" i regjisorit Werner Herzog me Klaus Kinskin në rolin kryesor. Për 200 vjetorin e lindjes së Georg Büchner-it ka mundësi të ndryshme për t'i lexuar tekstet e tij dhe për t'i parë ato në skena, apo në kinema.