1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Japonia përkujtoi viktimat e tërmetit shkatërrues

11 Mars 2013

Në mbarë Japoninë u përkujtuan rreth 16 mijë viktimat e katastrofës së para dy vitesh. Perandori Akihito kërkoi që të mos harrohen as njerëzitë e prekur nga kjo katastrofë.

https://p.dw.com/p/17ur9
Fotografi: Reuters

Japonia përkujtoi sot (11.03) me një minutë heshtjeje viktimat e tërmetit shkatërrues dhe katastrofës së cunamit të para dy vitesh. Në mbarë vendin pikërisht në ora 14:46 sipas orës lokale (06:46 - Gjermani) u përkujtuan rreth 16 mijë viktimat e katastrofës. Në kryeqytetin Tokio u zhvillua ceremonia kombëtare përkujtimorem në të cilën morrën pjesë edhe Perandori Akihito e Perandoresha Michiko si dhe kryeministri Shinzo Abe.

Perandori Akihito apeloi tek japonezët që të mos harrojnë ata njerëz që humbën jetën si pasojë e kësaj katastrofe natyrore, por as ata njerëz që në rajonet e prekura ende po jetojnë në kushte shumë të vështira. Të prekurit e kësaj katastrofe nuk duhet të harrohen as nga gjeneratat e ardhshme, paralajmëroi Perandori Akihito, i cili njëkohësisht shfaqi shpresën se me masat e ndërmarra ndërkohë vendi është i përgatitur si duhet për të përballuar katastrofa të reja të mundshme.

Pasojat e Fukushimës deri sot të pallogaritshme

Perandori Akihito e Perandoresha Michiko përkujtojnë viktimat
Perandori Akihito e Perandoresha Michiko përkujtojnë viktimatFotografi: Reuters

Rreth 16.000 vetë humbën jetën, kur një tërmet i fuqisë prej 9,0 shkallë të Richterit goditi më 11 Mars të vitit 2011 verilindjen e Japonisë duke shkaktuar një cunami deri në 20 metra të lartë. Masat e mëdha të ujit pastaj shkaktuan aksidentin në reaktorin e centralin bërthamor Fukushima. Rreth 2700 persona konsiderohen ende të zhdukur. Mbi 315 mijë njerëz jetojnë ende në strehimore të përkohshme. Ndërsa pasojat e Fukushimës kanë mbetur deri sot të pallogaritshme.

Në kryeqytetin e Japonisë viktimat e katastrofës së para dy vitesh janë përkujtuar edhe me protesta në rrugë. Mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e Tokios duke kërkuar mbylljen e centraleve bërthamore. "Ata duhet të ndërprejnë në tërësi prodhimin e energjisë bërthamore, unë dua që qeveria 100% të kalojë në shfrytëzimin e burimeve natyrore të energjisë", u shpreh një protestues.

Autor: Esat Ahmeti (afp, dpa)

Redaktoi: Auron Dodi