Japonia dhe SHBA zgjerojnë aleancën e sigurisë
13 Janar 2023Vetëm pak javë pas riformulimit të strategjisë japoneze të mbrojtjes kryeministri Fumio Kishida takohet të premten (13.01) në Uashington me presidentin e SHBA-së Joe Biden. Të dy vendet janë duke forcuar bashkëpunimin e tyre ushtarak, ekonomik dhe në fushën e teknologjisë duke reaguar kësisoj ndaj ndryshimeve të rrethanave gjeopolitike të sigurisë.
Kishida e cilësoi vizitën e parë të tij në Shtëpinë e Badhë si „shumë të rëndësishme". „Ne do t'i tregojmë pjesës tjetër të botës një aleancë sigurie më të fortë, që krijon boshtin për sigurinë dhe diplomacinë e Japonisë", tha Kishida. "Ne do të prezantojmë edhe bashkëpunimin tonë të mëtejshëm për arritjen e një Indopaqësori të lirë dhe të hapur."
Edhe siguria në rrugën e Tajvanit është në fokus të aleancës së re të përforcuar amerikano-japoneze. Në një deklaratë të publikuar të premten e kaluar (6.01) nga Shtëpia e Bardhë thuhet, se Biden dhe Kishida do të diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në kontekstin e një sërë temash rajonale dhe globale që nga ndryshimi i klimës, teknologjitë e rëndësishme për të ardhmen, programet bërthamore të Koresë së Veriut si dhe luftën në Ukrainë e deri tek „ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rrugën e Tajvanit".
"Sfida më e madhe" Kina
Pikërëndesa e takimit ka të bëjë me orientimin e ri të politikës japoneze të mbrojtjes dhe të sigurisë. Direktivat e riformuluara në dhjetor japin përgjigje ndaj „rrethanave më serioze dhe më të ndërlikuara" të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, thuhet në dokumentin përkatës. Demonstrimi ushtarak i Kinës në Azinë Lindore përshkruhet si „sfida më e madhe strategjike" e të gjitha kohërave. Ndaj Japonia do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen edhe në aleancë me SHBA-në do të marrë përsipër një rol më të rëndësishëm ushtarak.
Kishida do ta rrisë buxhetin për mbrojtjen deri më 2027 në dy përqind të produktit bruto në vend, ndërsa deri tani si kuotë jo zyrtare maksimale ishte një përqind. Njëkohësisht Japonia për herë të parë synon „aftësinë ushtarake kundërsulmuese", për neutralizimin e pozicioneve të raketave në territor armiqësor. Për këtë Japonia do të blejë nga SHBA, 500 raketa dhe do të konstruktojë edhe raketat e veta.
Ndryshimi i strategjisë është hapi i fundit i madh i Japonisë pas një rruge shumëvjeçare drejt një fuqie më të madhe ushtarake. Kryeministri prej shumë vitesh Shinzo Abe në këtë strategji shihte rrugën drejt një Japonie si „fuqi normale". Për vite me radhë Kishida ka qenë ministër i Jashtëm në qeverinë e Abesë dhe e ka mbështetur politikën e tij.
Distancimi nga pacifizmi tradicional i pasluftës në Japoni dëshirohej edhe nga SHBA. Në matjen e forcave me Kinën për Tajvanin dhe rrjedhën e kufijve në lindje të detit jugor kinez SHBA-së i duhet një Japoni më e aftë për të vepruar. "Ndaj presidenti Biden në takimin me Kishidan do të deklarojë mbështetjen e tij për objektivat e reja të Japonisë për mbrojtjen, që kërkojnë një bashkëpunim me SHBA-në për zhvillimin dhe realizimin e saj", mendon politologu Sebastian Maslow nga Universiteti Shirayuri në Sendai.
Në kuadër të takimit mes Biden dhe Kishida të oremten (13.01) do të nënshkruhet edhe një marrëveshjeve për sigurinë kibernetike nga ministri japonez i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Yasutoshi Nishimura si dhe ministri i SHBA-së për Mbrojtjen e Atdheut.