Jakov Millatoviq zyrtarisht president i ri i Malit të Zi
20 Maj 2023Me bërjen e betimit në Parlamentin e Malit të Zi para deputetëve, ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe liderëve të rajonit të Ballkanit Jakov Millatoviq mori zyrtarisht detyrën e Presidentit të Malit të Zi me një mandat mandat pesëvjeçar. Millatoviq pas betimit mbajti fjalimin e tij të parë ku tha se ”do të jem një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare”. Momenti aktual ka karakter historik, tha Millatoviq duke shprehur se ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokacisë ngjall shpresë se në një mjedis më të lirë do të zgjidhen çështjet e hapura të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi”. Presidenti i ri veçoi se synimet e tij mbesin integrimi i vendit në familjen evropiane, bashkëpunimi me fqinjët, Mali i Zi pjesë e familjes euroatlantike”. "Jemi të vetëdijshëm që obligimet janë të mëdha por Mali i Zi ka vullnet politik, dëshirë dhe kapacitet për realizimin e këtij qëllimi” veçoi presidenti i sapoemëruar Jakov Millatoviq.
Në ceremonine e inaugurimit ishin të pranishëm presidentët e vendeve të rajonit përfshirë atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Gabriel Escobar dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian(BE). Presidenti i ri Millatoviq organizoi një pritje për rreth 700 të ftuar në Vilën Gorica. Të gjitha inaugurimet e mëparshme të Presidentëve janë zhvilluar në Cetinjë që është dhe kryeqyteti historik i Malit të Zi, por Millatoviq vendosi për Podgoricën.
Kush është Jakov Millatoviq – presidenti i ri i Malit ë Zi
Millatoviq, njëri nga liderët e lëvizjes "Evropa tani” arriti në raundin e dytë të zgjedhjve presidenciale të muajit prill të mundë bindshëm presidentin Milo Gjukanoviq. Ai ka lindur në Podgoricë në vitin1986, ku ka kryer shkollën fillore, atë të mesme dhe fakultetin ekonomik. Më pas ai si student i shkëlqyer ka marrë disa bursa specializimi ne SHBA dhe në vende të ndryshme të Evropës, dhe magjistraturën e ka kryer në Universitetin e Oksfordit. Millatoviq ka qenë ministër për Zhvillimin Ekonomik në qeverinë e Zdravko Krivokapiqit si dhe kandidat për kryetar bashkie të Podgoricës. 37-vjeçari, Jakov Millatoviq, është presidenti i parë që nuk është nga radhët e partisë Demokratike të Socialistave të Gjukanoviqit, e cila pati pushtetin në Mal të Zi për tri dekada, deri në gusht të vitit 2020 kur i humbi zgjedhjet.