1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IIzraeli shpall “një fazë të re lufte kundër Hizbollahut”

1 Tetor 2024

Gjithnjë e më shumë tregues dhe njoftime të bëjnë të mendosh për një ofensivë tokësore izraelite në Liban. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Gallant u shpreh për një "fazë të re lufte kundër Hezbollahut".

https://p.dw.com/p/4lGQj
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant duke biseduar me forca të sigurisë
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav GallantFotografi: Menahem Kahana/AFP

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u shpreh për një fazë të re të luftës së Izraelit në kufirin me Libanin,  e cila pritet të nisë së afërmi . "Faza tjetër në luftën kundër Hezbollahutdo të fillojë së shpejti”, thuhet në një deklaratë të zyrë së tij. E paqartë është nëse Gallant me këtë deklaratë i referohet një pushtimi të mundshëm nga ana e Izraelit.

Qëllimi i luftës, tha Gallanti përpara ushtarëve në veri të vendit, është që të mundësojë kthimin e izraelitëve që kishin ikur nga zona kufitare. "Ne do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme - nga ajri, deti dhe toka," tha ai. Sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve AP, Izraeli ka filluar tashmë disa operacione të vogla dhe të kufizuara tokësore në anën libaneze të kufirit. Megjithatë nga ushtria izraelite nuk ka ende konfirmim për këtë .

Yoav Gallant duke inspektuar zonën kufitare, Gallant shikon me dylbi
Yoav Gallant duke inspektuar zonën kufitareFotografi: Ariel Hermoni/Israel Mod/ZUMA Press Wire/picture alliance

Trupa dhe forca speciale në zonën kufitare

Sipas njoftimeve të radio-televizionit publik gjerman ARD në zonën kufitare me Libanin ishin parë trupa dhe njësi speciale të ushtrisë izraelite, që kishin synim të mblidhin informacione për tunele të mundshme.

Tani prania e tyre është zgjeruar, ndoshta si përgatitje për operacione të mundshme tokësore,  të cilat fillimisht do të fokusohen në zonën kufitare. Ushtria izraelite nuk ka thënë ende asgjë zyrtarisht në lidhje me këto njoftime. 

Por sipas burimeve ushtarake tre qytete kufitare veriore janë shpallur "zona të mbyllura ushtarake" - gjë që mund të jetë tregues për një ofensivë të mundshme tokësore.