Izraeli do të ndërtojë vendbanime të reja
21 Shkurt 2020"Kam sot risi të mëdha", tha kryeministri, Benjamin Netanjahu në një video-mesazh. "Ne do të shtojmë në Har Homa edhe 2200 njësi të tjera banimi." Gjithsej do të ndërtohet 5200 banesa për banorët hebrej, njoftoi Netanjahu. Kjo është arritur "pavarësisht rezistencës së madhe ndërkombëtare".
"Goditje për zgjidhjen me dy shtete"
Vendbanimi i diskutueshëm në Har Homa në pjesën lindore të aneksuar të Jeruzalemit është ndërtuar nën qeverinë e mëparshme të Netanjahut në vitin 1997. Popullsia në Har Homa me ndërtimet e reja do të shtohet nga 40.000 aktualisht në 50.000, tha Netanjahu. Po ashtu do të ndërtohen disa mijëra njësi banimi në Givat Hamatos në afërsi të lagjes Beit Safafa të Jeruzalemit Lindor, ku jetojnë kryesisht palestinezë. 3000 shtëpi janë ndërtuar për banorët hebrej dhe 1000 të tjera "për banorët arab të Beit Safafa", vuri në dukje Netanjahu.
Organizata joqeveritare Peace Now e kritikoi nismën e ngulimeve në Givat Hamatos si "goditje të rëndë për planin e zgjidhjes me dy shtete", sepse kjo do ta shkatërronte territorin e ndërmjetëm palestinez mes Ramallahut dhe Jeruzalemit Lindor, deklaroi organizata. Nëse ndërtohen këto njësi banimi nuk do të jetë më e mundur që të lidhet Bethlehemi në jug të Jordanit Perëndimor me Jeruzalemin Lindor.
Një zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmud Abbas tha, se Izraeli o shkatërron mundësinë e zgjidhjes me dy shtete, që parashikon një shtet izraelit dhe një palestinez. Zëdhënësi paralajmëroi, se përpjekjet e Netanjahut për të mbledhur vota në skajin e djathtë në kurriz të palestinezëve nuk sjellin as paqe dhe as stabilitet. Në vend të kësaj tensionet dhe dhuna do të rriten.
SHBA në anën e Izraelit
Në Jordanin Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në Jeruzalemin Lindor jetojnë ndërkohë mbi 600.000 banorë izraelitë. Politika e ngulimeve të Izraelit është e diskutueshme. Këshilli i Sigurimit në fund të vitit 2016 i kërkoi Izraelit që ta ndërpresë plotësisht procesin e ndërtimeve në territoret e pushtuara palestineze duke përfshirë edhe Jeruzalemin Lindor. Vendbanimet në rezolutën e OKB-së 2334 janë cilësuar si shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe si pengesë e madhe për paqen në Lindjen e Mesme.
SHBA në të kundërt në nëntorin e kaluar e ndryshuan qëndrimin, duke mos i konsideruar më si shkelje të së drejtës ndërkombëtare ngulimet izraelite në Jeruzalemin Lindor. SHBA nën presidentin Donald Trump janë pozicionuar qartë në anën e Izraelit. Në planin për Lindjen e Mesme të Trumpit të prezantuar në janar në prani të kryeministrit izraelit Netanjahu, parashikohet njohja e vendbanimeve izraelite në Jordanin Perëndimor.
Zgjedhjet e treta parlamentare brenda një viti
Izrael më 1967 gjatë luftës gjashtë-ditore ndër të tjera pushtoi Jordanin Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor. Palestinezët duan në këtë territor një shtet të pavarur palestinez me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet.
Më 2 mars në Izrael zhvillohen zgjedhjet e treta të parakohshme parlamentare brenda një viti. Si Netanjahu edhe rivali i tij Benny Gantz nga aleanca e qendrës blu-bardh deri tani kanë dështuar me krijimin e qeverisë.
pgr/qu (afp, dpa)