Ish-papa Benedikt XVI kërkon falje për abuzimet në kishë
9 Shkurt 2022Ish-papa Benedikt sot 94 vjeçar, në letrën e tij bën fjalë për "turp thellësisht dhe dhimbje të madhe".
"Unë kam mbajtur përgjegjësi të madhe në Kishën Katolike. Edhe më e madhe është dhimbja ime për abuzimet dhe gabimet, që kanë ndodhur në kohën e shërbimit tim në vende përkatëse ku ato kanë ndodhur", shkruan Papa i tërhequr nga pontifikati në prononcimin e tij, publikuar nga Vatikani dhe lexuar në një video në internet nga sekretari i tij privat Georg Gänswein. Në të Benedikti shpreh "turp të thellë", "dhimbje të madhe dhe "një lutje të sinqertë për ndjesë ndaj të gjitha viktimave të abuzimit seksual".
Njëkohësisht 94 vjeçari kategorikisht hedh poshtë akuzat, se ai si Kryeipeshkv i Mynihut (1977-1982) i ka mbuluar rastet e abuzimeve. Ai gjithashtu nënvizon, se as ka gënjyer dhe as ka retushuar në deklarimet e tij për ekspertizën e publikuar në fund të janarit nga avokatia Westpfahl Spilker Wastl (WSW).
Këto akuza hidhen poshtë kategorikisht në një "faktencheck" (verifikim faktesh) të publikuar nga avokatët e këshilltarët e Ratzingerit (ish-Papa Benedikti): "Ekspertiza nuk përmban asnjë dëshmi për akuzën e qendrimit të gabuar ose të bashkëveprimit për ndihmë në fshehjen e fakteve", thuhet në të. "Si kryeipeshkv kardinali Ratzinger nuk ka qenë i involvuar në fshehjen e akteve të abuzimit."
Reagimet ndaj kësaj deklarate luhaten. Nga një anë kritika me zhgënjim deri në vlerësimin si "një qëndrim çlirues". Juristi kishtar Thomas Schüller e konsideron deklaratën e Benediktit të pamjaftueshme. Ai flet për gabime dhe abuzime, por e përjashton veten. "Pra sikur forca që mbeten anonime janë ato që kanë bërë gabime në kryeipeshkvinë Mynih-Freising, e jo ai", kritikon Schüller, i cili drejton Institutin e së Drejtës Katolike në Universitetin e Mynsterit. "Ai nuk merr përsipër përgjegjësi personale dhe nuk nxjerr konsekuenca personale", thotë eksperti.
Nisma e viktimave të abuzimit "Eckiger Tisch" është shprehur e zhgënjyer e madje edhe e indinjuar: "Dhimbje dhe turp - të prekurit nuk mund ta dëgjojnë më këtë", komunikoi kjo nismë. "Dekalara e ish-Papës i shtohet relativizimeve të vazhdueshme që i bën kisha çështjes së abuzimeve: Abuzime dhe gabime kanë ndodhur, por askush nuk merr përgjegjësi konkrete."
Çfarë përmban ekspertiza?
Ish-Papa Benedikt i XVI i tërhequr nga pontifikati ngarkohet me përgjegjësi në ekspertizën për abuzimet në kryeipeshkvinë e Mynihut dhe Freisingut. Sipas ekspertizës ish-kryeipshkevi i Mynihut, Joseph Ratzinger, në katër raste nuk ka ndërmarrë asgjë kundër klerikëve të akuzuar për abuzime, thonë investiguesit në Mynih. Në një prononcim Benedikti e pati hedhur poshtë "kategorikisht" përgjegjësinë, por investiguesit e konsiderojnë këtë si jo të besueshme.
Në dy raste, kur ekspertiza konstatonte qëndrim të gabuar të ish-kryeipeshkvit të Mynihut, bëhej fjalë për klerikë, të cilët kishin kryer disa abuzime edhe të atestuara prej gjykatave shtetërore. Të dy priftërinjtë kanë vazhduar megjithatë të mbahen në strukturat e kishës dhe nga ana e së drejtës kishtare nuk është ndërmarrë asgjë kundrejt tyre. Po ashtu vërehet në ekspertizë, se nuk ka pasur ndonjë interesim të "dukshëm" të Ratzingerit lidhur me viktimat e abuzimeve.
Investiguesit ndërkohë janë të bindur, se Ratzinger ka pasur dijeni për të kaluarën e errët të priftit Peter H., i cili në vitet 1980 kishte shkuar në Mynih nga Ipeshkvia e Essenit. H. kishte qenë i dënuar si pedofil dhe më vonë edhe në ipeshkvinë e Mynihut vazhdonte me veprime abuzive. Avokati Martin Pusch tha, se Ratzinger gjatë përpilimit të ekspertizës fillimisht kishte "mbajtur qëndrim refuzues". Por më vonë kishte ndryshuar qëndrimin duke u pozicionuar me shkrim me hollësi.
Gjithsej të paktën 235 doras
Investiguesit në ekspertizën e tyre mbi abuzimet në kryeipeshkvinë e Mynihut dhe Freisinugt kanë zbardhur 235 doras të pandehur nga vitet 1945 deri më 2019. Prej tyre 173 kanë qenë priftërinj, thotë avokati Pusch. Numri i të dëmtuarve është 497. Prej tyre janë 247 viktima meshkuj dhe 182 femra. Në 68 raste gjinia nuk ka mundur të konstatohet. Kjo konfimorn, që kanë qenë kryesisht fëmijë dhe minorenë meshkuj të prekur.
Në gati 60 përqind të rasteve të prekurit kanë qenë në moshën 8 deri në 14 vjeç. Shumica e rasteve kanë ndodhur në periudhën e viteve 1960 dhe 1970, konstaton Pusch. Bie në sy që shumë raste janë njoftuar direkt prej të prekurve nga viti 2015. Avokati thekson, se me këto shifra kemi të bëjmë me pjesën e zbardhur të këtij kapitulli, por pjesa e errët e tij mund të ketë edhe më shumë raste.
67 klerikë, sipas Pusch, nisur nga "intensiteti i rasteve" në bazë të së drejtës kishtare do të duhej të ishin sanksionuar. Në 43 raste sanskionimi ka qenë i butë. Në 40 raste të tjera dorasit, ndër ta edhe 18 priftërinj, janë mbajtur të angazhuar në kishë edhe pas dënimeve që kanë marrë në gjykatat shtetërore.
Viktimat janë lënë vetëm
Pusch tha, se personat e prekur prej abuzimeve që nga viti 2002 nuk janë marrë aspak në konsideratë prej atyre që janë përgjegjës në kishë. Edhe nëse në disa raste viktimat janë kontaktuar nga kisha, kjo është bërë jo aq për trajtimin e zbutjen e vuajtjes që ata kanë përjetuar, por më shumë nisur nga fakti që kisha i ka konsideruar ata si kërcënim ndaj reputacionit të institucionit, thotë avokati.
Investigimi i mandatuar nga kryeipeshkvia e Mynihut dhe Freising është publikuar i plotë në internet nga kancelaria Westpfahl Spilker Wastl. Ekspertiza ka një volum prej më shumë se1600 faqesh.
uh/AR (dpa, kna, afp)