1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hitzlsperger: "Jam homoseksual"

Eliana Xhani (dw, dpa, rtr)9 Janar 2014

Thomas Hitzlsperger është i pari futbollist i njohur gjerman, që bën publik homoseksualitetin e tij. Synimi i tij është të çojë përpara diskutimin për homoseksualitetin në radhët e sportistëve profesionistë.

https://p.dw.com/p/1AnkV
Thomas Hitzlsperger
Fotografi: picture-alliance/empics

Ka qenë një "proces i gjatë dhe i vështirë", të pranoja se isha homoseksual, i tha ish futbollisti i kombëtares gjermane Thomas Hitzlsperger gazetës javore "Die Zeit": "Vetëm vitet e fundit m'u bë e qartë se dëshiroja më mirë të jetoja me një mashkull." Hitzlsperger tha se ndien, që tani pas përfundimit të karrierës kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të dalë publikisht me orientimin e tij seksual. Hitzlsperger iu referua edhe Lojërave Dimërore Olimpike së shpejti në Soçi: "Mendoj se nevojiten zëra kritikë kundër fushatave të shumë qeverive kundër homoseksualëve."

Thomas Hitzlsperger
Fotografi: Getty Images

Në futboll, në Gjermani, Angli, apo Itali, ku ai ka luajtur, homoseksualiteti në sport "thjesht injorohet", thotë Hitzlsperger. Ai u shpreh se nuk njeh personalisht asnjë futbollist, që të ketë tematizuar homoseksualitetin e vet. Klisheja se homoseksualët janë qullacë dhe nuk kanë vend në futbollin profesionist, vazhdon të jetë mjaft e përhapur. "Kush e sheh si 'jo burrërore' performancën time në fushë, ndoshta nuk ke çfarë t'i bësh. Unë kam qenë një lojtar i fortë, me një goditje shumë të fuqishme."

Westerwelle: nuk është e lehtë, sa duket

Jehona ndaj fjalëve të Hitzlsperger ishte e madhe. Ish futbollisti i kombëtares mori në përgjithësi lëvdata dhe vlerësime për hapin e tij. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se është pozitive, që Hitzlsperger "flet për diçka, që është për të e rëndësishme dhe ndoshta edhe e lehtëson". "Ne jetojmë në një vend, ku askush nuk duhet të ketë frikë të pranojë seksualitetin e vet vetëm për shkak të frikës nga intoleranca."

Sipas ish ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, guximi i Hitzlsperger meriton respektin maksimal: "Hapi i tij për të dalë publikisht duket shumë më i lehtë, nga sa është në të vërtetë."

Thomas Hitzlsperger
Fotografi: picture-alliance/AP

Traineri i kombëtares gjermane Lëw tha se uron që deklarata e Hitzlsperger "të kontribuojë tek të gjithë ne për një qendrim më të qetë ndaj kësaj tematike". Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) Wolfgang Niersbach i premtoi ish lojtarit të kombëtares "çdo lloj mbështetje të nevojshme". Nga Anglia, ku është i angazhuar aktualisht, lojtari i kombëtares gjermane të futbollit Lukas Podolski i dërgoi këtë mesazh në Twitter Hitzlspergerit: "Hap i guximshëm dhe i drejtë. Respekt Thomas Hitzlsperger! Një sinjal i rëndësishëm në kohën e sotme."

52 ndeshje ndërkombëtare

31-vjeçari Hitzlsperger e përfundoi karrierën e tij në futboll në fillim të shtatorit. Së fundi ai luante për FC Everton në Angli. Në kampionatin gjerman mesfushori ka qenë i angazhuar tek VfB Stuttgart dhe VfL Wolfsburg. Mes viteve 2004 dhe 2010 Hitzlsperger ka marrë pjesë në 52 ndeshje ndërkombëtare për ekipin kombëtar gjerman të futbollit.