1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Isa Mustafa: Të gatshëm të bisedojmë me opozitën

Bekim Shehu11 Qershor 2016

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për Deutsche Wellen mbi debatin me opozitën për demarkacionin me Malin e Zi, dialogun me Serbinë, vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe Gjykatën Speciale.

https://p.dw.com/p/1J4nF
Primeminister of Kosovo Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës, Isa MustafaFotografi: DW/B. Shehu

DW: Zoti Kryeministër, sa jeni i bindur se do të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, në parlamentin e Kosovës. Mund të themi se kjo çështje do të kalojë në parlament pa telashe, tashmë ajo është edhe kriter për liberalizimin e vizave?

Mustafa: Ne kemi qenë të befasuar me përfshirjen e çështjes së demarkacionit si kriter në liberalizimin e vizave, sepse një kriter i tillë nuk është aplikuar tek vendet e tjera. Mirëpo, megjithatë ne jemi falënderuar ndaj Komisionit Evropian për dhënjen e rekomandimit pozitiv, por tash duhet të punojmë edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe me opinionin, sepse është politizuar çështja e demarkacionit, në mënyrë që kjo të kalojë në kuvend dhe të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi. E vërteta është se ne nuk e kemi asnjë kontest pronësor apo shtetëror me Malin e Zi, por kemi marrëdhënie të mira në të gjitha fushat dhe mendoj, se ky duhet të jetë argument kryesor që kjo çështje të kalohet. Për neve është me rëndësi që Mali i Zi është deklaruar se në çdo moment ata do të jenë në gjendje të diskutojnë çdo argumentim të ri, në qoftë se eventualisht do të ishte bërë ndonjë gabim në shënimin e vijës kufitare, mirëpo deri tash komisioni nuk ka konstatuar se është bërë ndonjë lëshim në shënimin e kësaj vije kufitare. Ka pasur vërejtje nga opozita, por ne do të mundohemi ta menaxhojmë këtë dhe të ratifikohet.

DW: Zoti Kryeministër ka zëra brenda koalicionit qeverisës, të cilët thonë se çështja e demarkacionit duhet diskutuar mirë para se të hyjë në parlament për ratifikim. Sa ekziston mundësia që marrëveshja e demarkacionit të mos ratifikohet në parlament, të mos arrihet tek dy të tretat e votave për ratifikim?

Mustafa: Rreziku ekziston gjithmonë, por për ne është me rëndësi që të punojmë në parlament, të punojmë me të gjitha komisionet e kuvendit të punojmë me të gjithë deputetët, sidomos me deputetët që gravitojnë nga pjesa e Dukagjinit, sepse ata janë me të ndieshëm me këtë çështje, sepse atje ka qenë një kufi administrativ që e ka nda atëherë krahinën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, që ka qenë kufi i ngurtë shtetëror dhe natyrisht njerëzit i kanë shfrytëzuar ato hapësira qoftë për kullosa, qoftë për nevoja të tjera dhe kurrë nuk e kanë konsideruar që vija kufitare i ka ndarë ato, prandaj është vështirë t'u thuhet se ju nuk keni të drejtë të kaloni andej dhe t'i shfrytëzoni ato hapësira, edhe pse me marrëveshje ndërshtetërore mund të bëhet, por ne duhet të punojmë me njerëzit.

DW: Zoti Kryeministër, jeni të gatshëm të diskutoni me partitë opozitare para se çështja e demarkacionit të shkojë në parlament për ratifikim?

Mustafa: Gjithsesi, ne kemi qenë të gatshëm ta diskutojmë edhe kur ishte komisoni, jemi ulur në një tavolinë edhe me opozitën dhe me rëndësi është që pra që jemi ulur bashkë, ka pasur qëndrime kundër të opozitës, por ne jemi të gatshëm prapë që të ulemi dhe me mendje të ftohtë dhe të arsyeshme t'i bisedojmë të gjitha këto çështje dhe të

gjejmë një zgjidhje të përbashkët.

DW: Sa shqetësuese është, nëse Kosova futet prapë në një krizë politike nëse merret parasysh fakti që opozita paralajmëron se do të përdorë çdo metodë që ta parandalojë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi?

Mustafa: Mendoj se është shqetësuese, sepse do të ishte një gabim i madh, nëse do të kthehej edhe njëherë gazi lotsjellës në kuvend dhe të kthehet dhuna në rrugë, sepse kjo është treguar e pasuksesshme dhe është treguar mjaft e dëmshme për Kosovën dhe për proceset, të cilat ne i kemi kaluar dhe ky është një argument i mirë edhe për opozitën, sepse nuk ju ka dhënë asnjë sukses në avancimin e tyre politik, përpos që e ka degraduar situatën dhe ka dhënë një fotografi të keqe për Kosovën dhe demokracinë tonë që ne po e zhvillojmë. Prandaj unë mendoj se ata duhet të heqin dorë nga dhuna dhe në vend të dhunës të shfrytëzojnë foltoren e kuvendit, të ofrojnë argumente dhe në qoftë se ata na bindin me argumente, ateherë ne si pozitë do të jemi të kujdesshëm që çdo gjë që është e argumentuar ne ta marrim parasysh.

DW: Zoti Kryeministër të flasim për dialogun me Serbinë. Disa marrëveshje që janë arritur nuk po gjejnë zbatim nga ana e Serbisë si keni deklaruar ju disa herë. Ka vend këtu për një riformatim të dialogut me Serbinë?

Mustafa: Ka vend që ky dialog të jetë më i sukseshëm dhe ta bëjmë punën që mos të diskutojmë dy herë për një marrëveshje. Pra njëherë ne jemi ulur dhe kemi diskutuar sesi ta arrijmë një marrëveshje, ndërsa prapë jemi ulur dhe kemi diskutuar edhe më gjatë sesi ta zbatojmë atë marrëveshje. Pra tash kemi disa marrëveshje që nuk po implementohen, siç janë marrëveshja për kodin telefonik, marrëveshja për energjinë, marrëveshja për rikonstruktimin e urës mbi lumin Ibër, është zhbërja e strukturave paralele, të cilat akoma funksionojnë edhe përkundër asaj që Lista “Serpska”, ka nga një kryetar në komunat me shumicë serbe, por prapë ka nga një organ paralel në ato komuna, kemi përfundimin e zhbërjes së procesit të “civilna zashtita” dhe kemi asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacionin e komunave më shumicë serbe duhet ta formojmë mbi bazën e asaj, sesi e ka definuar Gjykata Kushtetuese, e cila e ka pranuar faktin që ky asociacion duhet të formohet mbi bazën e marraveshjes së parë, por duhet të ruhet fryma kushtetuese dhe korniza kushtetuese në këtë rast.

DW: Do të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe edhe pa u zbatuar marrëveshjet e tjera me Serbinë?

Mustafa: Zhvillimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve duhet të ndërlidhet paraprakisht, por asociacionin duhet ta ndërlidhim me zhbërjen e strukturave paralele serbe, sepse do të ishte e pakuptimtë, që ne ta themelojmë asociacionin në kohën kur akoma veprojnë strukturat paralele serbe.

DW? A mund të thuhet se zhbërja e strukturave paralele është kusht për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Mustafa: Kjo është një përgjegjësi që duhet të realizohet nga të dyja palët, sepse ne nuk mundemi të shkojmë parpara me disa procese, ndërsa kemi procese që e degradojnë asociacionin dhe vazhdimi i funksionimit të strukturave paralele do ta pengojë edhe shtrirjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vet.

DW: Zoti Kryeministër, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, i cili i njeh këtij manastiri të drejtën mbi 24 hektarë tokë përreth tij. Ky vendim nuk është njohur dhe është kundërshtuar nga banorët lokal, madje ata po protestojnë vazhdimisht. Ky kundërshtim sa i rrezikon raportet shqiptaro serbe?

Mustafa: Kjo çështje nuk duhet të ndërlidhet drejtpërdrejt me raportet shqiptaro-serbe, por të ndërlidhet me faktin që gjykata e ka prurë një vendim të tillë. Ne deri tash nuk kemi pasur rast që është kundërshtuar një vendim i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse nganjehërë nuk na kanë pëlqyer këto vendime. Vendimi i gjykatës duhet të respektohet, sepse është fjala për një vendim nga organi më i lartë që e interpreton kushtetutën e vendit dhe ne nuk duhet të vëmë në pikëpyetje realizimin e Gjykatës Kushtetuese.

DW: Ju sapo jeni dakorduar në qeveri për vazhdimin e mandatit të misionit EULEX. Pse duhet vazhduar mandati i këtij misioni, ka mosfunksionim të sistemit të drejtësisë në Kosovë?

Mustafa: Sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë, unë mendoj se ka mjaft ecuri pozitive edhe tek prokuroria e shtetit edhe tek gjyqet edhe tek policia, pra ka një gjallëri më të madhe, ka trajtim më të shpejtë të lëndëve, po merren masa edhe kundër uzurpatorëve të pronës shoqërore dhe pronës publike. Në anën tjetër e kemi EULEX-in që është duke trajtuar një numër të lëndëve nga e kaluara, për të cilat ekziston mirëkuptimi që ata të vazhdojnë t'i trajtojnë ato lëndë, pra edhe më tutje kemi nevojë që akoma të jenë këtu në mbështetje të institucioneve të drejtësisë dhe ne jemi pajtuar që EULEX të qëndrojë edhe më tutje deri në vitin 2018. Natyrisht ka mbetur edhe një çështje që nuk është definuar përfundimisht, është çështja e lëndëve të reja, për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri të plotë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian, por unë mendoj se se deri më datën 14 qershor, të gjitha çështjet do të harmonizohen dhe ne të thellojmë partneritetin me Bashkimin Evropian.

DW: Zoti Kryeministër, a ndërlidhet vazhdimi i mandatit të misionit EULEX edhe me funksionimin e Gjykatës Speciale?

Mustafa: Kjo nuk ndërlidhet drejtpërdrejt, sepse nuk prek shumë në atë, por çështja e Gjykatës Speciale mbetet e veçantë. Unë mendoj se ajo çështje do të realizohet dhe ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet sa i përket Gjykatës Speciale, mbetet vetëm edhe të përmbushen ato të Bashkimit Evropian dhe të aktivizohet kur institucione të BE-së ta konsiderojnë se janë plotësuar të gjitha kushtet.