1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IS nuk mund të mundet me luftë

Matthias von Hein26 Prill 2015

IS ka ekzekutuar disa gazetarë para kamerave. Megjithatë publicisti Jürgen Todenhöfer ka udhëtuar në dhjetor atje 10 ditë. Të hënën ai do të prezantojë edhe librin e tij për këtë udhëtim. DW ka biseduar me autorin.

https://p.dw.com/p/1FEw5
Jürgen Todenhöfer
Fotografi: picture alliance/ZB

DW: Ju keni pasur mundësinë të njihni të ashtuquajturin Shteti Islamik (IS) nga brenda për 10 ditë me radhë. Cilat janë njohuritë kryesore nga ky udhëtim?

Jürgen Todenhöfer: E para, IS është armata më e rrezikshme terroriste në historinë moderne. E dyta, ne e kemi krijuar vetë këtë terrorizëm përmes luftës sonë antiterroriste në Irak. Pas 11 shtatorit 2001, në shpellat e Afganistanit ka pasur rreth 1000 terroristë ndërkombëtarë. Ndërsa sot kemi rreth 100.000 terroristë ndërkombëtarë. Pra: ne e kemi krijuar vetë këtë terrorizëm përmes strategjisë sonë të bombardimeve. Pas këtyre dhjetë ditësh, dhe profesionalitetit që kam parë atje, fanatizmit të tyre, mund të apeloj tek qeveria federale që të angazhohet për një zgjidhje politike në Irak dhe në Siri. Kjo do të thotë se sunitët duhet të kenë më shumë të drejta. Dhe e katërta, pas konstatimit atje se e gjitha ajo që përfaqëson IS nuk ka të bëjë fare me fenë islame, të gjithë të rinjve në Perëndim mund t'ju them: mos shkoni atje. Kjo nuk ka të bëj asgjë me fenë islame. Asgjë. Ju e dëmtoni kështu fenë tuaj. Në esencë, ky nuk është ndonjë shtet islamik, por një shtet anti-islamik, i cili do të duhej të quhej në fakt Shteti Anti-Islamik (AIS).

Ne e trajtojmë IS si një organizatë terroriste. Sa mund të vërehet ky lloj shteti në Mosul?

Jürgen Todenhöfer: Atje nuk shihet asgjë nga ato që shihen në videot propaganduese. Shumë njerëz mendojnë se tërë ditën parakalojnë atje makina me flamuj të zinj, njerëz të maskuar që mbajnë armët lart në dorë dhe tërë kohën heqin koka njerëzish. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Mosuli duket si një Mosul normal. Në rrugë dhe rrugica janë të hapura dyqanet dhe njerëzit shkojnë e blejnë krejt normalisht, lëvizin lirisht. Atje nuk shihet asgjë nga IS. Ndonjëherë shihen flamuj, targat kanë vulën e IS. Policia ka uniforma të IS, por duket krejt normalisht. Ekziston pra një normalitet i të keqes. Dhe kjo përjetohet kur shkon në IS.

Jürgen Todenhöfer
Jürgen TodenhöferFotografi: Jürgen Todenhöfer

A ekziston ajo që quhet strukturë e shtetit dhe administratë – gjykata, spitale?

Jürgen Todenhöfer: Unë edhe vetë kam qenë dikur jurist dhe kam biseduar me njerëz kompetentë atje. Ata mendojnë: ky është de facto një shtet. Ai ka pushtetin në një territor të caktuar. Popullata e pranon atë në pjesën më të madhe. Ekziston edhe policia e trafikut, që nuk janë luftëtarë të IS. Ekziston edhe ana juridike, gjykatat civile dhe njerëzit i lavdërojnë shumë ata. Ata thonë: këtu merren vendimet shpejt dhe nuk duhet të paguash për këtë. Më parë gjithmonë është dashur të pritet. Ata paguajnë tatime. Ata kanë edhe një lloj kujdesi shëndetësor. Kanë spitalet që funksionojnë. Por vuajnë nga mungesa e medikamenteve, sepse bojkotohen medikamentet nga Bagdadi. Por ky është një shtet funksional. Unë e kam njohur Mosulin, sepse atje kam qenë edhe në kohën e luftës - në vitin 2002. Dhe tani nuk ka parë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Por më duhet të saktësoj: në vitin 2002 në Mosul ka pasur edhe lagje të krishtera, disa lagje kanë qenë multikulturore, të cilat e kanë bërë këtë qytet të famshëm. Kjo tani më nuk ekziston, sepse të gjithë shiitët, të krishterët dhe jezidët janë dëbuar ose kanë ikur. Por kjo nuk shihet, nëse nuk shkon në vendet ku kanë jetuar të krishterët, jezidët dhe shiitët. Disa dëbohen me dhunë, ndërsa të tjerë vijnë vullnetarisht.

Ne në Gjermani, në Evropë, befasohemi që mijëra njerëz vullnetarisht shkojnë për të luftuar në xhihad dhe bëhen pjesë e milicëve terroristë. Ju keni mundur të flisni me ta. Pse shkojnë atje?

Jürgen Todenhöfer: Unë kam qenë në një qendër rekrutimi në afërsi të kufirit, ku çdo ditë vijnë më shumë se 50 persona. Atje ka një duzinë këso qendrash. Ata vijnë me një entuziazëm të madh atje. Ata janë njerëz të rinj, pjesërisht të arsimuar dhe inteligjentë. Një njeri nga Karaibet i veshur me petka elegante dhe me syze Ray-Ban. E pyeta: Pse keni ardhur këtu? Ai u përgjigj: Unë tani kam përfunduar provimin e dytë shtetëror në juridik. Kam marrë lejen e gjykatave për punë. Por dua të luftoj për IS, pavarësisht se ku ju duhem. Gjatë shetitjes rrugëve të Mosulit kam takuar një njeri të gjatë, me flokë të verdha. Menjëherë shihej se nuk është irakian. Një suedez i cili tha: „Këtu po jetoj kohën më të mirë të jetës sime!“ Atje është bërë një spastrim truri, me një sukses të jashtëzakonshëm. IS nuk është vetëm i fuqishëm, që ndërkohë ka marrë nën kontroll një territor të madhësisë sa Britania e Madhe. Por IS për një grup të caktuar të të rinjve është bërë shumë atraktiv. Këta të rinj shohin heqje kokash nga IS, djegie të njerëzve, keqtrajtime, prerje duarsh. Por thonë: „këtu ka shkaqe të rëndësishme pse kjo është e drejtë. I dobëti duhet të jetë brutal, sepse nuk mund të jetë i mëshirshëm.“ Një zhvillim i tmerrshëm dhe shumë i rrezikshëm.

Cilat janë mjetet me të cilat mund të luftohet IS?

Jürgen Todenhöfer: Mund të ketë vetëm një zgjidhje politike. Zgjidhje ushtarake nuk do të ketë. Këtu nuk ndihmojnë as sukseset ushtarake për të cilët flasin amerikanët. Pak orë pas Tikritit, për të cilin amerikanët thonë se „është pastruar“, IS e ka marrë vendin Ramadi, që është shumë më i madh. Ndërkohë ka marrë edhe të gjithë provincën Anbar dhe pjesë të Libisë. Po kryhen sulme edhe në Afganistan. Ky është një fenomen si kanceri, ndaj mendoj se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake. IS mund të fitohet vetëm nëse sunitët të cilët në Irak përbëjnë rreth 35% të popullatës, ndjehen sërish të barabartë dhe integrohen në një zgjidhje politike në Irak. Pa pajtimin nacional nuk do të ketë zgjidhje.

Ish politikani dhe menaxheri i mediave, Jürgen Todenhöfer punon sot si analist dhe publicist. Me 27 prill do të botohen libri i ij "Inside IS - 10 ditë në Shtetin Islamik".