1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjoka: Më 25 shtator vendimi për dosjen e inceneratorëve

13 Shtator 2023

Kryetarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, (GJKKO) Irena Gjoka në intervistë ekskluzive për DW paraqet situatën aktuale lidhur me ndëshkimin e korrupsionit në nivel të lartë në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/4WGhv
Albanien | Irena Gjoka
Fotografi: Ani Ruci/DW

DW: Znj. kryetare, afera e inceneratorëve dhe ajo e sterilizimit të instrumentave për ndërhyrje kirurgjike vazhdojnë të jenë në rend të ditës në Shqipëri. Ҫfarë mund të thoni për këto dy dosje, që cilësohen të nxehta?

Irena Gjoka: Janë dy dosje me interes të lartë publik, politik dhe mediatik. Në këtë kontekst për dosjen e inceneratorëve janë hetuar dhe gjykuar me masën e sigurimit, arrest me burg, funksionarë publikë të nivelit të lartë: ish-zëvendës kryeministri  Arben Ahmetaj, (në mungesë), ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako, ish-kryebashkiakë socialistë, ish-prokurorë dhe gjyqtarë. Për dosjen në fjalë kanë përfunduar hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor dhe më 25 shtator, trupi gjykues i GJKKO pritet të japë vendimin. Ndërsa për dosjen e sterilizimit të instrumentave kirurgjike hetimet po vazhdojnë.

DW: Qytetarët e Shqipërisë kanë pritshmëri të mëdha për dënimin e korrupsionit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë publikë në nivele të larta. Me ҫfarë rezultatesh, GJKKO po tregon që i ka në konsideratë këto pritshmëri dhe me vendimet e saj po fiton besimin e publikut tek drejtësia?

Irena Gjoka: Sistemi gjyqësor ka përgjegjësinë kryesore për t'i dhënë shoqërisë drejtësi brenda afateve ligjore, gjë që kontribon në ndryshimin e perceptimit të publikut dhe rritjen e besimit të tij ndaj sistemit të drejtësisë. Hetimet e kryera nga prokuroria, nga Struktura e Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) dhe në vijim gjykimi i ҫështjeve nga GJKKO kërkojnë kohën e tyre, mesatarisht deri në 3 vjet. Fjala është për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku faktet dhe provat janë thelbësore. Deri tani, gjatë këtij viti, GJKKO ka marrë vendime për 6 ҫështje penale me 38 të pandehur që lidhen me veprën penale të korrupsionit në nivel të lartë. Kjo Gjykatë ka shpallur fajtorë dhe dhënë dënime për pesë prej tyre.

DW: A ka ҫështje të pushuara që lidhen me veprën penale të korrupsioni, krimit të organizuar? Nëse po a mund të rihapen?

Irena Gjoka:  Ligji procedurial penal ka parashikuar procedurën e pushimit të ҫështjeve në rastet kur provohet që i pandehuri nuk e ka kryer veprën penale dhe fakti penal nuk ekziston si edhe kur kanë kaluar afatet e parashkrimit të ndjekjes penale. Ky ligj ka parashikuar gjithashtu edhe rastet e revokimit/ndryshimit të vendimit për pushimin e një ҫështjeje, kur dalin prova apo rrethana të reja. Ndërkohë kemi rastet kur kërkesat e prokurorëve për pushim të ҫështjes nuk janë pranuar nga GJKKO për plotësim hetimesh dhe prokurorët janë urdhëruar nga gjykata të ngrejnë akuzë.

DW: Ҫfarë po ndodh me procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me përgjegjësitë e tij në ngjarjen tragjike të Gërdecit, të ndodhur 15 vjet më parë ku, nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën 300 të tjerë? SPAK rihapi hetimet, i përfundoi ato dhe e ka sjellë dosjen për gjykim në GJKKO.

Irena Gjoka: Kjo ҫështje po gjykohet me procedurë të zakonshme, pra jo të shkurtuar. Trupa gjyqësore e GJKKO është garant për një proces të rregullt ligjor dhe dhënë drejtësi për të gjitha palët e përfshira në ngjarjen tragjike të Gërdecit.

DW: Zbardhja e komunikimeve telefonike përmes platformës Enco Chat dhe SKY nga autoritetet e drejtësisë franceze po zbulon në Shqipëri vepra të rënda penale, të kryera nga individë dhe grupe të strukturuara kriminale, po zbulon vrasës me pagesë për vrasje të porositura nga njerëz të botës së krimit apo individë me pushtet ekonomik. Çfarë po bëhet për gjykimin e tyre?

Irena Gjoka: Gjykata ka dhënë vendime për masën e sigurimit, arrest me burg, për një numër të konsiderueshëm personash, të marrë me cilësinë e të hetuerve. Aktualisht ҫështjet penale në ngarkim të tyre janë në hetim.

DW: A keni gjykuar raste kur grupet kriminale rezultojnë të jenë të lidhura me politikën dhe strukturat e këtushme shtetërore?

Irena Gjoka: Lidhja e grupeve kriminale me politikën dhe strukturat shtetërore nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por global. Po, kemi raste ku hetimet kanë zbuluar lidhjet e grupeve në fjalë me funksionarë publikë dhe struktura shtetërore. Për raste të tilla GJKKO ka dhënë vendimet përkatëse, ndërkohë që ҫështje të tjera të kësaj natyre janë nën hetim.

DW:  A keni presione nga politika apo bota e krimit?

Irena Gjoka: Trupa gjyqësore e GJKKO gëzon një mbrojtje të veҫantë në sajë të veprave penale që ajo gjykon, në raport me magjistratët e juridiksionit të përgjithshëm. Përveҫ kësaj kjo trupë i nënshtrohet monitorimit  të bisedave telefonike, kontrollit të llogarive bankare e të tjera duke garantuar kështu integritetin e tyre profesional dhe moral.

Intervistoi: Ani Ruci