1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Irani sulmon Izraelin - "Shkallëzim i pashembullt"

14 Prill 2024

Irani e bëri realitet kërcënimin e tij dhe sulmoi Izraelin megjithë paralajmërimet ndërkombëtare. Jemi përgatitur për mbrojtje deklaroi ushtria izraelite. Kancelari Scholz siguroi Izraelin për mbështetjen e Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/4ejXa
Sulm i Iranit kundër Izraelit - sistemi i mbrojtjes raketore në Ashkelon vihet në veprim në mesnatë
Sulm i Iranit kundër IzraelitFotografi: Amir Cohen/REUTERS

Presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh, se SHBA e ndihmoi Izraelin të rrëzojë "gati" të gjitha raketat dhe dronët nga Irani. Në orët e para të mëngjesit, nga pala izraelite është hequr alarmi për banorët e veriut dhe jugut të vendit. Banorët nuk duhet të qëndrojnë më afër bunkerëve e hapësirave të sigurisë, u tha në një njoftim të Ministrisë për Mbrojtjen e vendit. Në sulmin e gjerë të Iranit u hodhën 200 dronë dhe raketa, sipas Izraelit.

Takim i presidentit, Joe Biden me Këshillin Kombëtar të Sigurisë pas sulmit iranian kundër Izraelit
Takim i presidentit, Joe Biden me Këshillin Kombëtar të Sigurisë pas sulmit iranian kundër IzraelitFotografi: White House/AFP

Megjithë paralajmërimet ndërkombëtare, Irani startoi sulmin me dronë dhe raketa kundë Izraelit. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari e konfirmoi këtë në orët e vona të së shtunës. Izraeli punon ngushtë me SHBA dhe partnerët në rajon "për të vepruar dhe kapur dronët", shtoi Hagari. Edhe mediat iraniane e konfirmuan "sulmin hakmarrës". "Një operacion i gjerë dronësh i Gardës së Revolucionit (..) ka filluar para minutash", u tha pak para mesnatës në televizionin iranian të kontrolluar nga regjimi. Më vonë u tha se janë hedhur edhe raketa.

Irani ndërkohë paralajmëroi SHBA të qëndrojë larg konfliktit. Sulmi iranian është një reagim ndaj "agresionit" të Izraelit kundër konsulatës në Damask, deklaroi përfaqësia iraniane në OKB përmes platformës X. Bëhet fjalë për një konflikt mes Iranit dhe Izraelit, "nga i cili SHBA duhet të qëndrojë larg".

Kancelari gjerman Olaf Scholz para mikrofonit
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Reagime botërore pas sulmit të Iranit

Sulmi i Iranit kundër Izraelit ka shkaktuar kritika mbarëbotërore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu telefonoi në orët e para të së dielës me presidentin amerikan, Joe Biden. Presidenti amerikan ka siguruar Izraelin për mbështetjen "e patundur" amerikane. Biden u shpreh, se e dënon sulmin në formën më të ashpër dhe se do të thërrasë një takim të G7-s për një përgjigje dipolmatike "të bashkuar" kundër Iranit.

Edhe BE ka reaguar pas sulmit të Iranit. Përfaqësuesi i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell pas sulmit të Iranit kundër Izraelit bëri fjalë për një "shkallëzim të pashembullt". "BE e dënon sulmin e papranueshëm iranian kundër Izraelit në formën më të ashpër", shkroi Borrell në platformën X. "Ky është një shkallëzim i pashembullt dhe një kërcënim i  rëndë për sigurinë rajonale."

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e dënoi sulmin "me ashpërsinë më të madhe". "Me këtë sulm të papërgjegjshëm dhe të pajustifikuar me asgjë Irani rrezikon një shkallëzim të rrezikshëm rajonal", deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit në Berlin. "Në këto orë të vështira, Gjermania qëndron fort në krah të Izraelit." Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kritikoi sulmin iranian ashpër. "Irani ka goditur me dronë dhe raketa Izraelin. Ne e dënojmë ashpërsisht sulmin që mund të çojë në kaos një rajon të tërë", shkroi Baerbock në platformën X, ku theksoi, se "Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë në këto orë".

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yaov Gallant në takimin e kabinetit të sigurisë pas sulmit iranian
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yaov Gallant në takimin e kabinetit të sigurisë pas sulmit iranianFotografi: Israeli Ministry of Defense/Handout/Anadolu/picture alliance

Kryeministri britanik, Rishi Sunak bëri fjalë për një "sulm të pamëshirshëm" kundër Izraelit. Ky sulm përmban "rrezikun e ashpërsimit të tensioneve dhe destabilizimit të rajonit". Sunak theksoi, se "Britania e Madhe do të angazhohet më tej për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë partnerëve rajonalë, përfshirë edhe Jordaninë dhe Irakun." Edhe qeveria franceze siguroi Izraelin për mbështetjen e Francës. "Me vendimin për këtë sulm të pashembullt, Irani ka kaluar cakun e një shkallëzimi të ri", deklaroi ministri i Jashtëm francez, Stéphane Séjourné në platformën X. Teheran me këtë i hyn "rrezikut të një shkallëzimi ushtarak".

Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së planifikon një seancë të posaçmae. Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan bëri të ditur në platformën X, se me letër është njoftuar ambasadorja malteze, Vanessa Frazier, vend që kryeson KS këto kohë, që të mbahet seanca e posaçme. Sipas qarqeve të sigurisë, takimi pritet zhvillohet të dielën.

 

la/ag