Irani prezanton raketën e re me rreze të mesme veprimi
25 Maj 2023Irani prezantoi versionin më të fundit të raketës balistike me gaz të lëngshëm. Regjimi i Teheranit ka publikuar pamjet me video pa datë që dyshohet se tregojnë një lëshim të suksesshëm të raketës. Ministri i Mbrojtjes Mohammad Resa Ashtiani tha se "Khorramshahr 4" mund të jetë gati për nisje në një kohë të shkurtër. Ka një rreze veprimi prej 2000 kilometrash dhe një kokë luftarake prej 1500 kilogramësh.
Gjatë prezantimit, raketa u vendos në një mekanizëm lëshimi të montuar në një kamion. "Një nga karakteristikat më të shquara të kësaj rakete është aftësia e saj për të shmangur zbulimin prej radarëve”, tha ministri. Ajo është i aftë të depërtojë në sistemet e mbrojtjes ajrore të armikut dhe mund të përdorë koka të ndryshme për misione të ndryshme, shtoi ai.
Modeli miniaturë i Kupolës së Shkëmbit në mekanizmin e lëshimit
Demonstratimi u zhvillua në një kontekst të tensioneve rajonale. Një model në miniaturë i Kupolës së Shkëmbit, i vendosur në Malin e Tempullit në Jerusalem, një vend i shenjtë si për fenë islame ashtu edhe për Judaizmin, qe vendosur pranë platformës së lëvizshme të lëshimit. Irani e konsideron Izraelin si armikun e tij të betuar dhe armatos grupet militante anti-izraelite në territoret palestineze. Raketa e re do të jetë në gjendje të arrijë Izraelin.
Perëndimi sheh kërcënim për Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit
Perëndimi e sheh programin ushtarak dhe raketor të Iranit si një kërcënim për Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit. Udhëheqësit e Teheranit e hedhin poshtë këtë ide dhe pohojnë se ajo shërben mbi të gjitha për mbrojtjen e vendit.
"Khorramshahr 4" e ka marrë emrin sipas një qyteti iranian që ishte skena e luftimeve të rënda gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980. Raketa quhet gjithashtu Chaibar, sipas një fortese hebreje të pushtuar nga myslimanët në shekullin e shtatë - sot - Arabia Saudite. Megjithatë, nuk është e qartë pse Irani e quan raketën "Khorramshahr 4": vetëm dy variante të tjera janë të njohura publikisht.
aud (tgsch)