Iraku në rrezik - Maliki refuzon qeverinë e unitetit
25 Qershor 2014Para ofensivës së pandalshme të trupave të ISIS, kreu i qeverisë irakiane, Nuri al Maliki deklaroi se nuk do të krijohet një qeveri e unitetit. "Një qeveri e shpëtimit kombëtar" përbën një puç kundër kushtetutës dhe procesit politik, tha ai në një prononcim të posaçëm për televizionin irakian. Ai refuzoi po ashtu dorëheqjen, bëri të ditur kanali televiziv i lajmeve, Al-Arabija të mërkurën. Prapa këtyre kërkesave qëndrojnë "qëllime të rrezikshme", tha Maliki. Me këtë do të "groposet procesi demokratik në Irak" dhe "të vidhen votat e irakianëve", u shpreh kryeministri irakian.
Të martën shenjat dukeshin pozitive. Pas presionit të kreut të diplomacisë amerikane, John Kerry, i cili vizitoi Irakun, kampet e armiqësuara të politikanëve në Irak duket se ranë dakord më shpejt se ishte menduar, për riformimin e qeverisë së re. Kerry pas bisedimeve me grupet e armiqësuara të shiitëve, sunitëve dhe kurdëve bëri të ditur se Parlamenti i Irakut do të fillonte që të martën e ardhshme (1.Korrik) me krijimin e qeverisë së re.
Iraku para ndarjes
Kerry kishte kërkuar krijimin e qeverisë së unitetit, para rrezikut të marshimit të ISIS. "Iraku ndodhet para një kërcënimi ekzistencial dhe liderët irakianë dueht t'i përgjigjen këtij kërcënimi me shpejtësinë e duhur", ishte shprehur Kerry. Iraku ndodhet para ndarjes, dy javë pas marshimit të ISIS, që është duke marshuar drejt Bagdadit dhe ka vënë nën kontrollin e saj shumë rajone në Veri dhe Perëndim të Irakut.
Ndërkohë në Irak kanë filluar nga puna këshilltarët ushtarakë amerikanë. Bëhet fjalë për dy skuadra ushtarakësh me 40 pjesëtarë, bëri të ditur Pentagoni. Këta ushtarë ishin të stacionuar në Irak dhe janë vënë tani në mbrojtje të ambasadës amerikane. Ndërkohë 90 ekspertë të tjerë janë duke krijuar së bashku me forcat e armatosura irakianë një shtab të përbashkët drejtimi. Priten edhe 50 ushtarë të tjerë në Irak. Uashingtoni do të mbështesë me këshilltarët e vet qeverinë irakianë në luftë kundër xhihadistëve.