Interpoli - Paralajmërim global për sigurinë
4 Gusht 2013Pas sulmeve ndaj disa burgjeve në Libi, Irak dhe Pakistan të cilat rezultuan me arratisje masive të disa qindra terroristëve dhe kriminelëve Interpoli nxori një paralajmërim global për rreziqe në fushën e sigurisë. Interpoli rekomandon të rritet vigjilenca, sepse mund të ketë sulme terroriste.
Po ashtu Interpoli u bëri thirrje 190 shteteve anëtare për të bashkëpunuar në mbledhjen e informacioneve mbi sfondin e sulmeve ndaj burgjeve dhe për të konstatuar nëse këto kanë qenë aksione të koordinuara dhe të lidhura me njëra-tjetrën.
Paralajmërim për qytetarët amerikanë
SHBA lëshoi të premten një paralajmërim për qytetarët amerikanë sidomos në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për shkak të rrezikut të sulmeve terroriste. Mendohet se Al-Kaida dhe aleatët e saj po planifikojnë sulme të mëtejshme të cilat mund të përqendrohen në muajin gusht.
Edhe Interpoli paralajmëron në deklaratën e tij se në gusht mund të ketë "sulme të dhunshme terroriste" sepse në këtë muaj përkujtohen disa raste aktesh si në Indi, Indonezi dhe Rusi. Po ashtu më 7 gusht të vitit 1998 ishin sulmuar edhe ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, ku u vranë më shumë se 200 vetë.
Ambasadat mbyllur
Për këto arsye rreth 20 ambasada amerikane në Lindjen e Mesme dhe në vendet myslimane në rajone të tjera do të qëndrojnë të dielën të mbyllura. Në kryeqytetin e Jemenit Sana do të qëndrojnë gjithashtu përkohësisht të mbyllura edhe ambasadat gjermane, franceze dhe britanike.
Në fund të korrikut u sulmua një burg në Pakistan ku mbaheshin militantë talebanë. Më parë në Irak ishin liruar prej një sulmi në burgun e Abu-Ghraibit 500 të burgosur ndër ta dhe shumë anëtarë të lartë të organizatës ekstremiste të Al-Kaidës, e cila mori përsipër autorësinë e këtij sulmi. Më 27 korrik u arratisën nga një burg në Bengazi në Libi 1100 të burgosur.