1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interesim i madh për konferencën e sigurisë në Mynih

4 Shkurt 2011

Konferenca e sigurisë në Mynih ka nisur në vitin 1962 si takim i ushtarakëve, ndërsa sot është një prej takimeve më të rëndësishme kushtuar sigurisë së brendshme dhe të jashtme. Kështu do të jetë edhe me 4-6 shkurt

https://p.dw.com/p/10APy
Wolfgang IschingerFotografi: picture-alliance/dpa

Wolfgang Ischinger thotë se kurrë më parë nuk ka pasur një interesim më të madh për këtë konferencë. Në sallë mund të futen më së shumti 350 pjesëmarrës, ndërkohë që kërkesa është shumë më e madhe.

"Ditët e fundit më është dashur për fat të keq që shumë të interesuarve t'u kthej përgjigje negative për shkak të kapaciteteve. Ky është një sinjal i mirë!", pohon ai.

Interesimi ka një shkak të thjeshtë: konferenca konsiderohet si takimi më i rëndësishëm për sigurinë në Gjermani, Evropë e ndoshta edhe në botë. Këtu mblidhet "Creme de la Creme" i sigurisë ndërkombëtare. Tre ditë me radhë ata diskutojnë për shumë çështje, por nuk marrin vendime. Udhëheqësi i takimit Wolfgang Ischinger thotë se pikërisht për këtë shkak konferenca është interesante për shumë pjesëmarrës.

Amerikanische Delegation bei der Münchner Sicherheitskonferenz
Delegacioni amerikan në MynihFotografi: DW

"Mund të flasim deri ne tre pas mesnate..."

"E mira e kësaj konference është që mund të kërkojmë zgjidhje dhe të japim impulset e duhura pa humbur kohë në përpilimin e komunikatave. Ne mund t'i kushtohemi çështjes dhe të grindemi deri në tre ora pas mesnate", pohon ai.

Në dhomat e prapme të hotelit mund të shohësh sekretarin e përgjithshëm të OKB duke pirë kafe me ministren e Jashtme amerikane, apo ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Iranit së bashku. Takimet e këtilla i japin konferencës një rëndësi të veçantë. Hotelin e sigurojnë me qindra policë.

Temat

Këtë vit më së shumti do të bisedohet për thyerjet në vendet arabe. Do të flitet edhe për luftën në internet. Ndër temat e rëndësishme janë gjithmonë raportet mes NATO-s dhe Rusisë, por edhe gjendja në Afganistan. Kësaj here më së shumti do të bëhet fjalë për mundësitë e tërheqjes së trupave të NATO-s nga ky vend. Christian Schmidt, sekretar shteti në Minsitrinë e Mbrojtjes thotë: "Shpresoj se ngadalë po vie koha post-afgane edhe në konferencën e Mynihut."

Der russische Aussenminister Sergej Lavrow auf der 46. Muenchner Sicherheitskonferenz in Muenchen
Sergej Lavrov ka interesa të tjera.Fotografi: AP

Kjo do të ishte edhe në interesin e delegacionit të madh amerikan, të cilin e prinë ministrja e Jashtme Hillary Clinton. Në Mynih ajo do të ketë aktivitete të shumta: do të marrë pjesë edhe në takimin e kuartetit për Lindjen e Mesme dhe do të ratifikojë me kolegun rus Lavrov marrëveshjen START. Ndërsa për rusët një temë e rëndësishme do të jetë edhe rrjeti i mbrojtjes nga raketat.

Lista e mysafirëve të konferencës së 47 të Mynihut është e gjatë, por ndonjë e veçantë nuk pritet. Në konferencë sërish do të jetë edhe kancelarja Angela Merkel me shumë ministra. Nga Brukseli do të vijnë Herman van Rompuy dhe Catherine Ashton. Nga Nju Jorku Ban Ki Moon, ndërsa për herë të parë do të vie dhe kryeministri britanik David Cameron. I padëshiruar në këtë konferencë është shpallur ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, të cilit i është tërhequr ftesa pas manipulimit të zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Autor: Nina Werkhäuser/Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj