1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër urrejtjes në rrjetet sociale

Lisa Hänel
1 Shkurt 2022

Nga 1 shkurti Gjermania do të nisë një luftë më intensive kundër urrejtjes në internet - me hapjen e një Zyre të re qendrore për raportimin e urrejtjes. Por këtu do të ketë edhe probleme.

https://p.dw.com/p/46Jh6
Störung | WhatsApp, Facebook und Instagram
Fotografi: Ozge Elif Kizil/AA/picture alliance

Regina Nagel është zakonisht e kujdesshme se çfarë poston në rrjete sociale. Ajo poston dhe komenton pak publikisht dhe shikon me vëmendje listën e miqve të saj në Facebook. E megjithatë edhe ajo u përball në shtatorin e kaluar me problemin e urrejtjes. Nën një postim të saj të shpërndarë me miq, pati edhe komente urrejtjeje. Nagel është pjesëmarrëse e Rrugës sinodale. Ky format dialogu në Kishën katolike u nis pas akuzave për abuzime seksuale me fëmijë.

Autori i komentit të urrejtjes, një katolik i djathtë që shfaqet në internet me emrin e tij të vërtetë, shpreh përbuzje ndaj grave në punën baritore, fyen personalisht Nagelin dhe në një postim të mëvonshëm i referohet edhe pamjes së saj me fjalë ofenduese. "Është tërësisht e papranueshme, por kjo nuk më tronditi aq shumë”, thotë Nagel. Të paktën unë nuk u kërcënova, siç ndodh me disa politikanë. Dy miq megjithatë e kanë raportuar këtë koment në Facebook. Por asgjë nuk ka ndodhur deri më sot, komenti ende është i dukshëm për të gjithë.

Deutschland | BKA-Herbsttagung in Wiesbaden
Zyra Federale e KriminalistikësFotografi: Arne Dedert/dpa/picture alliance

Raste të tilla janë të shumta në rrjetet sociale. Ndërsa tonet janë shumë të ashpra, në veçanti janë ashpërsuar gjatë kohës së pandemisë. Por këso gjërash ka pasur edhe para pandemisë. Femrat janë veçanërisht të prekura, sepse ato janë shpesh në shënjestër të kritikave. Rrjetet kryesore sociale, si Facebook apo YouTube në Gjermani, tashmë janë të detyruara të fshijnë komentet e urrejtjes.

Nga 1 shkurti, ligjet do të ashpërsohen edhe më shumë. Prej kësaj dite rrjetet sociale që kanë më shumë se dy milionë përdorues, jo vetëm që duhet t'i fshijnë komentet me përmbajtje kriminale, por edhe duhet t'i raportojnë adresat IP të këtyre përdoruesve në Zyrën Federale të Policisë Kriminale (BKA). Raportet e këtilla do të pranohen nga "Zyra Qendrore e Raportimit për Përmbajtjet Kriminale në Internet, ZMI” e krijuar nga BKA.Nga data 1 shkurt, 200 oficerë policie do të merren vetëm me luftën kundër krimit të urrejtjes në rrjete. Kjo tingëllon shumë serioze, por sa do të jetë e suksesshme?

Nxitje e urrejtjes dhe kërcënime me vdekje

Por fyerjet si ato ndaj Regina Nagel nuk përfshihen domosdo në këtë ligj. Ligji parashikon që fyerjet e tilla të raportohen edhe nga viktima, e cila duhet të kërkojë ndjekje penale, shpjegon Josephine Ballon, juriste e organizatës HateAid. Kjo organizatë merret me mbështetjen e viktimave të krimit të urrejtjes në internet. Ndërsa për raportimet në BKA lidhur me përmbajtjen e komenteve vendosin rrjetet sociale dhe jo vet përdoruesi. Në komente të këtilla që do të raportohen duhet të ketë pra përmbajtje kriminale. Hetuesit do të përqendrojnë vëmendjen tek gjuha e urrejtjes - për shembull deklaratat antisemite dhe raciste, kërcënimet me vdekje dhe përhapja e simboleve që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Në thelb kjo është e drejtë, mendon Ballon: "Ideja bazë është që gjërat e tilla të raportohen dhe të përshpejtohet ndjekja penale, që është absolutisht e mirëpritur".

Zyra e re e BKA synon të bashkëpunojë ngushtë me prokuroritë e landeve. Ajo duhet të jetë mbi të gjitha në gjendje të kërkojë adresat IP shpejt, sepse këto të dhëna ruhen vetëm disa ditë në Gjermani.

Problemi: E gjithë kjo ndodh pa dyshimin fillestar. Rrjeti social duhet të vendosë vetë nëse ka përmbajtje kriminale dhe më pas ta raportojë atë në BKA.Kjo pastaj vendos nëse ka një arsye për hetime. Këtë e vlerëson prokurori. Kjo është mirë, sepse prokurori e vlerëson raportimin, e policia më pas fillon punën e saj.

Kjo është edhe një nga arsyet pse Facebook dhe Google kanë ngritur një padi – ku kërkojnë që ato të mos i raportojnë në BKA gjërat të cilat kërkohen. Ballon nga HateAid thotë se kjo padi e këtyre rrjeteve nuk është me vend. Në të kundërtën, në BKA mund të mbërrijnë kaq shumë raportime, sa që nuk do të ketë mundësi për klasifikimin dhe nxjerrjen para gjykatave.

Symbolbild Hass im Netz
Fotografi: Thomas Trutschel/photothek/picture alliance

Paqartësitë

Kjo mund të jetë kontestuese në veçanti në postimet ku nuk mund të thuhet saktë nëse diçka është përhapje e urrejtjes apo jo, paralajmëron Ballon. Në veçanti problematike është për shembul shqetësimi për përhapjen e simboleve antikushtetuese. "Me rëndësi është të bëhet dallimi nëse për shembull një Kryq nazist është postuar për të forcuar ndjenja ekstremiste dhe a është kjo një vepër penale? Apo ky simbol është postuar me një mision arsimor apo për qëllime arti? Sepse në këto raste do të lejohej."

Në pyetjen e DW se si do të zgjidhen këto probleme, BKA bën të ditur se po përpiqet t'i eliminojë këto shqetësime. Një nga detyrat e punonjësve të policisë në këtë qendër është të "kontrollojnë përgjegjësinë penale të kallëzimeve të ardhura. Në përgjithësi, procesi i zhvilluar siguron që të ketë një shkëmbim intensiv me gjyqësorin në të gjitha fazat e kontrollit dhe përpunimit të raportimeve. E këtu do të merren parasysh edhe rrethanat që kanë sjellë deri tek këto gjëra dhe rolet e aktorëve që kanë përdorë ato”, kumtoi BKA. Kjo duhet të sigurohet edhe me një bashkëpunim të ngushtë të BKA me Qendrën për luftimin e krimit kibernetik  në landin NRW (ZAC) dhe zyrën e prokurorit publik në Këln.

Krijimi i bazës së të dhënave nuk është planifikuar. Raportet për të cilat konstatohet se nuk kanë relevancë për ndjekje penale nga organet e drejtësisë, pas ekzaminimit përkatës, do të fshihen menjëherë.

Symbolbild Hass im Netz
Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Por HateAid paralajmëron se ky proces mund të zgjasë deri në një vit për shkak të kallëzimeve të shumta. Është e mundur pra që BKA të ketë para vetes plot një vit të dhëna për njerëz që nuk janë aspak fajtorë dhe që nuk kanë bërë asgjë në kundërshtim me ligjin.

Fuqia mbetet tek rrjetet

Përveç kësaj, një problem tjetër është padia e disa operatorëve më të mëdhenj, Facebook dhe Google, që të mos marrin obligimin e raportimit të këtyre gjërave tek BKA. Prandaj avokati i HateAid Ballon nuk pret ndonjë përmirësim real menjëherë me datën 1 shkurt. "Nëse askush nuk i përmbahet këtij ligji, atëherë asgjë nuk do të ndryshojë".

Leonhardt Traumer, themeluesi i "Hassmelden” (Raportimi i urrejtjes), një organizatë që kujdeset edhe për viktimat e krimit të urrejtjes në internet, ndan këtë mendim. Sidomos kur dihet që përgjegjësia për raportimin e përmbajtjes është në duart e vetë operatorëve. Traumer sqaron shqetësimet e tij me një shembull: "Kjo është sikur mijëra e mijëra kamera vëzhgimi të policisë federale gjermane në aeroporte, stacione treni dhe vende të tjera, të kontrolloheshin prej ndonjë kompanie amerikane". Ata do t'i shikonin regjistrimet, "dhe vetëm nëse kjo kompani amerikane - e sektorit privat - do të konsatonte përgjegjësi penale për regjistrimet, ato do të jepeshin në dispozicion policisë federale. Pra një sistem jo shumë i arsyeshëm", përfundon Traumer.

Themeluesi i "Hassmelden" mendon se zyra e tij e pavarur e raportimit për gjuhën e urrejtjes do të përballet me këto probleme edhe një kohë të gjatë. Sepse deri sa të vendoset sipas padive të ngritura nga Google dhe Facebook, mund të kalojnë edhe disa vite.