1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuotë grash në media

8 Mars 2012

Iniciativa "Pro Quote" kërkon më shumë shefe në sektorin gjerman të medieve. Gazetaret e reja nuk mungojnë. Por duket se diku gjatë rrugës drejt pozicioneve drejtuese gratë mbeten në vend.

https://p.dw.com/p/14H4h
Screenshot i faqes së internetit "Pro Quote"
Screenshot i faqes së internetit "Pro Quote"Fotografi: pro-quote.de

Thëniet e tyre janë të forta, toni kërkues. "Ne jemi gjysma. Ne duam gjysmën." "Më mirë grua kuote se të mos bëhesh fare shefe." Më shumë se 300 gra në sektorin gjerman të medieve ngrenë zërin. Ndër ta intendantja e radios publike Berlin-Brandenburg, kryeredaktorja e televizionit në Deutsche Welle, moderatore, redaktore, autore. Rreth dhjetë ditë kanë kaluar qëkurse kërkesat e tyre i bënë të ditura me një aksion letrash në katet e shefave në qendrat e medieve gjermane.

Pikërisht aty duan të arrijnë ato - në katet e shefave. Këtë e tregojnë edhe në faqen e tyre në internet www.pro-quote.de. Atje mund të lexohet letra ku gratë vënë në duklje raportet e shtrembëra: vetëm dy për qind e të gjithë kryeredaktorëve të rreth 360 të përditshmeve dhe të përjavshmeve janë gra. "Nga 12 intendantët e radiove publike vetëm tre janë gra."

Diskutime për kuota grash në media
Diskutime për kuota grash në mediaFotografi: picture-alliance/dpa

Një kuotë grash duhet të arrijë atë që mesa duket nuk bëhet vullnetarisht. Konkretisht kjo do të thotë: pjesa e grave në karriget e shefave në sipërmarrjet mediatike gjermane duhet të rritet në 30% brenda pesë vjetësh. Një objektiv ambicioz - e megjithatë pozicioni fillestar i gazetareve gjermane nuk është aspak i keq. Vërtet nuk ka shifra të sakta se si është panorama gjinore në gazetari, thotë shoqata e gazetarëve gjermanë. Por dihet se më shumë se 50% e gazetarëve të rinj janë gra. Shtrohet pyetja: në cilën shkallë të karrierës mbeten në vend gratë?

"Gratë duhet të përkulen"

Në seminaret e saj për drejtuesit, psikologia Dr. Monika Henn i jep një përgjigje pyetjes. Nga njëra anë janë modelet: grave u thuhet se kur të bëhen me fëmijë nuk duhet ose nuk lejohet të bëjnë karrierë. "Veç kësaj shumë gra kanë përshtypjen se duhet të përkulesh për të arritur në një pozicion drejtues. Këtë ato nuk e duan." Por lista e pengesave nuk mbaron me kaq, thotë Monika Henn.

"Si shef duhet të sjellësh një angazhim prej 120%, të jesh vazhdimisht i pranishëm." Kjo në shumë sipërmarrje është pjesë e kulturës së firmës. Por grave shpesh u duhet ta ndajnë kohën e tyre mes familjes dhe profesionit. Në shumë ndërmarrje kjo as që mendohet, kritikon Monika Henn. Një disavantazh për gratë nuk janë vetëm kushtet e pavaforshme dhe modelet. Shpesh janë shefat e tyre që i pengojnë gratë në ngjisin shkallët e karrierës. Burrat shpesh parakalojnë pa të drejtë për të dalë në vend të parë. Gratë janë shpesh të rezervuara, nuk i bëjnë reklamën e duhur potencialit të tyre. Për të mbështetur gratë dhe për t'i zbuluar ato në postet e shefeve, drejtuesit duhet të mësojnë t'i nxisin ato për të pasur më shumë besim në forcat e veta.

Gratë drejtojnë ndryshe

Nia Künzer
Nia Künzer, gazetare sportiFotografi: picture alliance / Sven Simon

Por gratë jo vetëm duhet të drejtohen ndryshe, ato edhe drejtojnë ndryshë nga burrat kur arrijnë në karrigen e shefes, thotë psikologia Henn: "Arsyeja është që tek gratë e njëjta sjellje vlerësohet ndryshe: kur një grua tregon po aq dominancë apo e ngre po aq fort zërin sa një burrë ajo ndeshet më shumë me refuzim." Për këtë arsye gratë shefe përdorin tone më të qeta por nuk janë më pak të vendosura. Dhe gratë e përfshijnë ekipin në proces, në mënyrë që vendimet të mbështeten nga të gjithë gjatë zbatimit.

Iniciativa "Pro Quote" nuk lufton vetëm për shanset e grave për t'u dëshmuar si shefe. Shumë më tepër bëhet fjalë për faktin që mediet paraqesin mendime. Dhe mendimet që shfaqen në një gazetë, radio, internet apo emision televiziv i vendos shefi. Pra t'u besosh grave pozicione drejtuese në medie nuk do të thotë vetëm të luftosh për të drejta të barabarta. Nga aspekti medial kjo është e madje e nevojshme që të nxitet një imazh i diferencuar, i balancuar i shoqërisë përmes medieve.

Autor: Laura Döing / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama