Informacione për të vdekur në aeroportin e Kabulit
16 Gusht 2021Sipas raporteve të dëshmitarëve okularë, të paktën pesë persona thuhet se kanë vdekur në aeroportin në kryeqytetin afgan, Kabul. Qindra vetë që duan të largohen nga vendi, pasi talebanët erdhën në pushtet, janë mbledhur atje. Qeveria gjermane po përpiqet të organizojë largimin e gjermanëve dhe stafit lokal nga Afganistani.
Konfirmim për raportet e dëshmitarëve okularë nuk ka. Gjithashtu është e paqartë nëse ata vdiqën në ndonjë panik masiv apo i vranë. Sipas raporteve të mediave, ushtarët amerikanë qëlluan në ajër për të parandaluar turmën të sulmonte aeroplanët e pasagjerëve. Amerikanët thonë se po e mbajnë zonën nën kontroll, në mënyrë që të mundësojnë masa evakuimi.
Lufthansa shmang hapësirën ajrore afgane
Kontrolli i trafikut ajror afgan paralajmëroi që të mos ndërmerren fluturime në hapësirën ajrore të vendit. Hapësira ajrore aktualisht është e hapur vetëm për ushtrinë, tha një zëdhënës i autoritetit. Avionët e udhëtarëve udhëzohen të fluturojnë në korridore të tjera. Shoqëria ajrore gjermane Lufthansa deklaroi se do të shmangë hapësirën ajrore afgane.
Shtetasit gjermanë dhe punonjës vendas lokalë do të çohen në siguri me avionë ushtarakë gjermanë. Një avion i parë transporti ndodhet rrugës për në Kabul.
Ghani ndodhet me sa duket në Uzbekistan
Sipas informacioneve të stacionit televiziv Al-Jazeera, Presidenti Ghani, i cili u largua nga vendi, ndodhet në Uzbekistan. Anëtarët e qeverisë së tij e dënuan arratisjen e tij. Ai vetë deklaroi se donte të parandalonte gjakderdhjen.
"Emirati Islamik Afganistan"
Talibanët ishin në pushtet në Afganistan nga viti 1996 deri në vitin 2001. Frikë shkaktoi mbi të gjitha interpretimi radikal prej tyre i ligjit të Sheriatit me ndëshkime të ashpra, për të zbatuar idenë e tyre për një "shtet të Zotit". Gratë dhe vajzat u shtypën sistematikisht, artistët dhe media u censuruan, shkeljet e të drejtave të njeriut ishin të zakonshme. Edhe tani kryengritësit duan të ndërtojnë përsëri një "Emirat Islamik të Afganistanit".
aud (dlf,dpa)