1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Industria automobilistike: Gjermania nën presion

Klaus Ulrich
17 Prill 2023

Çmimet e larta të energjisë dhe burokracia e madhe po i dëmtojnë prodhuesit e automjeteve. Ata po investojnë gjithnjë e më shumë në SHBA, gjë që inkurajon zhvillimin e elektromobilitetit me subvencione të larta.

https://p.dw.com/p/4QChb
Skulptur OPEL GT
Fotografi: Ralf Ibing/Snowfield Photography/picture alliance

"Ne prodhimin ekzistues nuk do ta zhvendosim  në SHBA. Por fabrikat e ardhshme më tepër do t'i ndërtojmë në Amerikë. Ekziston rreziku që Evropa të jetë humbëse e kësaj rishpërndarjeje". Kjo deklaratë e Klaus Rosenfeld-it, Drejtorit ekzekutiv të Schaeffler-it, furnizuesit të katërt më të madh të automjeteve në Gjermani me më shumë se 80.000 punonjës në mbarë botën, pasqyron një prirje të rëndësishme: industria automobilistike po e zhvendos gjithnjë e më shumë prodhimin nga Gjermania dhe Evropa në Kinë dhe në Amerikën e Veriut.

"Arsyet e migrimit të industrisë së automobilave jashtë Gjermanisë dhe Evropës janë të shumëfishta," tha për DW Stefan Schneeberger, menaxher projekti në Beryls Strategy Advisors, një firmë konsulente e specializuar në industrinë automobilistike. Një nga nxitësit kryesorë të transferimit në det të hapur është kostoja e lartë e energjisë. Niveli i çmimeve të energjisë elektrike në BE është dy deri në tre herë më i lartë se në SHBA. "Por edhe kushtet më të larta rregullatore, me të cilat përballet industria në BE dhe Gjermania gjithashtu mbështesin zhvendosjen në një zonë tjetër ekonomike. Dhe sigurisht subvencionet më tërheqëse, që ofrohen aktualisht në SHBA, ushtrojnë efekt tërheqës." Këto subvencione, të cilat arrijnë në miliarda, janë megjithatë të lidhura me teknologji miqësore me klimën, si lëvizshmëria elektrike.

Presidenti amerikan Joe Biden flet mbi Aktin e Reduktimit të Inflacionit më 13.09.2022 jashtë Shtëpisë së Bardhë
Joe BidenFotografi: Andrew Harnik/AP

Subvencionet amerikane vetëm për teknologjitë miqësore me klimën

Si pasojë e planeve të zhvendosjes së prodhimit, parashikimi për sa i përket numrit të njësive për periudhën e prodhimit 2023-2029 në Evropë është në rënie të madhe, shkruhet në një analizë të fundit të Beryls. Zhvendosjet e prodhimit i bëjnë shumë më pozitive parashikimet për rajone të tjera të botës. Prodhimi i automomjeteve madje pritet të rritet globalisht, por do të jetë më i ulët se sa pritej në vitin 2021.

"Parashikimi aktual pasqyron efektet negative të goditjes së shokut të jashtëm, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, si dhe korrigjimet e parashikimeve tepër optimiste për vitin 2021 në lidhje me përfundimin e kufizimeve të pandemisë dhe krizën e mikroçipëve”, shpjegon Schneeberger.

Humbje e 100.000 vendeve të punës në Gjermani

Sipas analizës, një diferencë prodhimi prej rreth katër milionë automjetesh do të shfaqet midis Gjermanisë dhe Amerikës së Veriut në vitet e ardhshme. Zhvendosjet e prodhimit, siç u njoftuan së fundmi nga Audi dhe Ford, vetëm sa e përforcojnë këtë prirje. Prandaj priten humbje deri në 100.000 vende pune të prekura drejtpërdrejt dhe një rënie të produktit të brendshëm bruto të Gjermanisë (PBB) prej 0,6 pikë përqindjeje në vitin 2029.

Një grua punon në një makinë në linjën e montimit
Për ekonominë gjermane, industria automobilistike është një sektor kyç.Fotografi: Stephan Goerlich/dpa/picture alliance

Për ekonominë gjermane, industria automobilistike sektor kyç

Në këtë kontekst, menaxheri i projektit Schneeberger thekson se rëndësia e industrisë së automjeteve në Gjermani është më e madhe se në vendet fqinje evropiane, për shembull. "Këtu kjo industri përfaqëson pothuajse pesë për qind të PBB-së, që do të thotë se rënia (në këtë degë) do të ndikojë veçanërisht në ekonominë gjermane. Përveç kësaj, avantazhi konkurrues i prodhuesve dhe furnizuesve gjermanë të makinave, i cili ishte kryesisht i lidhur me motorin me djegie, po zvogëlohet".

Amerika duhet të funksionojë edhe me energji elektrike

Por kjo është histori pothuajse e lashtë. Sepse, përveç digjitalizimit, zhvillimi i motorëve alternativë është një nga megatrendet në sektorin automobilistik. Në SHBA, fundi i motorit me djegie sigurisht që po kryhet më ngadalë se në Evropë apo në Kinë. Për krahasim: aktualisht, 14% e regjistrimeve të reja të automjeteve në Gjermani janë automjete thjesht elektrike, krahasuar me 21% në Kinë, tregu më i madh për automjetet elektrike - ndërsa më pak se 6% e automjeteve të reja të regjistruara në SHBA janë elektrike.

Fabrika e Tesla në Fremont
Prodhuesi i makinave elektrike Tesla ende nuk e ka pushtuar SHBA gjeografikishtFotografi: Ben Margot/AP/picture alliance

Në të ardhmen e afërt, kjo mund të ndryshojë në mënyrë dramatike. "Ditët kur automjetet elektrike ishin një fenomen i kufizuar në Bregun Perëndimor të SHBA kanë mbaruar," thotë DW Henning Ludes, ekspert në tregun amerikan të automobilave dhe partner në Beryls Strategy Advisors.

Sipas Ludes, i cili ka bashkëpunuar në një analizë përkatëse, SHBA janë tashmë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Evropën për vendin e dytë si tregu më i rëndësishëm global për automjetet elektrike, pas Kinës. Shitjet e këtij lloji të automjeteve në SHBA pritet të kalojnë gjashtë milionë copë në vit në vitin 2030, duke përfaqësuar një pjesë të tregut prej afërsisht 40 për qind. "Njoftimet e fundit nga Departamenti Amerikan i Energjisë në lidhje me kuotat më të rrepta të konsumit të karburantit, si dhe njoftimi nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) në lidhje me kufizimin e emetimeve të CO2, madje mund të katapultojë pjesën e tregut të makinave elektrike në SHBA në 60 për qind deri në vitin 2030”, thotë Ludes.

Ford F-150 me kapak të hapur në një stendë ekspozite
Kamioni i famshëm i Fordit F-150 ka kohë që po punon gjithashtu me energji elektrike.Fotografi: Terrence Antonio James/Chicago Tribune/picture alliance

Sfida kryesore për kompanitë gjermane do të jetë të kuptojnë nevojat specifike të klientëve amerikanë që nuk e njohin elektromobilitetin. Këto përfshihen modele specifike të automjeteve. "Ndryshe nga Evropa, në SHBA, automjetet fuoristrada dhe kamionët do të përbëjnë më shumë se 75% të tregut të makinave thjesht elektrike," thotë Ludes. "Kamioni F-150 i Ford-it mbetet automjeti më i shitur në tregun amerikan."