1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indonezia tronditet nga një tërmet i fuqishëm

Bernd Much-Borowska/Sybille Golte27 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Aqdd
Viktima të tërmetit në Indonezi
Viktima të tërmetit në IndoneziFotografi: AP

Ka muaj që qyteti Joxhakarta ishte në gjendje alarmi. Sizmologët kishin paralajmëruar për shpërthimin e mundshëm të vullkanit Merapi që gjendet jo larg qytetit. Me ditë të tëra nga krateri i vullkanit mbi 3000 metra i lartë, dilnin re gjigade gazi dhe hiri. Kur filluan tronditjet e tokës mëngjesin e së shtunës shumëkush mendoi se po shpërthente vullkani Merapi. Por epiqendra e tërmetit ishte 40 km larg kraterit të Merapit. Prej tërmetit janë shkatërruar mijëra shtëpi dhe numri i viktimave rritet njoftim pas njoftimi.

Reporterja Susanne Kërber tregon për gjendjen në spitalin e qytetit:

"Njerëzit qëndrojnë nëpër korridore, në hyrjen e spitalit, të tjerë janë shtrirë në sheshet e parkimit, apo thjesht në dysheme, pa batanie, pa dyshekë, pa asgjë. Personeli i spitalit u jep të afërmve të të plagosurve fasho dhe medikamente që t'i mjekojnë vetë të afërmit e plagosur. Gjendja është katastrofale dhe tërësisht e mbingarkuar edhe pse është mobilizuar i gjithë personeli mjeksor përsëri ata janë shumë pak."

Përmasat e vërteta të katastrofës vështirë se mund të vlerësohen, sepse janë ndërprerë lidhjet telefonike. Po ashtu është dëmtuar edhe aeroporti i qytetit, gjë që e vështirëson furnizimin e rajoneve të prekura me ndihma. Latifur Rahman përfaqësues i Kryqit të Kuq sqaron:

"Ka rajone ku janë shkatërruar rreth 80% e shtëpive. Furnizimi me ujë të pishëm dhe energji elektrike nuk funksionon. Aeroporti është dëmtuar. Një spital është shkatërruar dhe shërbimi mjeksor është krejtësisht i mbingarkuar."

Presidenti i Indonezisë Susilo Bambang Judhojono dërgoi menjëherë forcat e ushtrisë në rajonin e Yogyakartës për t'u ardhur në ndihmë forcave të emergjencës.

"Ka shumë të plagosur që duhet të mjekohen nëpër spitale. Unë u shpreh ngushëllimet e mia të gjitha viktimave. Jam në kontakt me guvernatorin, sulltanin e Yogjakartës dhe i kam dhënë urdhër që të mobilizojë të gjitha forcat ndihmëse që gjenden në rajon." tha presidenti indonezian Susilo Bambang Judhojono.

Joxhakarta është qendra më e rëndësishme e arqipelagut indonezian. Tempujt në Borbudur dhe Prambanan tërheqin në këtë zonë çdo vit mijëra turistë dhe në qytet ka shumë komplekse të mëdha turistike.

I gjithë arqipelagu i Javës gjendet në të ashtuquajturin unaza e zjarrtë e Paqësorit, që shtrihet nga Japonia deri në jug të Oqeanit Paqësor dhe është një ndër rajonet më aktivë sizmiologjikë të botës për shkak se në të ndodhen pranë njeri-tjetrit shumë vullkanë dhe shtresa të pastabilzuara nëntokësore.

Sizmiologët sqaruan se tërmeti i së shtunës nuk kishte lidhje me aktivitetin e vullkanit Merapi, por kishte shkaqe tektonike. Gjithësesi sipas mendimit të tyre ky tërmet duhet të ndikojë në aktivitetin magmatik të këtij vullkani.

Për shkak të pozicionit të saj në një zonë sizmiologjike aktive Indonezia dhe ishujt e saj tronditen çdo vit prej qindra tërmetesh, por shumica e tyre nuk shkaktojnë dëme.