IIndonezi: Ushtria heq teset për virgjërinë
20 Gusht 2021Shefi i shtabit të ushtrisë indoneziane, gjenerali Andika Perkasa, njoftoi së fundi se ushtria nuk do të kryejë më teste virgjërie për gratë që bëjnë kërkesë për t'u bashkuar me forcat e armatosura. Fjala është për ekzaminimin me dy gishta që kryhet për të përcaktuar nëse himenet e aplikanteve femra ishin të paprekura.
Kjo praktikë e përdorur në të kaluarën nga ushtria për të përcaktuar moralin e rekruteve, ka kohë që dënohet nga grupet e të drejtave të cilët i quajtën teste të tilla degraduese dhe traumatike.
Njoftimi i shefit të ushtrisë u përshëndet nga aktivistet e të drejtave të grave dhe nga kadetet femra.
Por ka gjithashtu shqetësime se ky ndalim mund të mos zgjasë shumë pasi ushtria deri tani nuk ka lëshuar ende ndonjë urdhër për ta shpallur këtë vendim si të përhershëm.
Trauma vazhdon edhe pas shumë vitesh
Irawati Harsono, oficere veterane e policisë, e cila edhe vetë iu nënshtrua testit kur u regjistrua për t'u bërë oficere në vitin 1964, e përshëndeti vendimin.
"Sigurisht, jam mirënjohëse për vendimin edhe pse mendoj se vjen me shumë vonesë, sepse është absurde dhe qesharake të mendosh se sot e kësaj ditë dhe epokën tonë ekziston ende një test virgjërie për të përcaktuar nëse një femër pranohet ose jo në trupat e ushtrisë dhe të policisë", tha ajo për DW.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) u ka kërkuar vazhdimisht vendeve në mbarë botën që të ndalojnë testet e virgjërisë, duke thënë se ato janë joshkencore, të dëmshme dhe shkelje të të drejtave të grave dhe vajzave.
Prania e himenit nuk është tregues i besueshëm për marrëdhënie seksuale vaginale, e lëre më për qëndrimin moral të dikujt.
Megjithatë ky test është kryer në Indonezi për dekada, dhe zbatohej madje edhe për të fejuarat e ushtarëve si parakusht që ata të merrnin miratimin me shkrim të oficerëve të tyre komandues për t'u martuar.